• Natasha.jpg
  • Natasha-libri.jpg
  • Natasha-Lako-3.jpg

Dashuria materialiste jeton si formë e një takse të fshehur, sa herë që vetë shoqëritë nuk dinë t’i bëjnë punët mirë – Bisedë me poeten Natasha Lako

in Biseda/Letërsi by

Bisedë me poeten Natasha Lako.

Në një vështrim të parë do të dukej sikur gjithçka ka ecur fjollë në jetën e Natasha Lakos, por mjaftojnë disa pyetje si vijojnë, për të zbuluar një sfond jo edhe aq idilik të rrugëtimit të saj letrar. (politik edhe)

Ajo rrëfen midis të tjerash se si i spostoheshin qëllimisht fjalimet gjatë kohës që ishte deputete në mjedisin maskilist të Parlamentit Shqiptar, ndërsa thekson se “Një poezi tregon çfarë mund të ndodhë brenda një sekonde. Dhe kjo e ndihmon shumë poezinë të japë interpretime të lira. Se një sekondë e vetme është pothuajse e pakomandueshme, në mos vetëm në rrahjet e zemrës.”

Në këtë cikël bisedash do të doja të përfshija sa më shumë gra, që rrëfejnë në mënyrën më jo politikisht korrekte të mundshme, pengesat dhe vështirësitë e të jetuarit apo krijuarit në një botë të ndërtuar në funksion të burrave.

Me Lakon kjo funksionoi.

___

Natasha Lako është autore e vëllimeve me poezi; “Marsi brenda nesh”- 1972, “E para fjalë e botës”- 1979, “Këmisha e pranverës” – 1984, “Yllësia e fjalëve” – 1986, “Natyrë e qetë”- 1990, “Thesi me pëllumba” – 1995, “Këmbë dhe duar”- 1998, “Lëkura e ujit” -2004, “Kundërpërfytyrimi”- 2016;

E romanit “Stinët e jetës” – 1977;

E përmbledhjes me esé “Energjia filmike”- 2005;

Dhe e një sërë skenareve filmash artistikë si; “Mësonjëtorja”- 1980, “Partizani i vogël Velo”-1980, “Plumba perandorit”- 1981, “Rruga e lirisë”- 1983, “Një emër midis njerëzve”- 1983, “Fjalë pa fund”- 1986, “Një vit i gjatë”- 1987, “Muri i gjallë”- 1989, “Fletë të bardha”- 1990, “Lule të kuqe, lule të zeza”- 2003

Ajo është gjithashtu përkthyese e vëllimit me poezi “Perandoria e barit”, të Tomas Transtömeri-t, poet Nobelist suedez.

 Bisedoi Arlinda Guma

 Arlinda Guma: Kur recitohej në filmin “Në çdo stinë” një prej poezive tuaja (njëzet qindarka për të folur me ty, etj.), antenat e mia prej fëmije çorientoheshin fare. Aty nuk kishte as vrull revolucionar, as parti dhe as luftë me shpata apo me traktorë. Dhe si një fëmijë që çdo gjë e lidhte me imazhin, e kisha një film në kokë për këtë poezi; në vargjet e para s’di pse përfytyroja një tregtar të pakënaqur, me syzet varur mbi hundë, duke bërë llogaritë e ditës pranë një llambe me vajguri, pastaj në vargun e fundit tregtari befas hiqte syzet, përmbyste llambën, dilte fare nga dritarja dhe fluturonte nëpër qiell si “Liza ne botën e çudirave”. Si do t’i dukej poezia juaj dashurive të sotme materialiste? Çfarë filmi do të kishin ato në kokë?

Natasha Lako: Për të përshkruar sadopak atmosferën letrare në të cilën unë sapo hyja, po kujtoj se vargun “pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri.” ju nuk e keni dëgjur në filmin që përmendët, sepse u hoq që në botimin e parë. Por kjo u bë për të mbrojtur vargjet e tjerë… Sepse nëse ka ndonjë meritë brenda tyre, e para është se dallohen që një orë larg që janë vargje femërore. Se nuk mund të përfytyrohet as sot, që një djalosh (pale një burrë) të merret me nja dy a tre qindarka apo të flasë më tepër, jo për premtime, por për këtë shpengim të Tiranës. Sot ne jetojmë në periudhën e inflacionit në dashuri, ashtu si edhe në ato qindarka të vogla, megjithëse çmimi i biletave urbane nuk është rritur shumë për shkak të presionit të varfërisë. Dhe unë në vend të atyre qindarkave, gati të padukshme sot, në vëllimin tim të ri “Kundërpërfytyrimi”, kam një poezi me tre mjellma që fluturojnë, që më duket sikur vetëm unë i kam parë në mes të kësaj bote. Dhe që atëherë kur kam botuar vargjet e parë, deri sot, më është mbushur mendja se që të pranohet një burrë në sferën e dashurisë, femrën, të paktën brenda vetes, lipset ta ketë ngritur nga toka në qiell… Dhe që të hyjë një grua në sferën e dashurisë, lipset si kusht, mashkullin ta zbresë nga qielli në tokë, me qëllim që të mos e bëjë perëndinë e vet… Sepse ndryshe mund ta kthejë veten në zero. Dhe ne sot po dëgjojmë se si edhe shumë femra të roleve të famshme të Hollivudit, dashur pa dashur i janë nënshtruar tregut artistik, nëpërmjet abuzimeve të atyre që i kanë pranuar si zotër. Plus mallit për të kaluarën, që përmban edhe fabrikimin e egërsisë, plus mallit njerëzor për gjithçka të ikur, madje edhe për njerëz që nuk i ka parë kurrë, plus për dëshirë arsyetimesh të ngurtësuara në shekuj, prapëseprapë dashuria materialiste jeton qoftë si një formë e një takse të fshehur, sa herë që vetë shoqëritë nuk dinë t’i bëjnë punët mirë. Aq sa duket sikur ne, për çudi jemi gati të pranojmë dalëngadalë vdekjen e gjërave të bukura. Kur u shkruan këto vargje unë isha një njëzetvjeçare dhe sigurisht kisha dëshirë të pohoja veten time. Ndoshta për t’i hapur vetes vend mes dhjetra e dhjetra vargjeve të shkruar, mendova se si mund të shkruaja unë për dashurinë. Dhe po të ndjekim historitë rreth trupit  femëror, që kur prej tij u krijua tregu i parë i marrëveshjeve njerëzore, mund të arrijmë në përfundimin se respekti për lirinë femërore ka ndryshuar më ngadalë se sa realiteti letrar, i cili me hapa shekullorë ka kapërcyer nga egzametri i shoqërisë antike dhe vendeve më të civilizuara, te dititrabi dhe divani për perandorët dhe sulltanatet, tercinat e tingëllimave të kohës fetare, apo sonetet që klasicizmin e ndillnin te jeta e njeriut, deri te vargjet e bardhë ose të lirë… Të mos flasim për këngën popullore, aty ku është strehuar dashuria si utopi. Sigurisht njerëzit kanë pritur që trupi i vajzës dhe gruas shqiptare, shpirtërisht të ringjallet, së pari nëpërmjet kësaj letërsie. Dhe nuk ka si të mos shkaktojë çudi, që një shkrimtari si Kasëm Trebeshina, i cili u bë një shembull i shprehjes estetike edhe për ata që kanë quajtur veten promotorë të modernizmit dhe postmodernizmit, në ditarin e tij të botuar tani vonë, i gjenden fraza të shkruara plot sinqeritet, jo vetëm për zgjedhjet e tij personale tradicionale, por edhe për krenarinë për nusen që e ka lënë t’ia gjejë nëneja, për të cilën duket të ketë qenë me fat. Por edhe më të çuditshme tingëllojnë frazat e këtij ditari të një shpirti të gjallë, por tepër të rreptë, të mbushura me shpërthime konfliktuale dhe pakënaqësi, që kalojnë në fyerje për dashuritë dhe martesat e partizanëve dhe partizaneve pas Luftës së Dytë Botërore, dashuri të rinjsh, gjë që është më e natyrshmja e botës. Dhe më keq se ajo macja e Lizës në botën e çudirave, që duket të qeshë gjithmonë, nënqeshja që ka filluar të shkohet si fill peri nëpër gjithë shoqërinë shqiptare për këto vajza të reja që thyen tabutë, është “kryevepra” më e madhe e ditës. Kjo tregon se çfarë digresionesh operacionale po bën mendja jonë e sotme ekonomike ideologjike e re, në një shoqëri gati të trallisur, ku një vajzë e martojnë ende me një plak të një fshati përtej kufirit, vetëm e vetëm se atje ka më tepër pula. Sigurisht nën ambalazhimet propagandistike, realiteti shqiptar në periudhat e kapërcyera e ka pasur të pamundur të zbulohej thellë, në krahasim me shpalljen e një brutaliteti të hapur të sotëm, si për lirinë seksuale, ashtu edhe për arsyetimet materialiste të rregullatorëve të jetës. Se çfarë imazhi mund të krijohet për dashurinë që nuk është dashuri, vështirë të përcaktohet sot, sado që dinozaurët e djeshëm janë konvertuar me reklamat e jahteve në mes të shkretëtirave. Por meqë edhe brenda këtij rregullacioni të ri thuren plane dhe narracione të paramenduara, jam e sigurt se që nga strehët e pulave ballkanike, deri  në studiot e Hollivudit, do të dalin libra të mirë, edhe nga vajzat e dashurive materialiste të sotme. Ashtu si jam edhe më e sigurt se sot vajzat janë më të vetëdijshme se dje për përgjegjësitë që i vënë vetes. Por e paqarta jonë më e madhe mbetet për fatin e gruas nën nënshtrimin familjar, ku jeta e saj ndahet në periudhën para erës së re dhe pas erës së re. Dhe jeta e gruas fillon të bëhet gjithnjë e më anonime dhe e papërfillshme.

Dhe ja, nga ca fletë llogarish, që më kujtojnë edhe mua ca fletë bakalli, që u shpërndanë sa andej-këndej në përfytyrimet tuaja fëminore, doli edhe ky koment i gjatë për një poezi kaq të vogël. Prandaj nuk mund të rrimë pa iu kthyer herë pas here asaj pastërtie të rrallë rinore, të cilën e ndjeva më shumë se kurrë në një 8 Mars të rrallë prishtinas, kur, si në një ceremonial të paparë diku tjetër, çifte të ulur karshi-karshi, të mrekulluar nga njëri-tjetri, i kam pasur para syve. Nuk më shqitet nga mendja ajo trullosje e bukur e të rinjve të dashuruar, që e bëjnë botën më të sigurt. Por meqë po flasim për një poezi të thjeshtë të jetës urbane, dhe një tingëllimë telefoni që fton për dashuri, më duket se duhet të kujtoj patjetër edhe një varg të poetes prishtinase, Hida Halimit, që është ndarë nga jeta para kohe:

Çfarë telefoni idiot/askush nuk përgjigjet n’të.

Sepse vargjet e poetëve plotësojnë njëri-tjetrin.

Arlinda Guma: A është e vështirë bashkëjetesa e një gruaje të letrave me një burrë nga bota e kinemasë? Ka patur herë kur e keni kaluar në plan të dytë krijimtarinë tuaj dhe keni konsideruar primare krijimtarinë e bashkëshortit tuaj? Ju ka dhembur kjo?

Natasha Lako: Që të kapërcesh nga orbita e një poezie dashurie, në një orbitë familjare, unë mendoj se duhet të kalosh nëpër purgatorin e poezisë. Kam shkruar dikur edhe një poezi që quhet “Famë-hilja”. Dhe nuk është keq që nga orbita e një poezie dashurie, të zbresim edhe te hilet që mbulon jeta familjare. Sepse e di që nuk ka burrë që të mos përpiqet të mbajë për vetë monopolin e shpenzimit të kohës, jo të pareve më. Po të bazoheshim edhe në fuqinë e sotme të imazhit, në krahasim me shpërndarjen e botës poetike, me siguri unë do të dilja përsëri e mundur. Osip Mandelstam, poet i madh disident rus, në një esé mbi Danten, pasi flet për avancimin e teknikave shprehëse të gjuhës filmike që  ndryshuan kinematografinë e kohës së tij, prapë se prapë përqendrohet te teknika gjuhësore poetike, teknikë që e krahason me rrymat më të brendshme të oqeaneve dhe lumenjve, ku ndjesitë mendore lëvizin krejt si një barkë. Filmi mund të arrijë të sjellë në shtëpi një kontinent të tërë, por prapë se prapë ato rryma të brendshme, gati të nënvetëdijes, nuk i arrin dot, të paktën për mendimin tim. Kështu ne do të kishim mbetur rivalë të pashpirt po të mos kishim pasur bashkëpunime. Nga ana tjetër, jemi dy njerëz që nuk dimë t’i lëshojmë shumë pe njeri-tjetrit, dhe kjo na ka mbajtur gjallë. Por mua më duhet, të paktën një herë, të them gjithashtu se kam jetuar me një bashkëshort që nuk ka pasur biografi të keqe, një “kryevepër” tjetër e vazhdueshme kjo, që më takon mua, si atëherë edhe sot, një herë për keq, apo një herë për mirë, dhe përsëri për keq. Sepse u hoqën edhe shpërblimet për trashëgimtarët e të gjithë atyre që kanë pasur trauma, si më ka ndodhur edhe mua që javën e parë të jetës. Shkurt, politikisht, pa qenë asnjë ditë anëtar partie dhe me plot probleme të shprehjes kinematografike, kam pasur një partner që në disa raste më ka mbrojtur direkt me hijen e tij, sipas traditës shqiptare.

Arlinda Guma: Është një poezi juaja, të cilën kam për zemër ta veçoj. Titullohet “E para…” “Të gjitha e para i ndien gruaja…” Dhe aty ka një paralelizëm interesant midis çorapeve të grisura që ajo duhet të arnojë… me ndjesinë e fikjes së dashurisë. A mund të arnohen dashuritë, Natasha? Çiftet e ditëve të sotme nxitojnë të blejnë çorape të reja sapo vënë re që diçka nuk shkon, ndërkohë që ato të djeshmet kanë qenë më të fiksuara me meremetimet. E megjithatë duket se nuk ka asnjë happy-end te të dyja këto kategori… por përtej kësaj, dua t’ju pyes edhe për diçka tjetër; nuk ju shkuli veshin ndonje sekretar partie për këtë fikjen e dashurisë?A nuk ju tha ai se dashuritë socialiste rrinë të ndezura 365 ditë të vitit?

Natasha Lako: Kjo poezi, është botuar në revistën Nëntori, të Marsit të vitit 1988, kohë kur unë shkruaja edhe skenarin e filmit “Fletë të bardha”, ku flisja për skleroart. Po ta konsideroj veprën time të shtrirë në kohë, si një vepër të vetme letrare, i bie, si në gjithë veprat e tjera, që këto  vargje të krijojnë premisën. Një premisë që ka mbijetuar nën një diktaturë, të cilën gjithë brezi im e gjeti të përgatitur. Sepse dihet se regjimet nuk i krijojnë foshnjat. Por kolapsi i regjimit erdhi më ngadalë se u ndërtua. Dhe kështu po krijohej një akt i dytë i stërgjatur. Dhe gruaja, unë mendoj se u bë  mbretëresha e ndjeshmërisë më të lartë. Them se kjo ndjeshmëri e saj farkëtohet nëpërmjet ndjeshmërisë ndaj dashurisë. Është kjo ndjeshmëri delikate dhe e hollë, që e bën edhe atë dalëngadalë të ndiejë rreth saj edhe një krizë të thellë shoqërore, që jeton së bashku me çorapet e grisura që duhen arnuar. Dhe kësaj here, duket se këtë poezi e mbron e vetmja “sekretare partie”, gjyshja ime, që gjithnjë më ka porositur të mësoj arnimin e çorapeve ndër të parat. Dhe me sa duket, kjo ka qënë një porosi e dhënë brez pas brezi, por që duket se e mbron edhe këtë poezi me një thjeshtësi shqiptare. Mua do të më vinte mirë që në këtë poezi të ndihej ballafaqimi  që bën fjala “e para” që domosdo është gruaja, me këtë fjalën “të gjitha ose gjithçka”, në një lëvizshmëri nga njëra te tjetra, si nga batica te zbatica ose anasjelltas. Po le ta lëmë këtë analizë “të punëve të brendshme”. Le të komentojmë pak  krizat dashurore që u rrinë të gjithëve mbi kokë dhe ekspertë të thekur bëhen gjithë shkrimtarët. Le të kapërcejmë larg, te sonetet e  Shekspirit, ku instikti i dashurisë, siç vë në dukje Vedat Kokona, një prej përkthyesve të parë të tyre, lidhet me synimin për të riprodhuar jetën. Dhe ja, Shekspiri me ndihmën e Kokonës na ndihmon të themi se edhe erozionet e dashurisë midis një mashkulli dhe një femre, ashtu hollë-hollë vijnë nga ky ndryshim i madh mes dy cikleve  prodhuese, edhe më një egoizëm pa fre, por shumë të fshehur, që lidhet me pëlqime apo mospëlqime të tjera. A arnohen erozionet? Mund të arnohen vetëm këndvështrimet e kësaj bote. Por fjalën burrë dhe grua nuk e arnojmë dot. Janë dy fjalë që në gjuhën shqipe përmbajnë vetë gërryerrjen e përbashkët  tingëlluese, që nuk besoj se e ka ndonjë gjuhë tjetër.

Arlinda Guma: Disa prej poezive tuaja dallohen prej një lloj antikonformizmi fare të qashtër. Mua më duket se ju keni qenë disi e pandërgjegjshme për këtë, dhe mundet që ky pandërgjegjësim ju ka mbrojtur paksa prej pasojave. Dmth., duket sikur keni jetuar në një planet tjetër… dhe herë pas here gjuanit këtej ndonjë poezi si t’ju vinte, pastaj ktheheshit sërish në planetin tuaj, pa u kokëçarë se kujt mund t’i binte ajo në çati e t‘i thyente tjegullat…

Natasha Lako: Ndoshta ju vini re një lloj antikomformizmi femëror, si punë e dorës se dytë. Ju atëherë keni të drejtë të thoni se unë e paskam menduar veten të lirë. Dhe unë mund të them, ‘Po, e kam menduar veten time të lirë’, aq sa mund ta mendojë një njeri që beson se brenda një realiteti, ekziston gjithnjë një realitet tjetër. Dhe poezia e ndan realitetin në çaste të pafundë, ndërsa dozat tregimtare i kanë marrë përsipër gjini të tjera. Nipi im gjashtëvjeçar, i cili ka filluar të lexojë tregime ose story, ku përfshihen edhe përrallat, kur pa vëllimin tim të fundit, “Kundërpërfytyrimi”, më pyeti se çfarë tregoja unë me ato  poezi, që ndoshta atij po i shfaqeshin në forma të çuditshme copë-copë… Dhe unë i thashë se një poezi tregon çfarë mund të ndodhë brenda një sekonde. Dhe kjo e ndihmon shumë poezinë të japë interpretime të lira. Se një sekondë e vetme është pothuajse e pakomandueshme, në mos vetëm në rrahjet e zemrës.

Arlinda Guma: Në kopertinën e librit tuaj të fundit me poezi, titulluar “Kundërpërfytyrimi”, ju keni cituar një vlerësim që ka bërë për ju Martin Camaj. Kur e keni ndeshur për herë të parë këtë poet?

Natasha Lako: Ka histori interesante shqiptare. Martin Camaj më ka njohur gjithçka kisha botuar, si e kam mësuar tepër vonë, madje romanin tim të vitit 1977 e ka mirëpritur. Kurse unë vargjet e tij i kam hasur pak nga pak dhe herë pas here nëpërmjet shtypit kosovar. Ndoshta ai është gëzuar që po shkruante një vajzë shqiptare. Kurse unë jam tronditur nga fryma europiane dhe njëkohësisht, thellësisht shqiptare e poezisë së tij.

Arlinda Guma: Si një individ që prej pak kohësh bëj pjesë në botën e letrave, ajo që më indinjon më shumë në këtë mjedis është fakti se kur bëhet fjalë për një autore, gjinia tjetër ka ca lloj pritshmërish të çuditshme për llojin e artit që ti lëvron, duket sikur presin medoemos të lexojnë prej teje një lloj letërsie, disi të koketizuar, dhe kur nuk e gjejnë këtë në artin tënd, fillojnë e të japin mend se çfarë temash i shkojnë më shumë për shtat një gruaje, dmth., të këshillojnë tema të lehta, a thua se letërsia është një fustan apo një buzkuq… Ka ndodhur edhe me ju kjo?

 Natasha Lako: Nuk ka ndodhur se nuk ka pasur ende modele të tilla për fazën e parë të krijimtarisë sime. Nuk them se më pas vëllimet e mia; “Thesi me pëllumba” dhe “Këmbë e duar” nuk u botuan mes krizave që përdorin si kopertinë sa më shumë performanca me bukuri koketash. Dhe në mes të çoroditjeve të sotme të leximit, kjo punë koketash mund të jetë  kërkuar edhe në poezinë time, por tepër vonë. Por edhe dje, edhe sot, edhe motmot, është e pakuptimtë të dëgjosh të tjerët… Sikur unë të pyesja për shijet e të tjerëve nuk do ta kisha botuar sot për sot as “Kundërpërfytyrimin”. Janë tjetër betejat për territore letrare, që mbeten gjithnjë të hapura, kur edhe politikat kulturore janë përça dhe sundo.

Arlinda Guma: A kanë qenë vërtet aq të konsoliduara çiftet e kohës suaj apo e gjitha ka qenë një koracë? Dmth., vetë kornizat e sistemit nuk i evidentonin problemet, nuk ju lejonin të dilnit prej atij destinacionit fatal të fundit të lumtur, dhe më pas, ju edhe vetë sugjestionoheshit prej kësaj, e në fund përfundonit duke e besuar me të vërtetë?

Natasha Lako: Kjo pyetje që shtroni ju mbetet një nga temat më të rrahura të letërsisë botërore, që nga shekulli i XIX e deri sot. Në kulturën perëndimore ky nënshtrim pseudomoral u prish, si diskutohet, andej nga viti 1961, kur përfundimisht u legalizua një roman deri atëhere skandaloz si Çaterlej (“Lady Chatterley’s Lover”). Në Shqipëri divorce ka pasur gjithmonë. Por dihet se pas 90-ës shpërthyen. Apo të gjithë kërkonin statuse te reja shoqërore? Nuk e di. Nuk di se sa mund t’i mbante lidhur korniza e sistemit, apo rutina e jetës që të përpin çdo çast. Por nuk mendoj që korniza e sistemit të ishte kaq e fortë për lidhjet personale, kur rezistuan shumë fejesat në djep, madje u mbyllën sytë dhe u kategorizuan si shprehje të reja të lirisë edhe martesat e vajzave të mitura. Madje u legalizuan si shtëpitë e sapondërtuara.

Arlinda Guma: Mendoni se gruaja në kohën e diktaturës ka qenë më e socializuar, pavarësisht ideologjisë? Sot peizazhi në të cilin ajo është vendosur duket shumë i zymtë; e mbyllur brenda katër mureve, duke parë telenovela turke… apo një aksesor i vogël dhe i parëndësishëm në sediljen e një makine luksoze…

Natasha Lako: Nuk mendoj se mund të ketë një përgjigje në përgjithësi. Shqiptarët kanë pasur karakteristika krahinore dhe kulturore aq të diferencuara sa duhet të trokasësh derë më derë. Me e keqja do të ishte që më të socializuar të bëhen ata që integrohen në kulturën e vendeve të tjera, një arsye kjo më shumë zgjedhjeje. Për këtë duhen parë statistikat, por jo rezultatet e një censusi që ka mbetur qesharak. Sidoqoftë, ashtu siç i nevojiten shtrojet për të fjetur, njeriut i nevojiten edhe shtrojet e një përvoje jete sociale. Dhe vë bast, se pa nëna të një jete sociale aktive, nuk do të dilnin të famshme as vajzat e tyre në të gjithë  botën. Sa per telenovelat turke, që të paktën për kortezi diplomatike duhet t’i shohin edhe parlamentarët tanë, kam zgjatur edhe unë kokën të shoh se çfarë ishte ose është një harem.

Arlinda Guma: Sa ju ka penguar maskilizmi në rrugën tuaj? Në ditët e sotme edhe më të frikshme duken gratë maskiliste…

Natasha Lako: Po, maskilizmi… Mendoj se që nga koha e Afërditës së parë të Sterjo Spases, dhe disa veprave të tjera letrare të viteve 30-të, kur u bënë shkriftimet e para të gjendjes së femrës, e deri më sot kur prozën po e lëvrojnë shkrimtare si ju, me ndonjë përjashtim të vogël, letërsia shqipe nuk ka pasur në qendër të veprave të mirëfillta figura të plota dhe të spikatura grash. Madje edhe në vepra të mira, ka raste të shumta ku femra trajtohet si objekt, në mos nga shkrimtari, nga personazhet e tij. Edhe më maskiliste, madje deri në perversitet, është kur mendohet se nga një shkrimtare a poete shoqëria pret vetëm tema dashurie. E di që ju prisni  të them diçka edhe për maskilizmin e jetës sonë politike, eksperiencë që unë e kam provuar sado pak, por që shpesh, për mungesë kujtese shoqërore konsiderohet si e harruar. Dhe unë do të përmend atë maskilizmin më qesharak, që paraprin edhe këtë kujtesë të humbur. Se si gjatë jetës sime të shkurtër parlamentare, më ndodhte të më spostonin radhën, sa herë kërkoja të flisja. Çfarë nuk provoja për të bindur veten se ky seleksionim nuk ishte i qëllimshëm. Tentoja të shënoja emrin e para, madje me vrap, nga frika se mos ma zinte radhën ndonjë tjetër, por më kot. Kishte raste që mbarohej fare koha e diskutimeve. Dhe tani mezi pres që kjo intervistë të gjendet ndonjë ditë online që unë të lexoj komente si “Mirë ta bënë ty moj shkrimtare e përkedhelur!”, se “shkrimtare e përkëdhelur” mund të të thonë edhe kur gjendesh nëpër lista të krijuara nga persekutorët. Pasi referenca e vetme është varja në litar. Dhe çfarë nuk mund të dëgjosh në këtë botë të çartur, në sajë të lirisë që secili e mendon për gjykimet e tij. Oriana Fallaci ka shkruar një libër mbi jetën sociale të gruas në të gjithë botën, të cilin për fat e ka përkthyer Drita Siliqi, profesore imja e letërsisë në universitet, që nuk e ka zgjedhur kot, se ka qenë e mençur. Nuk di çfarë do të kishte thënë Oriana Fallaci po të kishte parë edhe Shqipërinë e gjendjeve sociale. Por në librin e saj ajo përshkruan shumë gra të tribunave politike, ose të pjesëmarrjeve të tjera aktive, që vetëm shpalosin nevojën e shoqërive për superficialitet të lartë, madje fals, veçanërisht në ato vende ku shumica jeton deri në shkallët e poshtërimit.Të shfaqet një fytyrë e botës femërore në ato që shkruan, është një mënyrë tjetër, gati zbavitëse, sot kundër maskilizmit. Dhe në një mënyrë loje të re shpengimi, shpjegoj edhe ato vajza që diku, larg trysnive tona, provojnë të shkruajnë në fytyrën e tyre nëpërmjet operacioneve plastike, Barbie-n e përrallave të vjetra, por të filmave të sotëm. Se një  lëvizje e re  e vogël  sociale e një shoqërie ose grupi është edhe kjo.

Arlinda Guma: Cila është atmosfera në të cilën krijoni? Muzika, moti, zhurmat, drita, ngjyrat?

Natasha Lako: Qetësia. Vetëm të jem me veten. Në periudhë korrigjimesh ose rishikimesh mund të kontrolloj çfarë kam shkruar edhe në ndonjë kafene lagjeje. Sepse atje duket se sa i shkon botës rreth e qark edhe fustani që ke veshur. Por me asnjë njeri tjetër nuk kam mundur të shkruaj po ta kem pasur pranë,  përveç nënës sime.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Natasha Lako: Edhe ju duhet të më ndjeni që iu referova disa nga njerëzve më të mëdhenj të letrave botërore ose shqiptare dhe e zgjata bisedën, por pa ata nuk do të dinim ku të fusnim kokën.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top