Pse nuk nënshkruan?Letër nga Kampi i internimit të Bialoleka-s, 1982- Adam Michnik

in Letërsi by

Adam Michnik

 

Miku im i dashur,

Gjeneral Jaruzelski ka shpallur se ata të internuar që ndërpresin aktivitetet “kundër ligjit” do të lirohen. Dhe kështu lria është një hap larg. Disa shkarje të penës mbi letër për të deklaruar bensikëri do të mjaftojnë…

Miqtë dhe të afërmit po më pyesin:“Kështu, kur do t’i japësh fund këtyre gjesteve të pakuptimta?”

Është kaq e lehtë në të vërtetë, ta shkëmbesh dritaren me hekura me pamjen e qartë të një teli me gjemba pas saj për “lirinë”. Dyert e çelikta të Bialoleka-s do të hapen para teje, dhe në vend të oborrit të burgut do të shohësh rrugët e vendlindjes, plot me patrulla ushtarakësh dhe tanke që lëvizin nëpër to. Do të shohësh njerëz të cilëve u kërkohet një mjet identifikimi, makina që ndalohen për t’u kontrolluar bagazhet, agjentin e sigurimit me sy vigjilent që heton fytyrat e njerëzve në turmë për të kapur ata individë “që cenojnë ligjin e gjendjes së luftës”. Do të dëgjosh fjalë të Luftës së Dytë Botërore që deri atëherë i ke ditur vetëm nga librat e historisë:“arrestime në masë”, dhe fjalë që ua kanë hequr tisin fisnik të një herë e një kohe dhe janë rivënë në funksion të ri kërcënues. Do të dëgjosh për arrestime të reja, për njerëz që po kërkohen nga policia ndaj fshihen, për dënime drakoniane.

Dhe nëse je i aftë të marrësh vendime në interesin tënd, atëherë arsyeja e parë e mos-nënshkrimit është: Nuk ia vlen! Këtu askush nuk mund të të japë masën e “arrestimit të përkohshëm”. Këtu, s’ke pse të kesh frikë asgjë. Është paradoksale, e di, por nëse një mëngjes zgjohesh sepse janë duke t’i rënë me forcë derës nuk ke frikë nga mysafirët me uniformë, ka ardhur burgosësi yt që do të kalojë kohën e kafes së mengjesit duke u marrë me ty. Këtu. Nuk ka pse të kap paniku nga përballja me këta tipat cinik me sy të çakërdisur, informatori i burgut nuk përbën kërcënim. Bialoleka është një luks moral dhe oaz dinjiteti. Është gjithashtu simbol i dallueshëm i kundërshtimit dhe nderit tënd. Meqë je një i internuar, autoritetet të marrin seriozisht.

Nganjëherë do të përpiqen të të frikësojnë. Një mikut tim, punëtor nga Varshava, i thanë se e prisnin pesëmbëdhjetë vjet në burg; një tjetri i thanë se e priste gjyqi për spinuazh, një tjetër u mor në pyetje rusisht, një tjetër e nxorën nga qelia e i thanë se do ta shpinin mu në zemër të Rusisë, ku edhe e dërguan për një grafi mushkërish. Por e gjitha kjo është e durueshme. Unë në të vërtetë besoj se këtu është më e lehta ta përballosh gjendjen, krahasuar me gjendjen e ndërlikuar në anën tjetër përtej telit me gjemba. (“Ndoshta është më e lehtë të jesh në burg se të jesh i lirë”, – më shkruajti një mik i mirë. “Jashtë, kanë vërshyer ujërat dhe po shkumëzojnë, dhe llum i zi ka dal në sipërfaqe.”

Kryepeshkopi i Polonisë e ka dënuar aktin e shtrëngimit të njerëzve për të nënshkruar deklaratën e bensikërisë. Papa e ka quajtur hapur këtë dhunim të ndërgjegjes njerëzore dhe krim. S’ke si të mos biesh dakord me këtë përkufizim. Duhen dënuar ata që marrin me dhunë deklarata të tilla, ata që përdorin këto mënyra çnjerëzore të degradimit të dinjitetit njerëzor. Një grua e re, gruaja e një aktivistit të Solidarnos-it, u burgos pasi u tërhoq zvarrë duke e shkëputur nga fëmija e saj jetim, i cili, siç i thanë, do të çohej në jetimore. Ajo nënshkroi deklaratën. Një miku im u nda nga nëna, e cila jetonte e vetme dhe pret vdekjen nga kanceri, dhe iu tha se “asnjë shpirt njeriu nuk do të lihet të bëjë as edhe jë kafe për nënën tënde të vogël”. Ai e nënshkroi deklaratën. Nuk ka kuptim të të sjell raste të tjera për mizorinë e disa njerëzve, gjendjen e pashpresë të disa të tjerëve, dilemat tragjike dhe shantazhet e poshtra. Të gjithë kemi parë e dëgjuar për reagimet e ndryshme të njerëzve përballë këtij presioni. Kryepeshkopi i Polonisë e la të hapur çështjen nëse duhet të nënshkruajnë mësuesit apo jo.  Sipas mendimit të tij, në mënyrë që mësuesit të ruajnë dinjitetin e tyre dhe të jenë në gjendje të japin mësim janë njëlloj të rëndësishme. Zgjedhja gjithmonë i përket individit, zërit të ndërgjegjes së tij ose të saj, askush s’mund të dënojë zgjedhjen e tjetrit. Tëhuatja (izolimi) i tyre çon ujë në mullirin e atyre që janë në pushtet, sepse është pikërisht ajo që ata duan, të thyejnë qëndresën e qytetarëve dhe solidaritetin e njerëzve duke krijuar ndarje mes tyre. Të tolerosh dhe të kuptosh, megjithatë, nuk është të vendosësh që akti i nënshkrimit të deklaratës është një veprim ndaj të cilit mund të rrish moralisht indiferent. Nuk mundesh. Çdo deklaratë besnikërie është gjë e keqe, dhe një deklaratë e cila të është marrë me forcë është një e keqe që të kanë detyruar ta bësh, megjithëse, ka mundësi që nganjëherë të jetë e keqja më e vogël. Pra, ky veprim, nganjëherë duhet të kuptohet gjithmonë duke shfaqur dhembshuri, por jo ta lavdërosh. Ka të paktën disa arsye për këtë. Së pari, dinjiteti s’ta lejon.

Pafuqia përballë së keqes së armatosur është ndoshta më e keqja e poshtërimeve njerëzore. Kur gjashtë hundëleshë të shtrijnë përtokë, je pa asnjë shpresë. Por ti nuk do të heqësh dorë nga e drejta jote natyrore për dinjitet. Ti s’do të bësh marrëveshje me këta rrufjanë, nuk do t’u premtosh asgjë. Kur të marrin nga shtëpia, të rrahin me gjithë fuqinë e tyre, t’i djegin sytë me gaz lotsjellës, shkallmojnë derën e shtëpisë me levë dhe t’i bëjnë copë e çikë mobiljet mu përpara familjarëve të tu, kur në mes të natës të çojnë tek stacioni i policisë të lidhur me pranga dhe të urdhërojnë ta nënshkruash deklaratën, atëherë instikti yt i zakonshëm për vetëmbrojtje dhe ndjenja jote themelore e dinjitetit do të të bëjë të thuash JO.

Sepse edhe nëse këta njerëz janë duke e bërë këtë në emër të kauzës më të mirë dhe më fisnike, ata po e shkatërrojnë atë kauzë me veprimet e tyre kriminale.

Deri në këtë pikë, prapseprapë pak di. Vetëm kur, pak orë më vonë, të nisin me makinë në drejtim të Bialoleka-s (do të shohësh rreth e rrotull me kureshtje, sepse ke kaluar më parë në këtë rrugë deri në burgun e Mokotow-s) do të dëgjosh në radion e makinës së burgut, ndërsa dhëmbët të kërcëllijnë nga të ftohtët (këto rrethana më pas do të quhen “gjendje njerëzore”) kjo luftë është shpallur ndaj kombit tënd. Është shpallur nga njerëz të cilt në emër të këtij kombi qeverisin shpallin, nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare, të njëjtët njerëz që publikisht zgjasin dorën e pajtimit në mënyrë të fshehtë lëshojnë urdhra për të na gjuajtur neve në mes të natës.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top