Faqja e malit-Dino Buzzati

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DINO BUZZATI

U nisëm sapo zbardhi, plaku Stratzinger, udhërrëfyesi alpin dhe miku ynë, im vëlla Adrianoja dhe unë, për të ngjitur faqen e malit në juglindje të Odo Muraglit, në alpet Onireke.
Sipas natyrës së këtij masivi, ishte fjala për një mur vigan ku përziheshin akulli, shkëmbi, rëra, dheu, bimësia dhe ndërtimet e dorës së njeriut.
Kur dolëm nga strehimi rigonte një shi i hollë dhe tufa të ngjeshura resh i mbulonin tërsisht malet. E pranoj se u gëzova, pasi edhe alpinisti më i flaktë kënaqet në fillim kur e pengon moti të ndërmarrë një ngjitje të rrezikshme dhe derdh lot të hidhur që humbi një rast të mirë.
Mirëpo Stratzingeri tha:
– Do të jetë ditë e bukur.
Pas pak tufat e reve u davariten dhe mbeti vetëm një tis i argjendtë bore, pas të cilit shpalosej qielli i manushaqtë dhe faqja e rrëpirtë e Oto Muraglit e rrahur nga dielli.
U lidhëm me litar dhe nisëm të ngjitemi gjatë një kanali të rrëpirtë akulli brenda të cilit çengelët tanë futeshin si në gjalpë.
Në të dy anët e të përpjetës së rrëpirtë të shkëmbit që kufizonte malin, hapeshin e mbylleshin dritare e dyer dhe shtëpiakët merreshin me pastrimin e qeverisjen e shtëpive. Ata na shihnin mirë se ishin fare pranë, megjithëate se çanin kokën për ne.
Gjithë faqja e malit ishte e mbushur me njerëz, që shkonin në zyrat e tyre të vogla, lexonin apo punonin e sidomos mblidheshin per të biseduar nepër kafenet që ndodheshin në disa platforma apo shpella.
Gjatë ngjitjes nisëm të kemi punë me një pjesë muri shumë të rrezikshëm, që përbëhej nga gurë që i mbanin aty fijet e barit dhe rrënjët. Nuk ishte aspak i fortë. Stratzingeri propozoi të zbritnim. Kurse im vëlla dhe unë ngulmuam të vijonim; atëherë ai na tha që të ndaheshim, pasi, sikur ndonjeri nga ne të rrëzohej, do të tërhiqte pas vetes edhe të tjerët, se nuk ishim të mbështetur fort.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Stratzingeri dhe im vëlla u zhdukën pas një kthese. Unë isha mbështetur te një mollok që mezi mbahej nga fijet e barit dhe luhatej në mënyrë shqetësuese. Nja tre metra më tej, mu në një grykë të faqes së malit, një grumbull njerëzish po pinin kafe.
Para se molloku të shkëputej dhe të më merrte me vete drejtë humnerës, me një përpjekje të dëshpëruar munda të kapem te hekurat e vendosura aty për të mbajtur tendat e lokalit.
– Shiko sa djalosh i shkathët! – tha buzagaz një djalë i ri, i përkulur te hyrja e shpellës.
Me duart që kishin kapur hekurin dhe me trupin që kalamendej mbi humbëtirë, mblodha gjithë fuqitë që naltë, por molloku vijonte të luhatej mbi greminë.
Për fat të keq, hekuri, nga pesha ime nisi të jepej. Kuptohej se ai do të këputej. Nuk ishte ndonjë punë e vështirë për njerëzit që pinin kafe që të zgjatnin dorën e të më shpetonin. Por ata nuk e çanin kokën për mua.
Ndërsa nisa të rrëzohem në heshtjen e shënjtëruar të malit, munda të dëgjoj se njerëzit flitnin dhe diskutonin për Vietnamin, për kampionatin e futbollit, për festivalin e këngës.

Përktheu: Gjergj Vlashi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top