Arlinda Guma
“Vështirësia qëndron në faktin se nuk mjafton të jetosh sipas rregullit. Në të vërtetë, ju ia arrini (nganjëherë gati në çastin e fundit, por në tërësi ia dilni) të jetoni sipas rregullit. Taksat i keni paguar në kohë. Faturat gjithashtu. Ju nuk lëvizni kurrë pa kartën e identitetit (dhe xhepin e vogël special për kartën e identitetit!…) E megjithatë, ju nuk keni miq.”
– Shkëputur nga romani: “Zgjerimi i fushës së luftës” – Michel Houellebecq
Houellebecq-un e kam lexuar për herë të parë në vitin 2007. Ato kohë ishte një shkrimtar krejtësisht i panjohur për Shqipërinë, por edhe tani janë të paktë ata që e lexojnë, dhe nga këta, edhe më të paktë ata që nuk e debatojnë. Për të mos folur pastaj për librashitëset, të cilat, si atëhere dhe tani pulisin sytë të hutuara kur i pyet nëse kanë ndonjë libër të këtij autori.
Ndjesia që filloi të më linte libri qysh në faqet e para ishte ajo e një zymtie të gjithëpushtetshme, si dhe ajo e një mahnitjeje pa rezerva, prej ftohtësisë së mendimit të tij analitik me një saktësi prej matematicieni, një mënyrë fare e pazakontë dhe krejtësisht e ndryshme nga ajo e shkrimtarëve të tjerë.
Bëhej fjalë për romanin “Platforma”, në të cilin flitet edhe për një sulm terrorist, por që nuk është krejt në qendër të romanit.
(Këtë roman vetë shkrimtari, e ka quajtur një dështim).
Ai u botua në Francë, fare pak kohë përpara se të rrëzoheshin Kullat Binjake. Me rrëzimin e tyre, gjithë bota i ktheu sytë nga libri dhe paralajmerimi gati profetik për rreziqet që i kërcënoheshin qytetërimit botëror.
Shpesh e kam pyetur veten nëse do bëhej kaq i dëgjuar ky shkrimtar nëse nuk do të ndodhte rrëzimi i Kullave Binjake… Pyetje, të cilës nuk ia kam gjetur përgjigjen. Por një gjë është e sigurt; mos e lexoni këtë autor nëse jeni në një gjendje depresive! Ai sjell në mënyrë fshikulluese një panoramë që ti nuk e pëlqen, që ti do ta refuzosh me çdo kusht, që të bën t’i thuash vetes me ngulm; – Oh, jo, kurrsesi nuk duhet të jetë kështu!… (Edhe pse të gjithë e dimë mirë që është krejtësisht kështu, por nuk ia pranojmë vetes… Shkrimtarët e tjerë vetëm sa e zbukurojnë këtë panoramë me një mbështjellje pak më optimiste.)
Houellebecq-u është një shkrimtar kontrovers dhe mjaft i debatuar sot në Francë. “Ky djalë ka vërtet nevojë për ‘terapi. Ai është i pashërueshëm.” shkruan diku “Washington Post”.
Kritikët i kanë evidentuar mungesë stili (letrar) e nuk duket se e kanë krejt gabim. Nuk mund të thuash se veprat e tij dallohen shumë letrarisht, por historia në vepër, stili dhe mënyra me të cilën e përcjell ai këtë histori nuk zënë shumë peshë për shkrimtarin, përqendrimi i tij më i madh është vëzhgimi i fenomeneve sociologjike të shoqërisë. Një vështrim kronometrikisht i saktë dhe ftohtësisht i shënjestruar, drejt e në plagë.
E duke qenë i tillë, reagimet kanë përvijuar nga më të egrat e më të pazakontat.
E kanë akuzuar për islamofobi, e kanë akuzuar për nihilizëm, për një mijë e një gjëra të tjera, por, për mirë apo për keq, opinioni publik gjithmonë e ka mbajtur në qendër të vëmendjes.
Kur përpara disa viteve mbarova së lexuari romanin “Brave New World”, të Aldous Huxley-t, pata një ndjesi të çuditshme mospranimi që s’dija ta shpjegoja mirë ato kohë. E menjëherë pas leximit më qëlloi që me këdo që flisja për libra, ta përmendja këtë roman qysh në krye të bisedës, madje edhe ta debatoja, derisa në fund arrita të kuptoja se e kisha pëlqyer tepër, por ashtu, ende nën shokun e befasisë, siç na vijnë në jetë të gjithe tepëritë, nuk kisha qenë në gjendje ta kuptoja menjëherë këtë pëlqesë. Dashuria për librat e pazakontë mund të jetë edhe e tillë… Dhe jo vetëm ajo për librat… Dashuria në përgjithësi si koncept mund të jetë edhe e tillë… Qenia njerëzore është më tepër e koklavitur seç duket.
Vonë, shumë më vonë pas leximit të librit, mësova se Huxley ka qenë edhe një ndër autorët që kanë frymëzuar Houellebecq-un, duke kuptuar njëherazi që këto përshtypje të përbashkëta mbi këta autorë, nuk kishin qenë krejt rastësore. Ata, edhe pse në kohëra të ndryshme, i kishin dhënë dhe marrë njëri-tjetrit.
Si lexuese adhuroj kur, përveç kënaqësisë estetike që një shkrimtar i mirë të përcjell me veprën e tij, ai edhe të trazon, të bën të debatosh heshtazi me vete, edhe atëherë kur shkrimtari mund të ketë kohë që ka vdekur. Aq sa të bën ndonjëherë të duash të shkosh t’i flasësh atje te varri:
– Ngrihu dhe dilu zot atyre që ke shkruar!
I tillë është fati i shkrimtarëve ndonjëherë. E njerëzimi, shpesh, ende tregohet i pamatur e i papjekur që t’ia pranojë vetes faktin që, përveç të tjerash, këtë shkrimtar më e pakta e merr në konsideratë. Me kohë, konsiderata derivon në pëlqesë apo urrejtje, por sidoqoftë mbetet një konsideratë, fjalë jo pak e rëndësishme kjo.
Konsiderata ndaj një autori mund të shfaqet në mënyra krejt të pazakonta. Ajo mund të shfaqet edhe me mospranim, debate, linçime publike, madje edhe djegie librash, të cilat, pavetëdijshëm japin ndihmesë të çmuar në pavdekësinë e një libri.
Në gjykimin tim si lexuese dhe rilexuese e veprës së Houellebecq-ut, një nga arsyet që ky autor kontestohet kaq zhurmshëm duket edhe fakti që ai nuk kujdeset fare të jetë politikisht korrekt me askënd. Ai duket sikur është kundër të gjithëve. Houellebecq-u nuk ka qenë kurrë politikisht korrekt me Islamin, por ca më pak me qytetërimin perëndimor, këtij të fundit ia ka evidentuar pamëshirë të gjithë zvetënimin, absurdin e boshësinë. Në të vërtetë nuk ka ndonjë rregull të shkruar ndokund ku thuhet se një shkrimtar duhet të kujdeset të jetë edhe politikisht korrekt. Përkundrazi, në këndvështrimin tim, gjithmonë subjektiv, shkrimtarët duhen lënë të lirë për të mos qenë asnjëherë politikisht korrektë. Vetëm kështu ata i revolucionarizojnë mendësitë, nxisin impulset, risitë e mendimit, novacionin, nxjerrin në pah këndvështrime të panjohura, të pazakonta, që trazojnë keqas kornizat konformiste të shoqërisë, edhe pse për këtë u duhet të paguajnë haraçe kryekëput të kripura.
Houellebecq-un e kanë akuzuar si islamofobik, por sipas gjykimit tim si lexuese, ai para së gjithash është një “perëndimoro-fobik”. Ai nuk i mban anë perëndimit, madje është fare i pamëshirë me të.
Houellebecq-u nuk mban qëndrime, ai thjesht konstaton, e në konstatimet e tij ai nuk bën kurrë kompromise. Ai satirizon, ironizon me mënyrën e tij të pazakontë, therëse, logjikëftohtë, asgjësuese…
Në romanin “Platforma”, gjuha e tij e ashpër ndaj përshkrimit të turizmit seksual të europianëve që kërkojnë ekzotizmin në Tailandë, nuk është asnjëherë politikisht korrekte.
“Le Monde Des Livres” e ka quajtur romanin “Platforma” një revolucion intim. Michel-i, një nëpunës i administratës shtetërore franceze (ka gjithmonë një Michel hipotetik; një nëpunës depresiv në romanet e tij…) vendos të bëjë një udhëtim të zakonshëm pushimesh në Tailandë pas një reklame agresive të një agjencie turistike mbi vendin në fjalë. Në këtë butafori ai do të gjendet herë spektator e herë aktor. Një nëpunës i pamotivuar, i cili do të ndryshojë kur do të bjerë në krahët e një dashurie që do ta shtyjë në zemër të këtij qerthulli, kësaj platforme.
Kur bisedoja përpara disa kohësh mbi këtë autor, me një ish-kolegen time franceze, bashkëkombase të shkrimtarit, ajo u shpreh me mjaft rezerva. I cilësoi librat e tij si “deprimues”. – Sa më pak ta lexosh, aq më mirë, – shtoi pastaj ajo. Ajo theksoi gjithashtu se Houellebecq-u, përveç konstatimeve të hidhura mbi realitetin, nuk di të japë ndonjë zgjidhje në veprat e tij, por unë mendoj se detyra e një shkrimtari nuk është të japë zgjidhje, shkrimtari nuk është një nëpunës apo menazher shtetëror.
Më duhet të theksoj se nuk kam ndeshur askund, në asnjë shkrimtar tjetër, një mprehtësi e qartësi vështrimi kaq saktë të shënjestruar. Ndoshta ky është edhe fataliteti i tij. Aftësia për të parë qartë absurdin e ekzistencës. E si rrjedhojë, ai nuk iu gjen kurrfarë arsye personazheve të tij për të qenë të lumtur, edhe pse në ndonjë intervistë çuditërisht është shprehur se beson tek lumturia. Ai nuk u gjen kurrfarë arsye personazheve të tij për të parë përreth vetes me entuziazëm. Entuziazmi duhet të jetë fjala më e huaj e të gjithë veprës së tij. (Në veprën e tij ka entuziazëm vetëm atëherë kur i duhet të bëjë ndonjë konstatim therës).
Në romanin “Zgjerimi i fushës së luftës” (një shtjellim i përvijimtë i luftës së klasave të Marksit, por vendosur në një sfond të ndryshëm social) ai vizaton ftohtë se në ç’përbindësh mund ta shndërrojë individin mungesa e dashurisë.
Janë të njohura tashmë thëniet e tij legjendare, tejet sarkastike, mbi bestseller-ë si; “Kodi i Da Vinçit”, mbi aktorë të sheqerosur të Hollywood-it, ndërsa ka një simpati jo fare të padukshme për Agatha Christie-n dhe në përgjithësi për botën anglosaksone, e cila e ka pritur më mirë se Franca veprën e tij.
Ndoshta unë jam e vetmja lexuese e tij në rruzull që mendoj se fobitë më të mëdha të këtij shkrimtari vijnë prej kotnisë dhe demotivimit të njeriut perëndimor, sesa prej Islamit, por kjo mbetet për t’u parë nëpër analiza të tjera që do vazhdojnë t’i bëhen pafund veprës së tij si dhe nëpër intervistat e tij tipike, tejet kontradiktore, që vazhdon të japë aty-këtu nëpër media.
Deri atëherë lexues, të sugjeroj ta lexosh këtë autor. E di që gjatë leximit do shtrëngosh grushtat e do zemërohesh keq me të. Do të duash ta kesh para syve, t’ia fusësh me shpullë e pastaj ta ulësh me forcë përballë teje e të fillosh t’i mbushësh mendjen që jeta nuk është kryekëput ashtu… aq e pabukur; nuk mundet, nuk duhet të jetë aq e kotë!…
Por në fund, një gjë do jetë e sigurt patjetër; në çdo bisedë të mëpasme, ti do të ndiesh nevojën ta citosh (natyrisht duke i bërë të qartë bashkëbiseduesit që je krejtësisht në oponencë me mendimin e autorit të citimit…)
Houellebecq-u, ashtu siç te të gjithë ne, do ta ketë bërë ndërkohë tek ty efektin e tij kontrovers…
Botuar në vitin 2014.
________
Arlinda Guma është autore e romaneve:”Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016 dhe “Bob Legjenda”, 2021. Autore e faqes defekt-teknik.com.