Recensë për një poezi të pashkruar- Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Arlinda Guma

Kjo poezi e Wislawa Szymborska-s është një nga më të veçantat e saj. Kompozicioni; i përsosur. “Recensë e një poezie të pashkruar” ka një ndërtim njëheraz dyplanësh. Nga njëra anë lexuesi njihet me “narrativën” e poezisë dhe nga ana tjetër kemi përshtypjet e një kritiku letërsie skeptik, i cili bën të qartë mosaprovimin e tij për stilin e poetes.

Falë zgjuarsisë së saj, Wislawa Szymborska arrin ta zhvillojë me sukses poezinë (kjo edhe nëpërmjet disa dritëhijesh të nevojshme dhe ndërprerjesh të vogla tek-tuk, që krijojnë atmosferën) duke e vënë lexuesin përballë këtyre dy kundërshtive. Në të vërtetë autoren nuk e shohim gjëkundi; janë vetë mendimet e kritikut që e ndërtojnë poezinë para syve të lexuesit.

Një pjesë e madhe e krijimtarisë së saj letrare i përket periudhës së diktatit sovjetik që kalonte Polonia, ashtu si të gjithë vendet e lindjes, dhe poetja, si shumë autorë të tjerë të këtij blloku, duhet të ketë patur vështirësitë e saj me kritikët dritëshkurtër që mbështetnin poezinë skematike në shërbim të demagogjisë.

Megjithatë, unë mendoj se rasti i Wislawa Szymborska-s është edhe më i veçantë. Duke patur një stil kaq unik, kaq të pangjashëm me askënd (poezia e saj nuk ka ndikime nga poetë të tjerë të brezave të mëparshëm) them se ajo duhet të ketë patur të njëjtat vështirësi dhe ndërlikime edhe me kritikët e Polonisë kapitaliste. Vështirësi, të cilat ajo “i hedh pas krahëve” nëpërmjet zhdërvjelltësisë së ironisë.

“Recensë e një poezie të pashkruar” është një poezi e majave më të larta, vlerat e të cilës profesionistët e letërsisë do të mund t’i kuptonin më mirë. Ose jo.

Recensë për një poezi të pashkruar- Wislawa Szymborska

 

Në hyrje të poezisë
autorja pohon se ndërsa Toka është e vogël,
qielli është tepërisht i madh dhe
në të ka, citoj, “shumë yje për të mirën tonë”.
Në përshkrimin e saj për qiellin, ndokush vëren një lloj pafuqie,
autorja ndihet e humbur në një hapësirë tmerruese,
ajo është e tronditur nga shkretia e planetëve
dhe brenda mendjes së saj (e cila s’mund të quhet gjë tjetër veçse e pasaktë)
shpejt lind një pyetje:
nëse ne në fund jemi të vetëm
nën diell, nën të gjithë diejt e mundshëm që kanë ndriçuar gjithmonë.

Pavarësisht të gjithë ligjeve të probabilitetit! Dhe supozimeve të sotme, universalisht të pranuara! Përballë provave të pakthyeshme që tani mund të bien në duart njerëzore kurdo!
Për ju kjo qenka poezi.
Ndërkohë, Zonja jonë Barde kthehet në Tokë,
një planet, kështu pretendon ajo, i cili “bën xhiron e tij pa dëshmitarë okularë”,
i vetmi “fiction shkencor që kozmosi ynë mund të përballojë”.
Dëshpërimi i një Pascal-i (1623-1662, shënim imi)
është, nënkupton autorja, i pakrahasueshëm me asgjë, le të themi, prej Andromeda-s apo Cassiopeia-s.
Ekzistenca jonë vetmitare e rëndon ndjenjën tonë të detyrës,
dhe ngre pyetjen e pashmangshme: Si duhet të jetojmë, etj.,
meqë “ne nuk mund ta shmangim zbrazëtinë”.
“Zoti im”, i thërret njeriu Vetes,
‘të lutem ki mëshirë për mua,
tregoma rrugën”.

Autorja është e pikëlluar prej mendimit për jetën e shpërdoruar kaq shpenguar,
a thua se burimet tona të jenë të pafundme.
Ajo është po aq e shqetësuar për luftërat, të cilat
janë, sipas mendimit të saj të mbrapshtë,
gjithmone të humbura nga të dyja palët dhe nga “autoritortura” (siç!) e disa njerëzve mbi të tjerë.
Synimet e saj moraliste vezullojnë në të gjithë poezinë.
Ato mund të ndriçojnë më fort me një penë më pak naive.
Jo me këtë, mjerisht.
Teza e saj thelbësisht jobindëse
(se në fund ne mund të jemi mirë, të vetëm nën diell, nën të gjithë diejt e mundshëm që kanë ndriçuar gjithmonë)
e kombinuar me stilin e saj indiferent (një përzierje
e retorikës së lartë dhe e të folurit të zakonshëm)
të detyron të pyesësh: Kë mund të bindë kjo pjesë?
E vetmja përgjigje mund të jetë: Askënd.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top