Arlinda Guma
U linda në kohë paqeje. Nga të gjitha jehonat e luftërave nëpër botë që reporterët i përcjellin trimërisht, pushtimi i Ukrainës do të mbetet gjatë në kujtesën time.
Një burrë i moshuar rreth të tetëdhjetave që i bashkohet ushtrisë ukrainase për të mbrojtur atdheun e tij. Ka marrë me vete disa rroba. Ka dy nipër, në ç’botë do të rriten ata nëse ai nuk lufton për vendin e tij?
Një ushtar i ri që hedh veten në erë për të mos i lejuar trupat ruse që të kalojnë… Diku ka lënë një nënë që e pret, një grua, një fëmijë dhe një grusht me ëndrra.
Një kryetar bashkie që ka lënë zyrën dhe i është bashkuar ushtrisë për të mbrojtur vendin e tij.
Një kampion boksi, një grua e guximshme që sot u vra në mbrojtje të Kievit, një emigrant i kthyer në atdhe, një…
Ata janë shumë. Të gjithë për një qëlllim: të mbrojnë atdheun e tyre.
Është drithëruese! Është frymëzuese!
Këta njerëz e duan kaq shumë vendin e tyre. E duan kaq thjeshtë, pa fjalë të mëdha, me kaq dinjitet, të vetëm përballë një superfuqie po i japin mësime të mëdha botës!…
Ja që teknologjia; tanket, raketat, nuk janë asgjë përpara njeriut; zemrës së tij. Ajo është promotorja e gjithçkaje. Mund të zotërosh armë të teknologjisë së fundit, por nëse ushtarakët që i drejtojnë ato janë të pamotivuar, nuk kanë një kauzë që t’i përfshijë shpirtërisht, je i destinuar të dështosh.
Ne sot po shohim një popull që përgatit bomba artizanale për t’i bërë ballë një superfuqie… Kishte kohë që nuk e kishim parë këtë! E kishim harruar se sa e rëndësishme është kauza e drejtë në një luftë! Kishim harruar shumë gjëra. Mediat e blera, financimet e tyre të dyshimta, trushpëlarja, kishin vepruar si pika që gërryen gurin. U desh një popull dinjitoz të na i kujtonte të gjitha!
Ndërkohë kryeministri italian Mario Draghi deklaroi së fundmi në parlament, në mënyren e tij burokratike, tipike europiane se kishte caktuar një takim telefonik me presidentin e Ukrainës dhe se ai nuk kishte qenë i disponueshëm në orën e takimit. Një përgjigje i erdhi më vonë prej presidentit të Ukrainës në Twitter. “Sot patëm luftime të përgjakshme. Shumë njerëz u vranë. Herën tjetër do përpiqem ta spostoj orarin e luftimeve në mënyrë që të flas me kryeministrin italian në orën e caktuar.”
E pabesueshme kjo që po ndodh mu para syve tanë, në Europën tonë, në zemrën e civilizmit të lashtë botëror. E papranueshme! Ftohtësia e krerëve europianë ndaj gjithë këtyre ngjarjeve është revoltuese. Burokratëve europianë, që e ndjekin luftën nga televizori, u mungojnë vetëm ca kokoshka të pjekura me misrin e Ukrainës! Sa keq që ato fusha ku do të rritej ai misër që do t’i shitej Europës, sot janë bombarduar e përgjakur të gjitha. Por, fundja krerët europianë mund të durojnë ta shohin shfaqjen televizive edhe pa kokoshka, por ata nuk mund të durojnë pa u shitur mallra luksi oligarkëve rusë, ndaj, me ftohtësinë e tyre cinike, iu desh të mendoheshin dy herë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndërkohë që populli ukrainas lufton i vetëm dhe i përgjakur. Duket se kodi Swift qenka po aq i rëndësishëm sa edhe vetë kodi i bombës bërthamore. Nëse populli ukrainas nuk do të kishte bërë qëndresë, ndoshta krerët botërorë as ato masa nuk do t’i kishin marrë. Do ta linin Putinin të vetëdiskretitohej në sytë e botës, duke bërë kurban Ukrainën.
Sa herë që flitet për Rusinë e sotme, vazhdimisht më vërtitet në mendje një pyetje: Si është e mundur që një popull që ka krijuar letërsinë më të madhërishme, artin më të fuqishëm në botë, t’i nënshtrohet kaq gjatë një diktatori si Putini? Si është e mundur që ta humbë kështu nervin reagues? Dhe fatkeqësisht ky është një tipar që haset tek të gjithë popujt e Europës Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Duket se tashmë këta popuj nuk besojnë më në asgjë. Dikur, me shpirtin e tyre të lirë, ata u bashkuan kundër nazizmit, e mposhtën atë me lavdi, por kjo nuk e pengoi ardhjen në pushtet të diktatorëve mizorë që i sunduan me dorë të hekurt. Dhe u desh një kohë e gjatë që ata diktatorë të rrëzoheshin; më në fund këta popuj besuan se gjithçka do të ndryshonte, më në fund besuan se do të ishin të lirë, por jo… Më në fund ja ku po priste kapitalizmi… Në pushtet erdhën të tjerë sundues, autokratë, që një gjuhe të caktuar përdorin me perëndimin dhe një tjetër, krejt të ndryshme, me popujt e tyre. Dhe rezultati… Tashmë këta popuj nuk besojnë më në asgjë!
E megjithatë, disa shkëndija të popullit të madh rus i pamë këto ditë me protestat që po zhvillojnë dhe, nëse ato do të vazhdojnë edhe më të shumta në numër, a do të mundet dot Putini të arrestojë një popull të tëre, i cili duket qartë që është kundra luftës?
Plogështia e Perëndimit ndaj lëvizjeve të Putinit është demoralizuese për të gjithë ne. Çdokush sot ndihet më i vetmuar se kurrë ndërkohë që ndjek lajmet për zhvillimet e fundit nga Ukraina e pushtuar. Natoja, BE- ja tashmë nuk ngjallin besueshmërinë e dikurshme. A do të vazhdojë Putini të përdhunojë një Europë të tërë, duke e kërcënuar vazhdimisht se është duke e mbajtur gishtin tek çelësi i bombës bërthamore? Po sikur ta lëmë ta çojë deri në fund bllofin e tij, të shohim se çfarë do të bëjë me atë çelës që ka kaq kohë që po na e hakërren fytyrës? Populli ukrainas sot po na jep një leksion të mirë: Ç’vlerë ka të jetosh i shtypur? Qëndresa e tij sot po turpëron të gjithë botën. Ajo e bën Europën të ngjajë e vockël, meskine. Dhe unë dua shumë që ideali i lartë i këtij populli dinjitoz ta shkundë këtë Europë njëherë e mirë. Përpara se të jetë vonë. Përpara se të jetë tepër vonë. Ta motivojë e ta kthejë në kohërat e saj më të lavdishme, kur ajo përtërihej. Kjo luftë, këto bombardime, përveç të tjerash po shkatërrojnë edhe një qytetërim europian. Ukraina është pjesë e pasurisë kulturore të Europës. Bombat po bien edhe mbi trashëgiminë e saj kulturore… Kjo luftë është edhe lufta jonë, është lufta e të gjithë kombeve që kanë pësuar një agresion. Është edhe e atyre që nuk e kanë pësuar. Mendësia individualiste dritëshkurtër se kjo është diçka që nuk na përket, na ka sjellë deri në këtë pikë. Mbi të gjitha na përket ne shqiptarëve, që ende e kemi të freskët agresionin serb në Kosovë. Qoftë edhe një hashtag i thjeshtë është një mbështetje e fortë morale për ata që sot luftojnë. E ka emrin Opinion Publik, dhe shpesh, dhe ashtu siç edhe në këtë rast, është pikërisht ai që i vë krerët botërorë përpara përgjegjësisë që të veprojnë. Që nesër poetët të mos detyrohen të rishkruajnë: “Në fillim erdhën për ukrainasit…”
“Gjatë pandemisë më duhej t’i shpjegoja fëmijës sim se kush ishte armiku i padukshëm. Sot më duhet t’i shpjegoj se kush është armiku i dukshëm, Putin”, tha një nënë ukrainese në studiot e RAI-t.
Ndoshta pas njëqind vitesh, për shkak të intensitetit të ngjarjeve që them se do të jenë të shumta dhe vendimtare në këtë shekull, kjo luftë në librat e historisë së fëmijëve do të reduktohet vetëm në një fjali të turpshme:
“Dhe kombet e tjera rrinin dhe vështronin…”
Një fjali që fëmijët do të rreken ta kuptojnë, por që dëlirësia e tyre nuk do ta pranojë. Ata do të pyesin “përse”? Pse u përçudnua kështu trashëgimia e vyer e solidaritetit midis popujve?
Pastaj do të rriten dhe do të kuptojnë se fundja, ky është ai kapitalizmi që i zhgënjeu aq shumë popujt e Europës Lindore që prisnin të etur lirinë… Ai kapitalizmi, për të cilin këpucët Gucci janë më të rëndësishme se ideali dhe gjaku i një populli.
Ky është ai; kapitalizmi që nuk vetmon vetëm njeriun, por edhe kombet…
26 Shkurt, 2022
©Arlinda Guma
_______
Arlinda Guma është autore e tre romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, dhe “Bob Legjenda” – 2021. Ajo është krijuese e faqes defekt-teknik.com.