QYTETËRIM -Jaime Torres Bodet
Një njeri vdes brenda meje sa herë
Që një njeri vdes diku i vrarë
Nga frika dhe nguti i njerëzve të tjerë.
Një njeri si unë: për muaj të tërë
I fshehur në rropullitë e një nëne
I lindur si unë
Midis shpresës dhe lotëve
I trishtuar që ndjeu kënaqësi
Dhe i bërë prej gjaku dhe kripe dhe kohe dhe ëndrrash.
Një njeri që deshi të ishte më shumë se një njeri
I zoti të lërë trashëgim gëzueshëm atë çka u lëmë atyre që do vijnë
Dashurinë, muzgjet dhe gratë
Hënën, detin, diellin, të mbjellat,
Fetat e ngrira të ananasit
Mbi pjatancat e llakuara të vjeshtës,
Faljen në sytë,
Përjetësinë e një buzëgazi,
Dhe gjithçka që vjen e që shkon
Ankthin e gjetjes
Së përmasave të një të vërtete të plotë.
Një njeri vdes brenda meje, sa herë që në Azi
A në bregun e një lumi
Të Afrikës apo Amerikës
A në kopshtin e një qyteti të Evropës
Plumbi i një njeriu vret një njeri
Dhe vdekja e tij zhbën
Gjithçka që besoja se kisha ngritur
Brenda meje mbi shkëmbenj të përjetshëm:
Besimin te heronjtë e mi
Shijen për të heshtur mes pishave
Krenarinë që isha njeri
Duke dëgjuar si vdes Sokrati te Platoni,
Dhe gjer te shija e ujit dhe gjer tek ëndja e kulluar
Që ndiej nga fakti se dy edhe dy bëjnë katër
Sepse sërish gjithçka është vënë në dyshim
Gjithçka
Sërish vihet në pikëpyetje
Dhe i bën një mijë pyetje pa përgjigje
Njeriut ku njeriu
Depërton i armatosur
Në jetën e pambrojtur të njerëzve të tjerë.
Të djegura papritmas
Rrënjët e qenies na shtrëngojnë fytin
Dhe asgjë s’është më e sigurt për veten
As embrioni te fara,
As agu për laureshën
As diamanti te shkëmbi
As ylli tek errësira
Kur ka njerëz që brumosin bukën e fitoreve të tyre
Me pluhurin e përgjakur
Të njerëzve të tjerë.Imazhi: The “Scream of Gaza” nga artisti tunizian: Omar Esstar.
Përktheu: Alket Çani
TË SHTATAT KUNDËR PARISIT-Charles Péguy
TË SHTATAT KUNDËR PARISIT-Charles Péguy Shtatë qyteza u mburrën që Parisin e grinë:Auteuil-i desh ta bënte