I martuar, pa nuse, krenar!-Granit Zela

in Letërsi/Tharm by

Granit Zela

E pra, mua më ndodhi. Mosha po më ikte. Kishte kohë që i kisha kaluar të tridhjetat ndaj duhej të martohesha. Nuk është puna se tridhjetë e pesë isha vonë, por varet me kë krahasohesh. Po të krahasohesha me shokët e universitetit tani kishin nga dy a tre kalamaj. Po të krahasohesha me bashkëmoshtarët e mi këtu në Boston, kjo s’ishte fare problem, jeta familjare mund të fillonte dyzet vjeç, madje jeta është thjesht jetë, ndjehesh mirë, you’re ok buddy, mjafton.

Po këtu në Boston nuk ke vajza për shtëpi, siç i duam ne, një nuse ta lësh në shtëpi të kujdeset për fëmijët, për prindërit, dhe të të gatuajë, që kur të vish në darkë i lodhur nga puna të të buzëqeshë, të thotë fjalë të ngrohta, darkën ta gjesh shtruar si për mbret. Po edhe vajza shqiptare në Boston, jo se nuk kishte, por asnjëra nuk është për mua. Më pëlqente Ajdela, por ajo ishte më e madhe në moshë, nja dhjetë vjet më e madhe, dhe unë e kisha më shumë si motër. Ka për të ta gjetë lali një nuse, thoshte ajo, siç e meriton ti, dhe pastaj kur merrte me radhë vajzat që ajo njihte në Boston thoshte se asnjëra nuk ishte për mua. Ato që njoh unë thoshte lali, janë ca si kurva o Ben, s’janë për ty, se ti je çun shumë i urtë, flori djalë je. Ca të tjera e varin shumë lart shoku, do të marrin të gjitha paratë që ke fituar këto dhjetë vjet në Boston. Duhet me pa andej nga Shqipëria po gjete, po edhe ato janë mall pa garanci.

Atë verë, ika për nja dy javë në Shqipëri, tek familja në qytezën e Medetit sepse do të martohej djali i dajës në fshat dhe nuk doja ta humbja një rast për të parë mundësinë për ndonjë vajzë me të cilën do të martohesha. Shih në Shqipëri, më porositi në aeroport lali, se të gjitha vajzat e kanë ëndërr të vijnë në Amerikë, por sigurohu të mos jenë kurva dhe të mos e varin shumë lart, se t’i marrin të gjitha lekët që ke fituar këto dhjetë vjet në Boston, shtoi gjithë keqardhje ajo, sikur kjo tashmë të kishte ndodhur dhe unë të isha pa asnjë kacidhe në xhep.

Në dasmën e djalit të dajës bëra shumë mirë që shkova se të gjithë merreshin me mua: O Ben si po të ecën jeta andej në Amerikë? O Ben sa lekë do t’i japësh shokut se duhet të kesh fitu shumë atje në Amerikë? O Ben, të ta jap për nuse vajzën e në shokut tim, është shok shumë i mirë.

Bravo Ben, thashë me vete, këtu do të gjesh nuse se s’bën, kur në këto muhabete e sipër djali i dajës më prezanton me Helenën, “një gocë e civilizuar” tha ai, normalisht duke i ngatërruar rrokjet duke e shqiptuar “e cilivizuar”, por ai ma la përballë e vetë u largua sikur po thoshte “unë ta prura, tani jepi vetë drejtim pra!” ndërkohë që Helena tha se kishte dashur të më takonte dhe kishte kaq kohë që kishte menduar për mua…

Helena, ishte një gocë simpatike, po shumë simpatike doja të thoja, se dukej që tregonte shumë kujdes për pamjen e jashtme. E hollë dhe e gjatë, më flokë kaçurrela, ajo tha se ishte poete dhe e kishte ëndërr të jetonte në Amerikë. Atje është dashuria ime, tha e ajo e kapur nga frymëzimi, dhe më pëlqeu Helena me thënë të drejtën, vetëm se ideja që ajo mund të ishte nusja ime nuk është se më erdhi aty për aty në mendje.

– Do të jem e lumtur në Amerikë, tha ajo. – Jam e bindur për këtë. Dhe këto fjalë ma ngrohën zemrën. Helena kishte lexuar shumë libra, dhe në bisedë ishte e e këndshme, duhet ta pranoj. Mua më çuditi se ajo dinte shumë për jetën në Amerikë, për procedurat e nxjerrjes së letrave, për kulturën amerikane, dinte disa detaje që me thënë të drejtën as unë nuk i kisha vërë re dhe ja Helena tha se donte të pinim një kafe së bashku pas dasmës që të flisnin gjerë e gjatë për Amerikën dhe jetën atje.

Po të mos kisha emigruar në Amerikë para dhjetë vjetësh me llotari amerikane unë kurrë nuk do të kisha pasur vëmendjen e një goce yll si Helena, por jeta është bujare, je i papunë në Tiranë, të del llotaria amerikane, e fillon me punë të rëndomta, gjen një punë të mirë në një hotel në Boston, dhe ja, kthehesh në Shqipëri e të del para Helena, e cila nuk do të shqitet për asnjë minutë.

Edhe kur mbaroi dasma dhe ika të fle në shtëpi, Helena më mori në telefon gjithë frikë se mos kam ikur në Amerikë, por unë e sigurova që jo, dhe ajo, duke iu marrë fryma dhe se donte të iknim bashkë sepse… sepse… dhe unë dëgjoja frymëmarrjen e saj të shpeshtë dhe mund të imagjinoja se si i ngrihej e ulej gjoksi… unë jam e dashuruar tha ajo, me një lloj ngashërime.

Unë tani kam njëfarë moshe dhe nuk para më bëjnë përshtypje fjalët për dashurinë por kur ato I tha Helena, m’u ngulën në tru. “Jam e dashuruar”, “Jam e dashuruar”- jehonin fjalët e saj në dhomën time, dilnin në korridor dhe pastaj jashtë mbushnin qytezën e humbur të Medetit. Fjalët e saj më prekën e më shtangën edhe mua. Kishte një ngrohtësi në zërin e saj, një loj afshi, malli, padurimi, dhe vetë Helena ishte një lloj vullkani që po bëhej gati të shpërthente.

Kur e takova, më pa një lloj vështrimi që ngjante me një shigjetë që mu ngul në gjoks. Nuk duroj dot më, – tha ajo. – Na i bëj gati letrat dhe martohemi. Ti je shpresa ime e vetme. Sa më shpejt, të lutem, sepse po vdes nga dashuria. Do të të jem mirënjohëse për gjithë jetën…

Në raste të tilla, edhe pritshmëria e fisit dhe shoqërisë është që djali ia bën letrat dhe e merr vajzën me të cilën martohet në vendin ku ka emigruar dhe nuk është se presin ndonjë dasëm prej teje. Helena i kishte marrë prindërit e saj, pleq të dalë në pension, i ati kishte qenë mësues, kurse e ëma infermiere. Ata kishin thënë se vajza ua kishte kërkuar ta shoqëronin, por ndenjën të heshtur gjatë gjithë kohës, kurse Helena foli pa pushim, madje prindërit e mi më thanë se dukej shumë euforike e mezi po priste të vinte në Amerikë, të bashkohej me mua.

Gjatë kohës që  merresha me letrat, Helena më telefononte shumë shpesh, dhe më fliste për jetën në Amerikë, ku ajo e shihte të ardhmen e saj. Ma kishte hequr këtë pjesën e integrimit në një kulturë tjetër se ajo dukej e mirëpërgatitur dhe kur pas disa muajsh i thashë se ia kisha prerë biletën ajo shpërtheu në lot. – Mezi e kam pritur këtë ditë, – tha ajo duke qarë. – Beni…kur të vij në Boston dua që natën e parë të martesës ta kaloj në Nju Jork. Aty kam… një surprizë për ty zemër, më tha ajo duke qarë.

Helena ishte shumë e ndjeshme, e nuk e ndërpreva, por kur nuk po qante më i shpjegova për itinerarin e udhëtimit. Ajo më tha se ishte shumë e lumtur dhe në ditët e mëpasme prisja gjithë ankth ardhjen e saj në Boston. Ajo ishte poete dhe sigurisht kur u takuam e mirëkuptova dëshirën e saj të papërmbajtshme për të shkuar direkt e në Nju Jork ku duhej ta nisnim jetën tonë. Vetëm atje tha ajo, vetëm në atë qytet…

I hipëm avionit e direkt në Nju Jork, drejt vendit që ajo kishte më shumë për zemër. Më tregoi një adresë, ishte adresa e një parku në Nju Jork, por nuk  e pata të vështirë për ta gjetur dhe ja ku ishim tek parku që ajo kishte ëndërruar të niste jetën e saj të re. Helena ishte shumë e gëzuar, kraharori i sa gufonte, sytë e saj shkrepëtinin, trupi sikur i drithëronte.

Kur ishim në park, ajo u shkëput prej meje e rendi me hov përpara dhe unë dallova për së largu një djalosh më të ri se unë, një flokëkaçurrels si Helena, trupmbushur dhe, le të themi simpatik si ajo, se normal, një familje ishin, dhe i kishte bërë një nënë. Helena më kishte thënë se kishte një vëlla më të vogël se veten, por që unë s’e kisha takuar dot sepse ai kishte qenë në Itali për disa vjet dhe ja ai paska ardhur në Amerikë dhe Helena s’ma kishte thënë këtë duke ma lanë surprizë…

Ja e pashë Helenën ta përqafojë të vëllanë, e përqafoi aq shumë sa të dy mbetën për disa kohë ashtu përqafuar, dhe unë u ndjeva krenar që e bëra Helenën të lumtur, por edhe i vëllai ishte shumë i emocionuar. E shtrëngonte fort dhe shihte nga unë gjithë mirënjohje. Ai është…e pyeti Helenën duke parë nga unë ndërsa ajo nisi ta puth gjithë dashuri dhe mall.

– Më ka marrë shuuumë malli, – i thoshte Helena, shumë shumë, – dhe pastaj ia nisi të qarës. Helena e puthte të vëllanë dhe qante dhe mua më erdhi keq që lotët po rridhnin në sytë e saj, nëpër atë fytyrë të bukur si të Helenës së Trojës, sepse duhej ta pranoja, në fillim nuk kisha ndjerë ndonjë gjë për Helenën edhe pse ishte aq e bukur, por më pas, kisha nisur të bija në dashuri me të dhe tani më dukej e pabesueshme që ajo do të ishte nusja ime, që do të flija në një shtrat me të…

Por ajo ishte shumë emocionale, dhe më pas nuk e kuptova shumë se çfarë po thoshte. – Ikim shpirt, ikim tani, i thoshte ajo të vëllait, – ndërkohë që pastaj sikur u kujtua për diçka dhe u shkëput prej tij dhe erdhi tek unë. Duke më parë në sy, Helena tha fjalët më të mira që kishte thënë ndonjëherë për një burrë, përveç Amarildos, dhe më ishte shumë mirënjohëse për ditët që kishte kaluar me mua. Helena më tha se Amarildo nuk ishte i vëllai por i dashuri…. dhe hapu o dhé të futem! Gati sa nuk bërtita, por ndërkohë  ajo më shpjegonte se gjithçka e kishte bërë që të bashkohej me të dashurin në Nju Jork dhe nuk do të ma harronin kurrë këtë të mirë që u kisha bërë, madje kurrdo që të kisha nevojë dera ishte e hapur për mua…

Mua më rrotullohej Nju Jorku me një shpejtësi që vetëm shtohej dhe në kokë më jehonte porosia e lalit që nusja që do të gjeja duhej të mos ishte kurvë dhe të mos e varte shumë lart. Por Helena nuk ishte asnjëra nga këto. Helena ishte e dashuruar me Amarildon dhe normalisht një vajzë e dashuruar bën gjithçka për dashurinë e saj, do ta justifikoja më pas Helenën para lalit. Lali më ngushëlloi duke më thënë se të paktën lekët s’m’i kishte prekur dhe unë nuk isha pa asnjë kacidhe në xhep në mes të Nju Jorkut pas dhjetë vjetësh pune si emigrant. Dhe kishte të drejtë, vërtet s’kisha nuse, por ama asnjë kacidhe nga lekët e fituara nuk më ishte prekur. Dhe isha krenar për këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top