Libri i paskajores-Granit Zela

in Letërsi/Tharm by

Paskajorja bashkëpunon me armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, kërcënon qenien tonë si komb, është kundër pavarësisë tonë kombëtare, helmon gjuhën tonë amtare dhe lufton kundër drejtësisë shoqërore

      Granit Zela

Gjykata Popullore shpalli me bujë dënimin me vdekje të paskajores.

Kjo përkoi me dënimin me vdekje të Pjetër Mëshkallës, dënim i cili qe ndryshe nga të gjitha dënimet që u dhanë për përdoruesit e paskajores pas ndalimit të saj me ligj. Sikurse thuhej në Kodin e Republikës Popullore “Gjykatat popullore janë organet që realizojnë dhënien e drejtësisë”, prandaj dhe ky dënim me vdekje tregoi që “drejtësia vonon por të dënon.”

Dënimi i paskajores ndodhi pas disa dekadash hetimesh nga organet e ruajtjes së rendit publik, dekada gjatë të cilave u bë e qartë si drita e diellit se personat që përdornin paskajoren ishin shumë të rrezikshëm për rendin juridik.

Qysh mbas vendosjes së rendit të ri në vendin tonë u zbuluan shumë armiq në veri të vendit që ia donin jetën e shkurtër regjimit të tyre popullor. Shteti i Ri i bënte përditë thirrje popullit që të ishte vigjilent dhe të mos lejonte që në të folurën e tij të përditshme të depërtonte paskajorja qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Nëse ndokush përdorte paskajoren ai duhej që menjëherë të denoncohej në organet e ruajtjes së Rendit.

Kjo u bë e detyrueshme sidomos pas shpalljes së programit të Qeverisë së Re, ku deklarohej se synimi kryesor i qeverisë në pesëvjeçarin e ardhshëm ishte çrrënjosja e paskajores nga gjuha e të gjithë shtetasve duke pasur objektiv afatmesëm zhdukjen e saj nga gjuha e shkruar brenda pesë vjetëve tek të gjithë shtetasit, pa dallim feje, krahine, ideje, dhe dëbimin e paskajores nga gjuha e folur një herë e përgjithmonë brenda dhjetë vjetësh.
Pas kësaj, në Kodin Themeltar të Republikës u miratua me ligj:“Në vendin tonë përdoruesit e paskajores dënohen me vdekje”.

Gjatë kësaj kohe, në çdo shkollë të vendit u dogjën të gjitha librat e shkruar që përdornin paskajoren, u dënuan me gjyqe të hapur shumë grupe individësh që e përdornin në mënyrë të fshehtë në familjet e tyre, ndërkohë që Shtetit të Ri i betoheshin për besnikëri dhe respektim të zbatimit të ligjshmërisë.

Masat punonjëse u angazhuan në shkrimin e shumë parrullave kudo ku kishte faqe mali, mure ndërtese apo qoftë edhe në lëvore drurësh parrullat e madhërishme si:

Lumi fle, paskajorja nuk fle”,

Mospërdorimi i paskajores është plumb për armikun”,

Ta përdorim gjuhën pa paskajore”,

Lart frymën revolucionare, në luftë kundër paskajores”,

Paskajorja bashkëpunon me armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, kërcënon qenien tonë si komb, është kundër pavarësisë tonë kombëtare, helmon gjuhën tonë amtare dhe lufton kundër drejtësisë shoqërore”.

Nga të gjitha parrullat që u shkruan kudo e kurrdo, shumica e tyre dolën prej fjalimeve të Udhëheqësit të Ndritur. Në një farë mënyre të gjithë paragrafët ku ai përmendte paskajoren u shndërruan në fjali ndriçuese për mendjen e qindra mijëra njerëzve anemabanë vendit tonë.  Sipas Udhëheqësit të Ndritur paskajorja ishte armikja më e egër e Revolucionit të Madh, me përhapjen e ideve paskajoriste (pra, për përdorimin nga populli të paskajores), duke synuar që të përmbysë fatet e popullit tonë për ta nënshtruar për shekuj të tërë robërie.

Prandaj, edhe popullit i kërkohej të ngrihej në këmbë kundër paskajores, në Frontin Paskajore Çlirimtare, dhe të hidhet me armë në dorë në luftën më të madhe të historisë së tij për çlirimin kombëtar dhe shoqëror nga zgjedha e paskajores. Në zjarrin e luftës kundër paskajores, mbi gërmadhat e saj, do të ngrihej një gjuhë e re, gjuhë e cila do të merrte në dorë fatet e saj. Ishte paskajorja ajo që kishte ndikuar në të shkuarën në grabitjen e pasurisë vendit. Tani paskajorja do të shfronësohej duke i hapur udhë kolektivizimit të të gjitha mjeteve të gjuhës shqipe në epokën e re paspaskajores.

U likujdua paskajorja si instrument gjuhësor që i pinte gjakun përcjellores, sundonte me mizori parafjalën, shtypte dhe u jepte dërrmën emrave, mbiemrave, foljeve dhe ndajfoljeve duke i shfrytëzuar ato në shërbim të interesave të saj të errëta. Vetëm me dënimin me vdekje të paskajores pati një çlirim të forcave të gjalla të fjalive të të gjitha llojeve, qofshin ato dëftore, dëftore-thirrmore, dëshirore e nxitëse, fjalive pyetëse, por mbi të gjitha pati një ripërtëritje të dukshme të fjalive pohore dhe mohore, ndërkohë që kurrdoherë që bëhej fjalë për paskajoren mohimi ishte kategorik.

Të gjitha mjetet e gjuhës, pas shuarjes së paskajores një herë e përgjithmonë nga gjuha jonë, treguan epërsinë e tyre të padiskutueshme në të gjitha fushat e shprehjes, në procesin e pandërprerë të revolucionarizimit të gjuhës, duke u kthyer në një forcë të madhe gjuhësore që shkonte drejt emnacipimit të saj të plotë. Në këtë mënyrë u shembën bazat e obskurantizmit gjuhësor të paskajores.
I gjithë ky proces historik kulmoi me ekzekutimin një për një të të gjitha paskajoreve, dënimin e atyre që i përdorën ato pas ndalimit me ligj. Ndër të gjithë të dënuarit e valëve të gjyqeve popullore, internimeve dhe persekutimeve, ishte edhe Pjetër Mëshkalla, një shkrimtar nga Shkodra, i cili menjëherë pas ndalimit të paskajores me ligj u bë memec, dhe nuk tha asnjë fjalë. Organet e pushtetit popullor zbuluan tek kjo heshtje, kjo memecëri, një komplot të rrezikshëm, një lloj kryengritje ndaj regjimit popullor.

Pjetër Mëshkalla ishte një shkrimtar i njohur në qarkun e veriut, por mospranimi i tij për të shkruar dhe për të folur u interpretua si protestë e hapur në mbështetje të paskajores, dhe kësisoj ai u kthye në të dënuarin e parë që u burgos se pse nuk e kishte përdorur paskajoren, ndërkohë që qindra të tjerë qenë dënuar se e kishin përdorur. Dosja hetimore e shkrimtarit Pjetër Mëshkalla u përcoll deri në nivelet më të larta shtetërore.

Ç’ishte ky shkrimtar me heshtje të rrezikshme?

Cili ishte ndikimi i kësaj heshtjeje në shkrimin fshehtas të paskajores dhe fshehjen apo asgjesimin e dorëshkrimeve apo letrave ku ajo përdorej?

Cila ishte lidhja mes heshtjes së këtij shkrimtari dhe përhapjes së krimit politik?

Hetimet vazhduan me një ritëm shumë të dendur ku u përfshinë dhjetëra të njohur dhe të panjohur prej tij, derisa më së fundi u rindërtua krejt ajo që kishte ndodhur me këtë shkrimtar të cilën po e rrëfejmë këtu.

Ishte viti 1976.

Qysh në Janar të atij viti, Pjetër Mëshkalla, shkrimtar i vetmuar (thuhej se kishte një vëlla në një qytet në jug të vendit, një vëlla binjak që ishte edhe ai shkrimtar, por që nuk dinte kurrgjë për ekzistencën e tij) pati shenja të çuditshme që nuk i kishte pasur kurrë më parë’ nisi të fliste si në jerm fjalë që atëherë askush nuk ua kishte vënë veshin, fjalë që tingëllonin të zakonshme por që gjatë hetimit dolën se kishin qenë paskajore.
Pas pyetjes për të disatën herë të të gjithë individëve që kishin pasur të bënin me të, u arrit në përfundimin që në Janar të atij viti, ai përsëriste pa pushim paskajore që fillonin me shkronjën “a”, madje me radhë në secilin muaj .

Çohej si lugat natën duke folur si në jerm, a thuase fliste me njerëz të një bote tjetër apo po thoshte me zë fjalët e një lutjeje të gjatë që nuk mbaronte kurrë ndërsa përsëriste pa pushim si i lojtur paskajore. Pas konfiskimit të dorëshkrimeve të tij u ngrit një Komision i Hulumtimit të Veprimtarisë së Rrezikshme në Gjuhësi, i cili arriti hartoi një listë të paskajoreve që Pjetër Mëshkalla kishte përdorur në dorëshkrimet e tij.

Fakti që dikur Pjetër Mëshkalla kishte qenë prift, bëri që njerëzit të mendonin se ai po thoshte lutje që dikur i thoshte në kishë, ishte një zakon i vjetër që i qe ringjallur ndaj dhe kalonin pa u marrë me të. Të gjitha paskajoret që ai kishte shqiptuar gjatë Janarit u gjetën në një libër me titull “Libri i Paskajoreve”,  të cilin ai e mbante me vete ngado që shkonte por që njerëzit mendonin se qe një libër kishtar që ai harronte dhe e merrte ngado që shkonte edhe pse e dinte fort mirë se kjo nuk lejohej.
Por ai ishte i shkuar në moshë dhe njerëzit i ndihmonte ky fakt që të mos merreshin me të. Mungesa e vigjilencës për këtë jerm gjuhësor, që në të vërtetë sikur vërtetuan edhe dëshmitë e mëvonshme, ishte burimi i një kryengritje të rrezikshmërisë në mbështetje të paskajores, dhe në këtë mënyrë i vinte kazmën pushtetit popullor që kishte dalë nga gryka e pushkës.

Në muajin Shkurt Pjetër Mëshkalla nuk u pa të fliste apo më mirë të thuash të mërmëriste ngado që shkonte si i marrë, kjo ngase shumë më pas u mor vesh që ai pëshpëriste me vete nga një paskajore për cdo germë të alfabetit, si një lloj lutjeje që përcillte një kumt të pakuptueshëm, me të cilin u morën organet e pushtetit. Pas një “kuvendimi” të gjatë në qelitë e atdheut tonë, organet kompetente arritën në përfundimin që i akuzuari kishte përmendë gjatë kësaj kohe më së shumti paskajoret.

Provat që u gjetën në magnetefon rënduan dosjen e Pjetër Mëshkallës. Ato ishin prova të pakundërshtueshme. Zëri i regjistruar, mënyra e shqiptimit gati me adhurim i atyre fjalëve, ishte në kundërshtim të hapur, madje sfidë që i bëhej adhurimit që kishte populli ndaj Udhëheqësit të Ndritur. Si guxonte ai të shprehte një dashuri të tillë që mund të shprehej vetëm për Udhëheqësin tonë legjendar?

Ditën e ekzekutimit të tij publik, Pjetër Mëshkalla u vendos në një turrë librash në sheshin e qytetit. Pak para se zjarri t’u vihej atyre librave, ishte pyetur për fjalën e fundit dhe ai kishte thënë “me dashunue, me dashunue, me dashunue” ndërsa kishte pritur që zjarri i shkronjave, fjalëve, paragrafëve, fjalive, kapitujve, prologëve, dialogëve, monologëve dhe epilogëve, t’ia ngrohte shpirtin për me ia çue mandej në parriz.

Turma brohoriti e gëzueme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top