Kryqi i Hekurt-Heiner Müller

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heiner Müller

Në Prill të vitit 1945, në Stargard të Mecklenburgut, një tregtar letrash vendosi të vriste gruan e vetë, vajzën e tyre katërmbëdhjetëvjeçare dhe veten. Nga klientët kishte dëgjuar për martesën dhe vetëvrasjen e Hitlerit.

Në Luftën e Parë Botërore kishte qenë oficer rezervist, prandaj zotëronte ende një revolver dhe dhjetë fishekë municion.

Kur gruaja erdhi nga kuzhina me darkën e përgatitur, ai po qëndronte tek tryeza dhe po pastronte armën.  Tek jaka e xhaketës kishte varur Kryqin e Hekurt, siç e mbante përndryshe vetëm në ditët e festave.

Fyhreri ka zgjedhur vetëvrasjen, shpjegoi duke iu përgjigjur pyetjes së saj, edhe unë do i qëndroj atij besnik. Po ajo, bashkëshortja e vetë, a është e gatshme ta ndjekë atë edhe në këtë pikë? Për vajzën nuk dyshonte që parapëlqente më shumë një vdekje plot nder nga dora e babait sesa një jetë pa nder.

E thërriti atë e ajo nuk e zhgënjeu.

Pa pritur përgjigjen e gruas, u kërkoi të dyjave t’i vishnin palltot, meqë për të mos bërë bujë do t’i çonte në një vend të përshtatshëm jashtë qytetit. Ato u bindën. Pastaj mbushi revolverin, lejoi që vajza ta ndihmonte të vishte pallton, e kyçi banesën dhe nëpërmjet të çarës e hodhi çelësin në kutinë postare.

Binte shi kur përmes rrugëve të errësuara dolën nga qyteti. Burri përpara, pa u kthyer t’i shihte gratë, të cilat e ndiqnin në distance. I dëgjonte hapat e tyre në asfalt.

Pasi e la rrugën dhe mori shtegun e këmbësorëve për tek pylli me dru ahu, u kthye përgjysmë dhe nisi të nxitojë. Në erën e fortë të natës që frynte mbi rrafshinën e zhveshur nga pemët, hapat e tyre nuk bënin asnjë zhurmë. U bërtiti që të ecnin para. Duke i ndjekur nga pas, nuk e dinte; kishte frikë se ato mund t’ia mbathnin prej tij  apo dëshironte që t’ia mbathte vetë. Nuk zgjati shumë dhe ato ishin shumë përpara. Kur s’mundi t’i shihte më, iu bë e qartë se kishte tepër frikë t’ia mbathte dhe do dëshironte shumë që ta bënin ato këtë gjë. Qëndroi dhe bëri ujët e hollë. Revolverin e mbante në xhepin e pantallonave, e ndjente ftohtësinë përmes stofit së hollë. Kur eci më shpejt për t’i kapur gratë, në çdo hap arma i përplasej tek këmba. Eci më ngadalë. Por kur futi dorën në xhep për ta flakur revolverin, pa gruan e vetë dhe vajzën. Ato po qëndronin në mes të shtegut dhe po e prisnin.

Kishte dashur të mbaronte punë në pyll, por rreziku se të shtënat do dëgjoheshin, nuk ishte këtu më i madh.

Kur e mori revolverin në dorë dhe i hoqi siguresën, gruaja iu hodh në qafë duke qarë me ngashërim. Ishte e rëndë dhe u mundua shumë që ta shqiste nga vetja. Eci drejt vajzës, e cila po e vështronte e ngrirë, ia mbajti revolverin tek tëmthi dhe e tërhoqi këmbëzën me sytë e mbyllur. Shpresoi se shkrepja nuk do bëhej, por e dëgjoi krismën dhe pa sesi vajza u lëkund dhe ra.

Gruaja po dridhej dhe ulëriti. Iu desh ta mbante fort. Veçse pas krismës së tretë heshti.

Ishte vetëm.

Aty s‘ishte askush që ta urdhëronte ta vinte tytën e revolverit në tëmthin e vetë. Të vdekurit nuk e shihnin, askush nuk e shikonte. Shfaqja kishte mbaruar, perdja kishte rënë. Ai mund të ikte dhe ta fshinte grimin.

E futi revolverin në xhep dhe u përkul mbi vajzën e vetë. Pastaj nisi të vraponte.

U kthye me vrap nga shtegu i këmbësorëve deri tek rruga dhe vazhdoi një copë herë përgjatë saj, por jo drejt qytetit, përkundrazi drejt perëndimit. Pastaj u ul në anë të rrugës, shpinën mbështetur tek një pemë dhe duke marrë frymë rëndë mendoi gjatë për situatën e vetë. Arriti në përfundimin se ajo nuk ishte e pashpresë.

Vetëm duhej të vazhdonte të vraponte, gjithmonë drejt perëndimit dhe t’i shmangte vendbanimet e afërta. Diku do mundej pastaj të humbiste, më e mira në një qytet më të madh, me një emër tjetër, një refugjat i panjohur, një njeri i zakonshëm dhe punëdashës.

E flaku revolverin në kanalin e rrugës dhe u çua. Në ecje e sipër iu kujtua se kishte harruar ta flakte Kryqin e Hekurt. E kreu edhe këtë.

Përktheu nga gjermanishtja: Gaqo Karakashi

_____

Shënim: Stargard është një qytezë e vogël në landin Mecklenburg-Vorpommern, jo shumë larg kufirit me Poloninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top