Diktaturat jetёgjatёsohen nga njerёzit pa humor

in Tirana Review by

Arlinda Guma

Romanin “Tre vetë në një barkë“ (Pa përmendur qenin), e kam kërkuar në çdo librari. Përgjigjia ishte e njëjtë:

-Nuk e kemi!

(Qenka e shkruar që unë të flas për libra që nuk gjenden në asnjë librari.)

Pastaj erdhi një dite e zakonshme dhe e gjeta te njё bukinist nё rrugёn e Elbasanit. Vetёm njerёzit qё i duan librat do ta kuptonin se ç’ndjeva kur e pashё atje tё dergjej nё rrugё mes pluhurit.

Viti i botimit 2007. Shtёpia Botuese “Bargjini”.

Botimi nuk ёshtё luksoz, pёrmbajtja po. Pёrkthimi gjithё jetё nga Amik Kasurohu.

(Edhe librin tjetёr tё autorit; “Tre vetё me biçikleta“, e kam gjetur te njё bukinist nё Rrugёn e Kavajёs. Siç duket Jerome preferon vendet e hapura, nё vend tё rafteve pa jetё tё librarive dhe librarёve, tё cilёt shpesh nuk  dinë ç’libra kanё.)

”Tre vetё nё njё barkë“ ёshtё nga klasikёt e letёrsisё. Njё nga veprat mё të mira komike të letërsise angleze.  Aksidentale gjithashtu. Sepse siç shpjegon autori, kur filloi ta shkruante, nuk kishte ndër mend tё shkruante një libër komik.

Humori në letërsi nuk ka marre asnjëherë vendin që meriton. Si të thuash, nuk është marrë seriozisht. Por humori në këtë libër është i klasit të parë.

Subjekti: Tre shokë, të lodhur nga puna ″e madhe″, vendosin tё bёjnё njё udhëtim me barkë. Dhe kalojnë aq mirë në këtë udhëtim, sa në fund kthehen me tren në shtëpi.(!)

Jerome sajon edhe me gjërat më të rëndomta, situata të këndshme, komike, me një humor që gurgullon.

Është renditur nga “The Guardian” ndёr 100 librat mё tё mirё.

Ka shume pak libra komikё serioze qё u rezistojnё tё gjitha kohёrave. “Tre vetё nё njё barkё“ ёshtё njё prej tyre.

Jerome e shkroi kёtё libёr kur u kthye prej muajit tё mjaltit, vetёm se personazhin e gruas, nё libёr e zёvendёsoi me njё personazh tjetёr. Kёshtu i evitoi romantizmat.

Libri u shit nё miliona kopje, gjё qe i mundёsoi autorit tё kishte komoditetin financiar tё merrej vetёm me letёrsi. Pak shkrimtarё në botë e kanё këtë mundësi.

Gjatë kohës së diktaturës, ky libër është përkthyer edhe në shqip, me disa censurime të kohës. Dhe çuditërisht atëherë është kategorizuar si libër për fëmijë. Nuk i është dhënë pesha e duhur. Diktaturat zakonisht jetëgjatësohen prej njerëzve pa humor.

Libri u piratua nga botuesit amerikanë, ndërsa në Britani Arrowsmith-i (botuesi të cilit Jerome i shiti të drejtat e librit), i tha një mikut të tij:

– Nuk kuptoj se ç‘bëhet me gjithë ato kopje që shtypim. Shpesh mendoj se publiku i ha!

“Tre vetë në një barkë“ u përkthye në shumë gjuhë. Në Gjermani vepra e tij u përdor si tekst shkollor.

Mos e humbisni këtë libër nëse e gjeni në rrugë mes pluhurit. Do ta kapni veten duke qeshur me zë të lartë dhe do ta lexoni shume herë.

2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Tirana Review

Go to Top