Pse shkruaj/Ajkuna Dakli

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Ajkuna Dakli.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Ajkuna Dakli

    Pak histori me libra:

Mendo diçka të bukur që të pëlqen. Mendo sikur shëtit me barkë”, kjo ishte pëshpërima e nënës sime, buzë shtratit tim, kur unë 4-5 vjeç, fëmijë i pagjumë, i thosha se nuk mund të flija.

Kanë kaluar disa dekada që atëhere, por tani kur shoh pas, mendoj se pikërisht ajo pëshpërimë më mësoi se kisha fuqinë ta ndryshoja botën. Jo botën e të gjithëve, të madhen, po botën time të vogël, atë ç’ka ndodhte kur lundroja me sy mbyllur në ujdhesat e fantazisë sime, kur sajoja histori, u jepja formë dhe frymë dhe ato më çonin në vende që vetëm unë i dija.

Më pas erdhën germat. Fëmijë mëngjarash, që rregullat i kërkonin të shkruante me të djathtën, përpiqesha më kot t’u bindesha, duke shtrënguar fort penën midis gishtave të njollosur me bojë. Të shkruarit nuk qenkesh një gjë kaq e lehtë. Në atë kohë kisha filluar të krijoja vargjet e para.

Shkrova megjithatë, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të jetës, poezi të thjeshta, naive  me së shumti sipas kallëpeve që na servirte shkolla dhe shoqëria në atë kohë.

Nuk e di a ishte rastësi, po libri i parë që im atë më dhuroi pasi mësova të lexoja ishte një vëllim me “Përrallat”  e H. K. Andersenit, që hapej me “Rrobat e reja të mbretit”. Mësova se njeriu në jetë mund të zgjedhë ta shohë të vërtetën ose jo dhe më pas të flasë ose të heshtë. Dhe se librat të hapin të tjera porta, përmasa të tjera të botës. Leximi më përpiu dhe u lidha fort me librat. Është një lidhje që pak ka ndryshuar edhe sot.

Është një ndjesi e plotë që librat më japin, padurimin që më pushton kur, pasi kam kërkuar me minuta të tëra në një librari, me librin e zgjedhur në dorë, kthehem në shtëpi dhe më pas, pasi e kam lexuar, kur u rikthehem me mendje detajeve që më lënë mbresa, provoj atë shijen e fortë dhe të dashur që të lë kujtimi i ditëve me diell.

Kjo ndjesi nuk ka ndryshuar.

Po që të kthehemi te të shkruarit, shkrova ndërkohë edhe për disa vite të tjerë pak radhë poezi ose prozë të shkurtër, veçse heshtur, për veten time, të pabotuara gjëkundi.

Pastaj dikur, në fund të dhjetëvjeçarit të tretë të jetës, nuk shkrova më. Për një kohë të gjatë.

Përse shkruaj?

Dëshira për të shkruar m’u rikthye pas shumë vitesh, atëhere kur nuk e prisja më.

Nuk e di saktësisht ç’më shtyu të rifilloja të shkruaja.

Ishte mbase, siç thotë V. Szymborska: “The joy of writing, revenge of mortal hand”,  gëzimi i të shkruarit ose tani që përjetësia po bëhet gjithnjë e më e shkurtër, hakmarrja e një dore të vdekshme, dëshira për t’i thënë gjërat me zë të lartë ose për t’i gdhendur në kohë.

Pse shkruaj? Kjo është një pyetje që ia bëj vetes shpesh. Mbase kushdo që shkruan ia bën vetes këtë pyetje shpesh.

Siç thotë J. D. Salinger: “Writing  It’s never been anything but your religion” – të shkruarit nuk është profesion, është besim.

Shkruaj sepse më ndryshon botën.

Por, pasi libri ka dalë nga duart e mia dhe nuk është më imi, nëse ulem e mendoj dikë tjetër, ndërsa me librin tim në dorë kthehet me padurim në shtëpi dhe më pas, pasi e ka lexuar, kur iu rikthehet me mendje detajeve që i kanë lënë mbresa, provon atë shijen e fortë dhe të dashur si kujtimi i  ditëve me diell. Nëse e mendoj këtë, atëhere mund të them se çdo minutë që kam kaluar duke shkruar, është një minutë e jetuar mirë.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top