Disa vlerësime për romanin “Epistolari i Zaratës” të autorit Luan Rama

in Letërsi by

Nick Walker, botues, kritik, për versionin anglisht:

«Jam shumë kureshtar ndaj shkrimit të këtij libri. Duket që është një letërsi e një cilësie të lartë dhe e punuar me shumë përkujdesje në të gjitha aspektet. Eshtë po aq tërheqëse për mua dhe mendoj ndërkohë se asnjë shkrimtar anglez apo australian do mund të shkruante në këtë mënyrë, duke bërë aluzion për një autor klasik dhe duke evokuar në mëyrë kaq të efekshme dhe padyshim në shijen e një shkrimtari si Koestler apo Kafka (Milton apo Blake veçanërisht para disa shekujsh), Craven dhe Philip Adams.”

——-

Elisabeth Wade:

«Epistolari i Zaratës» i autorit Luan Rama

“Koha që ka ikur dhe trashëgima e saj që rivjen plot emocion janë të vetmet gjëra në dispozicion të Frederik Çobës kur ai i shkruan Brunës. Atëherë letra ishte e mangët dhe e vetmja dritë ishte ajo në një urë të ndezur pishe. Ushqimi ishte i pakët dhe mbijetesa e vështirë. Shenjtët në muret e manastirit vështronin, por s’mund të bënin asgjë për t’i ndihmuar. Morali mbahej aq sa mundej dhe ndonjëherë binte nga vuajtjet ç’njerëzore të trupit dhe të shpirtit. «Letrat janë diçka që i përkasin të kaluarës» thonë disa. Lumturisht unë njoh njerëz që shkruajnë ende letra, edhe pse koha është e ngarkuar dhe e mbyllur jo nga gardianët e burgut, por nga jeta plot shqetësime. Unë kam letra që i ruaj në kutitë e mia prej kartoni dhe sa herë ndryshoj shtëpi i shoh tek më presin, pasi secila prej tyre është një dëshmi e një ngjarjeje apo një personi gjatë një periudhe të jetës time. Letrat nuk kanë kuptim vetëm kur ato i shkruajmë. Gjatë viteve të rinisë miqve të mi në Melburn u shkruaja faqe të shumta, ku flisja për gjendjen time, ndjesitë e fshehta, apo engimat. Ju i shkruani këto pasi jini të sigurt për publikun tuaj, duke e ditur që ai ka kohë t’iu dëgjojë dhe se pret që dhe ai të thotë diçka. Letrat bëjnë pjesë si një formë shkrimi, letërsie.

I tërhequr jashtë mase nga mërgimi i Dantes dhe eksperienca së tij në ferr, në të njëjtën kohë Fredi ishte i ndriçuar nga drita e “Beatriçes” së tij, Brunës. Ёndrra dhe zhgjëndra, drita dhe errësira, realiteti brutal dhe irreal, kujtesa dhe trallisja mendore, humbja graduale e shpresës dhe fluturimi i imagjinatës, e kanë damkosur jetën e këtij ishulli të humbur ku ai dhe shokët e tij të burgosur politikë shqiptarë ishin të dënuar. Dhe letrat ndoshta kurrë s’mund të shkonin në destinacion.

Ky libër është një vështrim unikal, tronditës dhe prekës mbi jetën intime të një njeriu të pasionuar dhe të dashur të një mësuesi, të cilit i mungon familja dhe që shqetësohet për nxënësit e tij e që njëkohësisht ai do t’u lërë trashëgimi përkthimin e Dantes të gjithë atyre që e duan lirinë.

Dhe këtë mund ta bënte vetëm me “Ferrin”, ku reflektohet gjendja e mjerueshme e këtyre njerëzve dhe shpresa se një ditë këto rrathë ferri do të kapërcehen. Edhe njëherë falenderoj Miranda Xhilagën për privilegjin që më dha për ta rishikuar tekstin e kësaj vepre të letërsisë shqiptare dhe shpresoj të kemi bërë atë që duhej ndaj punës së shkrimtarit Luan Rama, i cili synoi t’ia paraqiste “Epistolarin e Zaratës” botës anglofone. Letrat bëjnë pjesë gjithnjë në jetën time dhe shpresoj që këto letra politike do ta pasurojnë jetën e lexuesve, siç ndodh në Europë.”

—-

Bruno Pinchard – president i “Shoqatës franceze te studimeve mbi Dante Aligheri» dhe dekan i Fakultetit te Filozofisë së Universitetit të Lyon.

“Nuk mund ta lexoja këtë libër kaq elegant dhe njëkohësisht tragjik dhe të rëndë pa ndjerë shtrëngimin e ankthit që përshkruhet gjatë gjithë këtij libri. E di se në ç’pikë shkruhet e vërteta dhe me çfarë çmimi. Në këtë libër ekziston një “danteologji” apo një “danteofoni” çka të lejon të afrohesh fare pranë dhimbjes dhe padrejtësisë, ku njerëzit gjoja “të ndriçuar” u bëjnë të pësojnë të ngjashmëve të tyre. Dashuria e Brunës dhe e Beatriçes si paralel, vetëm ato janë të afta ta sfidojnë këtë mister dramatik, të treguar me thjeshtësi, çka përbën forcën e këtij shkrimtari….”

—–

Luc Vidal, botues, poet. (Rreth botimit francez të “Epistolarit të Zaratës” në shtëpinë botuese “Le Petit Véhicule”)

“Këtu mbaron epistolari i të burgosurit Frederik Çobaj”… Ja pra si mbaron libri yt i ndjeshëm dhe prekës në lidhje më të burgosurit politikë të ishullit të Zaratës. Një libër politik? A është e saktë kjo fjalë? Jo, nuk e besoj. Diktatura e tmerrshme shqiptare e Enver Hoxhës, e cilësuar si Republika Popullore Socialiste, ishte një nga më të izoluarat dhe më vrasëse. Që nga viti 1980, ndryshimet në bllokun e Lindjes u mundësuan nga Mihail Gorbaçov dhe Shqipëria ashtu-kështu ndiqte rrjedhën e saj. Kur një diktaturë dhe diktatori burgos burrat dhe gratë me shkaqe të rëndomta, atëherë pyesim veten se si në emër të ideve që duan të çlirojnë njeriun nga prangat, të cilët kërkojnë pak zemër dhe dashuri, arrijnë pa turp që ta skllavërojnë njeriun dhe të vrasin çdo arritje. Qëllimi i tyre është padyshim të përjetojnë një urrejtje të jashtëzakonshme për tjetrin dhe gjithçka ta bëjnë për të qenë në piedestal. Kështu është krijuar Narcisi në pjesën e tij të hijes. Kam botuar librin tënd “Udha e gjatë në tunelin e Platonit – fati i artistit në çensure, 1945-1990” (Çmimi Europian i Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge). Ky libër thotë gjithçka për këtë gjendje tragjike, si një plagë që u është bërë këtyre burrave dhe grave. Është fati i keq i artistëve në vendin tënd, Shqipëri, që ti e denoncon me forcë dhe me një ndershmëri intelektuale, spikatëse, çka është integruar në refleksionet e tua politike e poetike. Kjo dashuri tek ty është sinonim i dashurisë së lirisë. Unë e di që ti je një poet. Libri yt “Territoret e shpirtit”, që kam botuar, dëshmon për lirizmin tënd të vërtetë dhe veç të tjerash dashurinë tënde për poezinë. Paul Eluard ka qenë padyshim një ndihmesë e madhe për ty në shkrimet dhe ndërgjegjësimet e para. Poet, kineast, ti je ngjizur shpirt e trup në këtë dramë të jashtëzakonshme. “Epistolari i Zaratës” që sapo ke shkruar na shfaq kompleksitetin e kësaj historie të madhe, e historisë personale të njerëzve dhe të historisë së artit. Thashë se ke kompozuar, sepse për mua, në këtë rast kjo është më shumë se sa të shkruash. Dhe gjithçka tingëllon harmonike dhe tragjike në librin tënd. Ai bashkëbisedim që ti vendos në letrat e Çobës për Brunën, dashurinë e tij, është shumë e thellë, prekëse dhe vibruese. Ajo çka krijon lirizmin tënd dhe interesin e këtij libri është krijimi i asaj ehoje në greminën e dramës së ferrit të përjetuar nga Çoba dhe shokët e tij, si dhe forca e veprës së Dante Aligherit me citimet e zgjedhura që balisent zhvillimin e shkrimit tënd. Për më tepër që Çoba, gjatë kohës që mbahet i burgosur, përkthen këtë vepër të jashtëzakonshme. Duke lexuar tekstin tënd kemi ndjesinë se gjithçka vazhdon njëlloj dhe asgjë nuk ndryshon.

“Njerëzit kanë fytyrat e Neronit, Antigonës, Kasandrës, Çirçes, të Edipit, Herakliut dhe të Menelas… Të njëjta tragjedi, veç dekori ndryshon!” – thekson ti. Ishulli i Zaratës ka shijen bashkëkohore të një zhytjeje drejt ferrit ashtu siç imagjinohej në mitologjinë greke. Lundërtari, ashtu si Koron, pra Rrapushi, është aty për të na e kujtuar këtë figurë mitologjike. Ndoshta në zemrën e përkthyesit që dashuron Brunën, ashtu si Dante Beatriçen, ky ishull i Zaratës, kur gjithçka të përfundojë, do të bëhet ajo parajsë e thjeshtë për të cilën ti flet. Nuk po evokoj jetën e të burgosurve që aq shumë ti e ke ndjerë dhe e përcjell në librin tënd, po ashtu për praninë e Popit, priftit, që gati çmendet, apo atij gardiani kampi, roja mizor Cerbère, duke vërtetuar ditë pas dite se idiotësia njerëzore dhe burokratike mund të sundojë si një Zot. Përshkrimet e natyrës, zhurma e detit që të burgosurit veçse mund ta imagjinojnë, prania e klithmës së zogjve, realiteti i afreskeve, zhurma e një avioni sipër supeve të tyre dhe kështjella, ditët e hetimit dhe pyetjet në qelitë e Tiranës e gjer tek vdekja e qenit Guli, tregojnë artin tënd të evokimit dhe përshkrimin të saktë përmes fakteve të jetës së përditshme të këtyre njerëzve në atë “noman’s land” të atij ferri. Komentet mbi Danten dhe Firencen të mpleksura me mbijetesën e të burgosurve dhe nevoja e ëndërrimit tek Çoba e bëjnë akoma më bindës artin tënd romanesk. “Por Dante nuk kishte mundur ta imagjinonte një apokalips të tillë”, shkruan ti me fjalët në gojën e Fredit. Beatriçe për Danten ishte ylli i mëngjesit. Ashtu dhe Bruna, ajo e heroit tënd gjer në fundin e tij të tmerrshëm dhe zhdukjen e tij, kohë kur ai sapo kishte mbaruar përkthimin e veprës, e që shënonte fundin e tij. Më së fundi, pikërisht atëherë Bruna kishte mundur të merrte një leje për të takuar të dashurin e saj. Por tepër vonë. Tregimi yt rrjedh bukur me një histori që të bën të drithërohesh. Ёshtë një afresk i gjallë, realist dhe i thellë. Gjithçka është trallisës tek Dante, shkruan ti duke menduar botën e përkthyesit. Tregimi yt e tregon këtë trallisje që shpreh vepra e Botiçelit që i bashkëngjitet këtij libri. Kështu tregohet solidaritetit vëllazëror që lind mes njerëzve të kthyer në hije. “Miqësia e tyre nuk mund të thyhet nga ideologjia”, nënvizon ti. Ajo që përjeton Çoba dhe shokët e tij të pafat, është prova e gjallë e analogjive me botën që shkruan Dante. Ёshtë një dashuri e madhe që nga “Komedia Hynore” shfaqet në veprën tënde. 13 letra insignes kompozojnë veprën tënde. Trembëdhjetë letra të forta dhe transparente që perforcojnë idenë e mbrojtjes së lumturisë me gjithë tragjeditë e çastit dhe që akoma janë aktuale e të mundshme në kujtesën tonë të qartë dhe vëllazërore. Ne nuk i gëlltisim më bollat që i këndojnë një bote më të mirë, horizonti i së cilës është i prangosur nga mustaqet e babait të popujve, Stalinit. Ne kemi nevojë për “anijen e dehur” të poetit Rimbaud. Kemi nevojë për ëndrrën “uliksiane” të Frederik Çobës, vëllait tonë të harmonisë në poezi dhe të asaj fluture që ndalet dhe ulet në supin e tij, sikur të vendoset mbi supet tanë. Në pasthënien tënde ti tregon se si lindi në shpirtin tënd dhe në zemrën tënde “Epistolari i Zaratës”. I them vetes se tani që ti pëlqen aq shumë “Komedinë Hyjonore” mund të duam dhe këngët e Bitëlls-ave. Frederik Çoba është ulur aty buzë detit. E shoh kështu të ulur duke medituar mbi trishtimin dhe gjendjen e tij, me pëshpërimat e një të ardhmeje më të mirë për dashurinë e tij Bruna, Beatriçen e rigjetur. Ky vizion më bën të mendoj për librin “Zero dhe Infinit” të Arthur Koesler dhe epilogun e hapësirave të lirisë ku deti blu i ofrohej atij që donin ta mbyllnin në sferën burokratike. “Njeri i lirë, ti do ta gëzosh gjithnjë detin”, këndonte Baudelaire. Ti më shkruaje kohët e fundit një letër mbi bindjen tënde se duhej besuar në profecinë e poezisë për të ardhmen tonë në udhët e të bukurës. Më shkruaje në mënyrën e një Rimbaud-je apo të një poeti shqiptar, Migjeni. “Respublica littéraria” që ti uron të krijohet një ditë në Shqipëri, shpresoj ta shoh të shfaqet në këtë Francë që ne duam. Në shkrimin tënd letrar dhe poezinë tënde, është dhe prania e atij gushkuqi, fjalë dhe fraza mbi bukurinë e për pelikanë të bardhë në Zarata. Atëherë, ne duhet t’i shtrëngojmë gjatë duart tona dhe të presim me durim lindjen e kësaj dite.

—–

Luan Rama

Përsëri një e papritur. Dje mbërriti me postë nga shtëpia botuese ARCADIA dhe «Australian Schorlarly Publishing Ltd.” libri im më i ri i botuar në anglisht «Zaratha’s Epistolary», i cili është botuar tashmë në shqip dhe në frëngjisht. Ishte Miranda Shehu Xhilaga ajo që e bëri të mundur këtë botim përmes përkthimit të mrekullueshëm të saj, çka u vlerësua dhe nga dy publicistet: Elisabeth Wade dhe Diane Carlyle.

“Faleminderit Miranda. Ishte një eksperiencë e bukur çka do të mbetet e paharruar për mua në punën time krijuese. E imagjinoj dhe e di mirë se sa kohë, përkushtim dhe punë krijuese kërkon përkthimi i një libri në një gjuhë tjetër. Jo më kot përkthyesit i kanë cilësuar “mesazherë-krijues”. Apulée do të të përshëndeste gjithashtu!

PASTHËNIE-Epistolari-E vërteta historike dhe krijimi artistik/Luan Rama

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top