Le t’u mësojmë përfundimisht njerëzve thjesht të mendojnë dhe jo se çfarë të mendojnë.
Nilda Baxha
Vepra e Konstandin Kavafit konsiderohet me vlerë të veçantë dhe të pazëvendësueshme. Por jo gjithmonë u konsiderua e tillë. E gjykuan dhe e tallën! E tradhtuan dhe shumë u përpoqën të provonin se gjithçka që shkruante ”nuk përbën poezi”. Këto, jo vetëm gjatë kohës që jetoi, por edhe pas vdekjes së tij.
Nuk ka patur dhe shpresoj të mos ketë më, poet më të keqtrajtuar, nga lexuesit dhe nga kritikët e poezisë. I keqtrajtuar si askush tjetër… Ndërkohë që ishte poezia më e lexuar e kohës, më e lexuar se asnjë tjetër. Poezia e Kavafit është tepër personale dhe e veçantë, për gjithsecilin, pavarësisht moshës dhe karakterit, eksperiencave, ëndrrave dhe aspiratave tona. Një poezi e tij, të tjera na thotë në të 20-tat dhe të tjera në moshë më të pjekur. Pikërisht këtu qëndron dhe bukuria e artit të tij.
Dy fjalë mbi jetën e tij…
Konstandin Kavafi u lind në Aleksandri të Egjiptit, më 29.04.1863 dhe vdiq në moshën 70-vjeçare, po në këtë ditë, në vitin 1933. Punoi si nëpunës shtetëror ne Ministrinë e Veprave Publike për 33 vjet. Ishtë gjithmonë i papajtueshëm me poezitë e tij. Njëkohësisht edhe jetën tij private e deklaronte si ”frikacake”, pasi në çdo gjë që donte të bënte, shihte veç pengesa. Ishte aq pasionant pas përsosmërisë, pas poezisë së tij, deri në kokëfortësi. Vetë Kavafi i kishte ndarë poezitë e tij në tri kategori: historike, filozofike dhe epshore.
Kavafi e ruante mjaft mirë jetën e tij private dhe preferencat seksuale, madje ai bënte një jetë të dyfishtë. Shpesh herë në poezitë erotike të tij nuk e përcakton dot se cilit seks i drejtohet. Në poezi të tjera shikojmë një rrëfim të distancuar nga një i tretë. Por sa më shumë që kalonin vitet, homoseksualiteti i tij bëhej edhe më i dukshëm.
Në rrëfimet e tij Kavafi nuk ndihej aspak fajtor. Dëshira e tij ishte t’i botonte poezitë në gazetat dhe revistat e kohës. Koleksioni i parë i tij përbëhej prej 154 poezish, i cili u botua pas vdekjes së tij.
Në pasaportën e tij të fundit, si profesion ishtë shkruar fjala POET. Ai shkroi poezi, jo vetëm në greqisht, por edhe në anglisht e frëngjisht dhe pak në italisht. Disa herë shkroi edhe në greqisht me shkonja latine, për të cilat më vonë u bë një punë me të vërtetë serioze për përkthimin e saktë të tyre.
Pasuria Kavafi u trashëgua në vitin 1933 tek A. Segopulos, të cilit ia kishte lënë si testament letrar. Ky u trashëgua dhe përpunua në vite nga të tjerë filologë dhe gjuhëtarë të shquar, të cilët u morën me certifikimin e veprës se poetit të shquar.
Institucioni ONASSI, zotëroi dhe perfeksionoi si arkivë dixhitale gjithë veprën e Kavafit, e cila ka për qëllim aksesin e lirë të të gjithë lexuesve që dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre. Janë rreth 2000 poezi, dorëshkrime, fotografi, sende personale dhe punime të poetit. Ky riprodhim përfundoi në vitin 2017.
Kavafi ka ndikuar shumë në mënyrën sesi e mendojmë sot poezinë dhe teatrin. Ai kishte një aftësi të pakrahasueshme për të krijuar drama të heshtura në kohën që lulëzonte romantikja. Kjo ndikoi shumë në psikologjinë dhe në ndërgjegjësimin për shumë çështje të kohës. Por heshtja e Kavafit flet më fort se çdo veprim. Ai ishte mjaft i apasionuar pas teatrit, ndjen dhe shijon lashtësinë greke, teatrin si art dhe mënyrën e të menduarit si mënyrë jetese. Në shumë vepra zbulohet me guxim natyra e vërtetë e shërbimit shtetëror dhe e politikës së tij. Sarkazma e tij është therëse, ai nuk i duron dot ata të gjithë, që luajnë një rol të veçantë me shtirjen dhe nevojën e tyre për t’u dukur.
Kavafi lufton dhe demaskon aq bukur hipokrizinë morale, me një gjykim të pjekur dhe modern njëkohësisht, si dhe zhvlerëson kontratat sociale, seksuale dhe politikën e kohës.
Mesazhet e veprave të Kavafit:
Frikën tënde vetëm ti mund ta ushqesh, vetëm ti mund ta shkatërrosh. Djajtë jetojnë brenda teje dhe është vetëm në dorën tënde nëse i lë që të rriten.
Njerëzit që duhet të kesh rreth vetes të jenë të paktë dhe të mirë. Mos u shpërdoro me njerëz që të bëjnë të ndihesh keq, që të zhvlerësojnë, që nuk e duan të mirën tënde, që nuk dinë të japin. Mos u lodh ”brenda reve të botës”.
Ato që nuk thua, ato që nuk jeton, ato që nuk do të pranosh as në ëndrrat e tua; dëshirat dhe instiktet e shtypura… do të vijë një ditë që do të hakmerren. Mos krijo dalje aty ku nuk ka.
Pasion. Eros. Seks. Dashuri. Katër forcat më të mëdha lëvizëse. Shijoji!
Nuk kanë rëndësi ato që jetuam. Më tepër rëndësi kanë ato që nuk kemi jetuar. Dashuritë e paplotësuara, të gjitha ”të duat” që kursyem, trupat imagjinarë që prekëm, buzët që ëndërruam dhe patëm frikë të puthim. Ndoshta ”JO”- të tona na bënë të jemi ata që jemi sot dhe jo ”PO”- të tona.
Çdo gjë fillon dhe mbaron. Por çdo gjë që nuk fillon, nuk mbaron kurrë. Erosi nuk është vetëm ajo që u plotësua, por ajo që kemi dëshiruar. Ndoshta për këtë arsye na gërryejnë dashuritë e paplotësuara. Nuk vdesin sepse nuk arritën të lindnin.
Të pranojmë që diçka vdiq, që bëri ciklin e saj, që nuk është më, që e kemi humbur përgjithmonë… nuk është një çështje e thjeshtë. E vetmja zgjidhje është ta përshëndesësh atë që ikën ”si kurajoz”. Të paktën ”si”, deri sa të bëhesh i tillë.
Kavafi nuk u vlerësua asnjëherë me çmimin NOBEL, por kjo nuk e pengoi veprën e tij të merrte famë botërore. Ai nuk ka lënë asnjë trashëgimi ose akt të tillë ku të mundë të orientojë sesi do të përdoret vepra e tij. Madje në shumë dorëshkrime lexohet….”jo për botim”. Gjithçka kaloi dhe u përpunua në vite, me kujdes nga njëri studiues tek tjetri.
______
Për realizimin e shkrimit u shfytëzuan materiale të botuara në arkivën dixhitale të Institucionit ONASSI, punime nga
Karen Emerin/ Viçente Fernandez GoNzales/ Goda Van Stiv/ Stathis Gurguris/Takis Kajialis/Amalia Papa.