Përkthyesja/Efim Etkind

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Në këtë tregim, Efim Etkind, mik i Solzhenicinit dhe i Josif Brodskit, na rrëfen historinë e çuditshme të një përkthyeseje ruse të pasionuar pas poezisë angleze, që përktheu Don Zhuanin e Bajronit në një qeli të policisë politike ruse. Fati i Tatjana Gnediçit, pasardhëse e përkthyesit të Iliadës në rusisht, ilustron edhe njëherë vendin që zë poezia dhe arti në qëndresën ndaj diktaturave: bukuria vepron mbi shpirtrat, mbi shpirtrat e viktimave, mbi ato të lexuesve e, kushedi, ndoshta edhe mbi ato të xhelatëve…

        Efim Etkind

Me të pushuar duartrokitjet, u dëgjua një zë gruaje që thirri: “Autori! Autori!” Një shpërthim të qeshurash kumboi deri në skajin tjetër të sallës. Kjo më bëri të ndihesha keq. Nuk ishte e vështirë të merrje vesh përse kishin qeshur: kishim qenë të pranishëm te Don Zhuani i Bajronit. Megjithatë publiku e kishte kuptuar domethënien e atij shpërthimi dhe të tjerë persona kishin nisur të thërrisnin: “Autori! Autori!” Nikolai Akimov[1] u shfaq atëherë mbi skenë i shoqëruar nga aktorët e tij, ia shtrëngoi edhe njëherë dorën Voropajevit që interpretonte rolin kryesor dhe u afrua në buzë të skenës. Një grua e ulur në radhën e parë, veshur me një fustan të zi e të gjatë që i ngjante një petku fetareje, u ngrit nga vendi dhe, duke iu përgjigjur ftesës së Akimovit, u ngjit në skenë dhe u rreshtua përkrah tij. Krejt e kërrusur, e rraskapitur, ajo vështronte tjetërkund me një pamje të sikletosur. Duartrokitjet u dyfishuan, shumë prej spektatorëve u ngritën në këmbë për të duartrokitur, të pasuar sakaq nga e gjithë salla. Papritmas, ra një heshtje e thellë: salla vështroi gruan me të zeza si u lëkund dhe u zalis; ajo do ish rrëzuar përtokë nëse Akimovi s’do ta kish mbajtur. E nxorën nga skena. Ishte infarkt. Publiku që kishte ardhur të shikonte Don Zhuanin, shfaqjen e Akimovit, a e kishte marrë vesh vallë se nga vinte kjo pjesë? Thirrja “Autori” ishte ngjallur thjesht nga emocioni, apo mos gruaja që kish thirrur e para e njihte historinë që do t’ju tregoj?

Tatjana Grigorievna Gnediç, stërmbesa e përkthyesit të Iliadës[2] në rusisht, i kishte bërë studimet në fillim të viteve tridhjetë në fakultetin e filologjisë të Universitetit të Leningradit. Ajo merrej me letërsinë angleze të shekullit XVII dhe kjo gjë e pasiononte aq shumë saqë nuk shihte dot gjë tjetër rreth saj. Por, në atë kohë, bëheshin spastrime, dëbonin nga universiteti “armiqtë”, dje formalistët, sot sociologët vulgarë, dhe, gjithmonë e gjithherë, fisnikët, intelektualët borgjezë, devijacionistët dhe trockistët imagjinarë. Tatjana Gnediç ishte zhytur në veprat e poetëve elizabetanë dhe nuk i interesonte asgjë tjetër.

Megjithëkëtë, kishin arritur ta zbrisnin në tokë duke e akuzuar, gjatë një mbledhjeje të zakonshme, se kishte fshehur origjinën e saj fisnike. Ajo, siç mund të merret me mend, nuk kishte qenë e pranishme në atë mbledhje. Mbasi mori vesh ç’ishte thënë atje, ajo e kishte shprehur qartë e pa mëdyshje hutimin e saj: si mund të fshihte origjinën e saj fisnike? Mbiemrin e kishte Gnediç; qysh përpara kohës së Pushkinit, gjithë bota e dinte se Gnediçët vinin nga fisnikëria e vjetër. Atëherë e përjashtuan nga universiteti “ngaqë ishte mburrur me origjinën fisnike”. Realiteti ishte aburd dhe dukej sheshit. E vetmja armë në duart e viktimave të tij, që ta themi troç ishin të pafuqishme, ishte pikërisht ky absurditet. Ky mund t’ju fundoste por, me pak fat, edhe mund t’ju shpëtonte. Tatjana Gnediç ishte përpjekur të tregonte deri diku se këto dy akuza përjashtonin njëra-tjetrën: ajo nuk fshihte asgjë dhe nuk mburrej me asgjë. E morën sërish në punë. Jepte mësim, përkthente poetë anglezë, shkruante vargje akmeiste[3] e, madje, kish nisur të përkthente poetë rusë në anglisht.

Banoja në të njëjtën ndërtesë me të, një ndërtesë me “apartamente privatë” mjaft e njohur në Petërsburg, pastaj në Petrograd dhe në Leningrad, me numrin 73/75 të perspektivës Kamenoostrovski, që më vonë u bë perspektiva Kirov. Në atë bina të madhe të veshur me granit që ngrihet pranë Ishujve jetonin përfaqësues të njohur të botës kulturore: historiani N. Platonov, specialisti i letërsisë V. Desnicki, poeti dhe përkthyesi M. Lozinski.

Ndodhi që unë linda në atë ndërtesë, ku im atë ishte pronar i apartamentit nr. 2, por më vonë u rigjenda aty rastësisht: pikërisht mbas martesës sonë, unë dhe gruaja kishim zënë përkohësisht dhomën e njerkut të time shoqeje, në një apartament të madh komunal. Tatjana Gnediç jetonte me të ëmën në një apartament komunal akoma më të madh që binte mbi një shkallë tjetër, në një dhomë që mbante erë naftalinë dhe livando, e mbushur me libra, fotografi të vjetra dhe mobilje rrjepacake të mbuluara me sixhade të punuara me dorë. Në atë dhomë unë shkoja për të mësuar anglishten me Tatjanën. Në këmbim të kësaj, lexonim së bashku vjersha në frëngjisht, të cilat sidoqoftë ajo i kuptonte shumë mirë edhe pa ndihmën time.

Filloi lufta. I kisha mbaruar studimet universitare dhe u nisa me gruan në qytetin e Kirovit, pastaj në ushtri, në frontin e Karelisë. E dinim që, pak para lufte, Tatjana Gnediç kishte shkuar të banonte me të ëmën në një hotel të vogël prej druri në ishullin Kameni. Më vonë, ndërkohë që unë isha ende në front, morëm vesh se nëna e saj kishte vdekur gjatë rrethimit, se shtëpia ishte djegur dhe se Tatjana ishte bërë përkthyese në shtabin e Lëvizjes së partizanëve. Herë pas here merrnim prej saj letra, shpeshherë vjersha, derisa një ditë u zhduk. Për shumë kohë. Nuk kishim më asnjë lajm prej saj. U përpoqa të merrja vesh ndonjë gjë, por Tatjana Gnediç kishte avulluar.

Mbas luftës, së bashku me gruan u gjendëm sërish në të njëjtin apartament, në numrin 73/75 të perspektivës Kirov. Nuk kish mbetur më asnjë nga banorët e vjetër: pothuajse të gjithë kishin vdekur gjatë rrethimit. Veç, herë pas here, hasnim ndonjë zonjë të kohës së vjetër që kish mbetur gjallë nga ndonjë mrekulli, me një kapele dhe një vjollcë. Një ditë, besoj se ishte në 1948-n, dikush nga apartamenti 24 erdhi më kërkoi: Lozinski kërkonte të më takonte. Kjo gjë ndodhte rrallë dhe nga ky shkak shkova në shtëpinë e tij pothuajse me vrap. Mihail Lozinski më tregoi të ulesha pranë tij mbi një kanape dhe më pëshpëriti me zërin e tij të ashpër, duke u sforcuar të fliste krejt zëultë: “Më ka ardhur një dorëshkrim i Tatjana Gnediçit. Ju kujtohet? Ka ardhur nga Shtëpia e Madhe.” Shtëpia e Madhe, në perspektivën Liteini? Sigurimi i shtetit? (Lozinski, simbas një zakoni të vjetër, vazhdonte ta quante herë Çeka, herë Gepeu.) Ç’do të thoshte kjo? Ç’kërkonin prej tij? “Është një përkthim i Don Zhuanit, poemës së Bajronit, vijoi Lozinski. Një përkthim i plotë. E kuptoni? Në tetëshe, në tetëshe të mrekullueshme klasike[4]. I ka përkthyer të shtatëmbëdhjetë mijë vargjet. Një vëllim gjigand me vargje të një cilësie të jashtëzakonshme. Dhe e dini përse ma kanë dërguar? Që të jap mendimin tim. NKVD[5] ka nevojë për mendimin tim rreth një përkthimi të Don Zhuanit të Bajronit!”

Ç’do të thoshte kjo? Isha po aq i habitur sa ai. Ndoshta edhe më tepër: nuk e dinim që Tatjana Gnediç qenkësh arrestuar. Cili kish qenë shkaku? Në ato vite, kjo ishte një pyetje që nuk bëhej. Ose, duke saktësuar me një ton ironik, se duhej të ishe idiot për ta bërë. Nga po na dilte ky Don Zhuan? Përkthimi i Tatjana Gnediçit ishte me të vërtetë i mrekullueshëm. E kuptova këtë kur Lozinski, zakonisht tejet i rezervuar, më lexoi disa tetëshe me gjysmë zëri por me një admirim të fshehtë. Duke i komentuar ato, ai ndërmendi dy tekste pararendës, “Shtëpia e vogël e Kolomnas”[6] e Pushkinit, dhe “Ëndrra e Popovit”[7] e Aleksis Tolstoit. Dhe Lozinski përsëriste: “Po këtu ka shtatëmbëdhjetë mijë vargje, që do të thotë më shumë se dy mijë tetëshe… Dhe me çfarë finese, me çfarë elegance! Çfarë lirie dhe saktësie në rimat, çfarë fryme shkrifëruese, ç’rafinim në perifrazat erotike… Le pastaj gjallëria e gjuhës!” Ai hartoi një raport, por unë nuk e pashë. Ndoshta kanë për ta gjetur një ditë nëpër arkivat e KGB-së.

Kaluan tetë vjet. Tashmë kishim kohë që jetonim në një apartament tjetër komunal, jo larg nga i vjetri, në numrin 59 të perspektivës Kirov. Një ditë prej ditësh, dikush trokiti në derë – tri trokitje. Ishte për ne[8]. Në prag po rrinte Tatjana Gnediç, me një pamje edhe më të plakur se dikur, me një xhaketë të arnuar dhe një torbë. Ajo po kthehej nga tetë vjet kamp. Në trenin që po e sillte në Leningrad, ajo kishte lexuar te Gazeta letrare artikullin tim “Një klasik me shumë fytyra”, kushtuar një botimi të ri të Bajronit përkthyer prej shumë poetësh tejet të ndryshëm nga njëri-tjetri. Asaj i ishte kujtuar e shkuara dhe, mbasi na kish gjetur adresën e re në apartamentin tonë të vjetër, kish ardhur të na takonte. Nuk kish ku të banonte dhe ndenji tek ne. Atëherë jetonim katër vetë në një dhomë, pesë me gjithë shërbyesen Galia, për të cilën kishim sajuar një kthinë.

Kur vara xhaketën e saj të arnuar në korridor, gjindja zuri të ulëriste: kutërbimi që vinte nga ajo xhaketë e kalbur ishte i padurueshëm. Duhet thënë se ajo fufajkë [9] (siç e quante Tatjana) ishte mbarsur me erën e gjithë burgjeve nga Leningradi në Vorkuta. Na u desh ta flaknim. Meqë Tatjana nuk kish asgjë tjetër për të veshur dhe meqë ishte e pamundur të blinte ndonjë gjë tjetër, dilnim me radhë. Por Tatjana e kalonte pjesën më të madhe të kohës përpara makinës së shkrimit, duke shtypur Don Zhuanin e saj.

Ja historia e këtij përkthimi.

Tatjana Gnediç ishte arrestuar pak para mbarimit të luftës, në 1945-n. Me ç’tregoi vetë, ajo ishte vetëdenoncuar. Çka ajo rrëfente kish pak gjasa të kishte ndodhur, por kish të bënte ama me psikozën e luftës: në atë kohë, ajo kish paraqitur kandidaturën për të hyrë në Parti (çka ishte kusht i domosdoshëm për të punuar në shtabin e partizanëve) dhe kishte shkuar vetë në komitetin e Partisë për ta tërhequr kandidaturën duke deklaruar se nuk kish moralisht te drejtën për të qenë në Parti pas asaj që kish bërë. E kishin arrestuar. Komisarët-hetues i ishin vënë punës me mish e me shpirt për t’i nxjerrë pohime: ç’kish dashur të thoshte? Ata nuk u besonin shpjegimeve të saj (as unë s’do t’u besoja po të mos e dija që ishte aq origjinale). Me kërkesën e një diplomati anglez, ajo kish përkthyer në tetëshe angleze një poemë të Vera Inberit “Meridiani i Pulkovos”[10], që ishte porositur të botohej në Londër. Pasi e lexoi, diplomati i kish thënë: “Nëse do punonit për ne, ju do mund të bënit shumë për marrëdhëniet kulturore ndërmjet Rusisë dhe Anglisë!” Këto fjalë i kishin lënë gjurmë të thella, ideja e një udhëtimi në Britaninë e Madhe kish filluar të mos i shqitej më nga mendja dhe ajo e konsideronte këtë si një tradhti. Pra, e kishte hequr kandidaturën e saj nga Partia. Kuptohet fort mirë që komisarët-hetues nuk e besuan këtë rrëfim haluçinant, megjithatë nuk arritën t’i gjenin akuza të tjera. Ajo u gjykua (gjë që bëhej në atë kohë) dhe u dënua me dhjetë vjet në një kamp riedukimi me punë të detyruar për “tradhti ndaj atdheut”, sipas nenit 19, që përcakton se synimi nuk ishte konkretizuar.

Pas gjykimit e mbyllën në burgun Shpalernaja, në një qeli me shumë të tjerë, në pritje për ta dërguar në një kamp. Një ditë, atë e thirri hetuesi i saj i fundit, i cili e pyeti: “Përse nuk merrni libra në bibliotekë? Ne kemi shumë libra, keni të drejtën t’i lexoni…” Tatjana Gnediç u përgjigj: “Jam e zënë, nuk kam kohë.” “Nuk keni kohë?” kish pyetur ai pa ndonjë habi të madhe, ngaqë e kish kuptuar tipin e saj të çuditshëm. “Po përkthej.” Dhe saktësoi: “Një poemë të Bajronit.” Hetuesi ishte njeri i kultivuar. Siç duket ai e dinte ç’ishte Don Zhuani. “E keni librin?” pyeti ai. Ajo u përgjigj: “Përkthej me kujtesë.” Ai u habit akoma më shumë. “Po si ia bëni për të mbajtur mend variantin përfundimtar?” pyeti, duke shfaqur një mirëkuptim të papritur të thelbit të çështjes. “Keni të drejtë, tha ajo, kjo është gjëja më e vështirë. Sikur të mund ta shënoja atë që kam bërë deri tani… Sidomos tani që po i afrohem fundit. Fillimi nuk po më kujtohet edhe aq mirë.”

Instruktori i dha një fletë letre dhe i tha: “Shkruajeni këtu gjithë çka keni përkthyer deri tani, dhe unë do ta shikoj nesër.” Ajo nuk guxoi të kërkonte fletë të tjera dhe iu fut punës. Kur ai u kthye në zyrën e vet të nesërmen në mëngjes, ajo ishte ende duke shkruar dhe një roje i tërbuar rrinte ulur pranë saj. Instruktori mori letrën: ishte e palexueshme, shkronjat kishin madhësinë e kokave të gjilpërës dhe çdo tetëshe zinte jo më tepër se një gjysmë-centimetri katror. “Lexojeni me zë!” tha ai. Ishte kënga IX, ajo për Katerinën II. Komisari-hetues dëgjoi për një kohë të gjatë leximin, duke shpërthyer herë pas here në të qeshura. Nuk u besonte as syve as veshëve: fleta e letrës me kokën ku shkruhej Deponim i të akuzuarit ishte e mbuluar nga të dyja anët nga strofa tejet të vockla katrore që ishte e pamundur t’i deshifroje, edhe sikur t’u vije lupën. Ai ia ndërpreu leximin duke britur: “Po për këtë duhet t’ju japin çmimin Stalin!” Ai nuk njihte kritere të tjera. Tatjana Gnediç ia ktheu me një fjalë të mençur: “Atë çmim ma keni dhënë me kohë!” Nuk ndodhte shpesh që ajo t’i lejonte vetes shaka të këtij lloji.

Leximi zgjati shumë. Tatjana Gnediç kishte arritur të ngjishte në atë fletë të paktën një mijë vargje, domethënë më tepër se njëqind e njëzet strofa tetëshe. “A mund t’ju ndihmoj me ndonjë gjë?” pyeti ai. “Po, dhe këtë mund ta bëni veç ju!” u përgjigj ajo. Asaj i duhej një botim i Bajronit (saktësoi atë që i dukej më i miri, i shoqëruar me komentarë), një fjalor Webster, letër, një laps dhe, natyrisht, një qeli më vete.

Disa ditë më vonë, komisari-hetues e mori me vete duke i rënë kryq e tërthor burgut dhe i gjeti një qeli me pak më shumë dritë se të tjerat. I sollën një tryezë dhe gjithë ç’kishte kërkuar.

Tatjana Gnediç kaloi dy vjet në atë qeli. Rrallë dilte për shëtitjen dhe nuk lexonte asnjë libër, por jetonte vetëm përmes poemës së Bajronit. Ajo më foli për ato muaj dhe më tha se përsëriste pa pushuar vargjet që Pushkini i kishte drejtuar paraardhësit të saj të vjetër, Nikolai Gnediçit:

Kaq kohë ti bisedove vetëm me Homerin,
Kaq kohë ne të pritëm këtu poshtë, o burrë,
Ja tek zbrite tani nga majat e misterit,
Me Tabelat e Ligjit të gdhendura në gur.

Ai bisedonte i vetëm me Homerin dhe ajo me Bajronin. Në krye të dy viteve, ashtu si Nikolai Gnediç, Tatjana zbriti prej majave të saj të mistershme me Tabelat e Ligjit të gdhendura në gur. Vetëm se majat e mistershme të saj ishin një qeli burgu e pajisur me një kovë me erë të keqe dhe, në dritare, një “turizë” që fshihte qiellin e që pengonte depërtimin e dritës. Askush s’e bezdiste përveç gardianit i cili, herë pas here, kur ajo vërtitej nëpër qeli duke kërkuar rima, hapte derën me zhurmë dhe lehte: “Të kemi thënë të shkruash, jo të bësh shëtitje!”

Kuvendimi i saj me Bajronin zgjati dy vjet. Kur i vuri pikën e fundit këngës së fundit, i çoi lajm komisarit-hetues se punën e kishte përfunduar. Ai e thirri në zyrë, mori pirgun e fletëve dhe e informoi se në kamp do ta dërgonin vetëm mbasi dorëshkrimi të ishte shtypur në makinë. Daktilografisti i burgut kaloi shumë kohë duke punuar me të. Pastaj komisari-hetues i dha të korrigjonte tri kopjet. Njërën e mbylli në kasafortë, të dytën ia dha asaj në vend të lejes së kalimit dhe e pyeti se kujt mund t’ia çonte kopjen e tretë për të marrë një mendim. Atëherë Tatjana i dha emrin e Lozinskit.

E dërguan në një kamp ku kaloi tetë vitet që i mbeteshin, nga dita e parë deri tek e fundit. Ajo nuk ndahej kurrë nga dorëshkrimi. Fletët e çmuara kishin kaluar shumë rreziqe: “Do na mërzitësh akoma me ato kartat e tua të pjerdhura?” bërtisnin fqinjët nga shtretërit e tjerë. Ajo kish arritur ta ruante dorëshkrimin derisa u kthye, deri ditën kur na erdhi në shtëpi, në perspektivën Kirov, para një makine shkrimi dhe nisi të shtypë Don Zhuanin e saj. Në tetë vjet, ajo kishte mbledhur një sasi të madhe korrektimesh. Veç këtyre, pas kalvarëve nëpër burgje e kampe, ky dorëshkrim lëshonte një kutërbim po aq të ndyrë sa edhe fufajka e saj.

Në Lidhjen e Shkrimtarëve u organizua një mbrëmje për nder të saj, ku ajo lexoi fragmente nga Don Zhuani. Përkthimi u vlerësua siç e meritonte. Tatjana Gnediç ishte sidomos tejet krenare nga lëvdatat e mëdha të disa mjeshtërve që ajo i vlerësonte lart: Elga Lineckaja, Vladimir Shor, Elisaveta Polonskaja. Në krye të një viti e gjysmë, botimet Kudozhstvenaja Literatura botuan Don Zhuanin e saj, të shoqëruar me një parathënie të N. Diakonovës. Tirazhi ishte njëqind mijë kopje. Njëqind mijë kopje! E dënuara Gnediç, e cila përgjatë dy vjetësh e kishte ndarë qelinë e burgut me minjtë, do ta kish përfytyruar vallë diçka të tillë?

Atë vit e kaluam verën në fshatin Siverskaja, buzë lumit Oredezh, dhe për Tatjanën kishim marrë me qira një dhomë pranë nesh. Një ditë, e hasa atë rastësisht pranë stacionit. Po zbriste nga treni e ngarkuar me një thes të stërmadh. Nxitova për ta ndihmuar, por ajo kundërshtoi duke thënë se thesi ishte shumë i lehtë dhe, në të vërtetë, ai s’rëndonte pothuajse aspak. Në thes kishte futur ca lodra prej celuloidi dhe kartoni për gjithë fëmijët e lagjes. Tatjana kishte marrë një paradhënie për Don Zhuanin, një shumë të majme (shtatëmbëdhjetë mijë rubla), pa folur për përqindjet. Për të parën herë mbas kaq vitesh, ajo kishte blerë gjërat e nevojshme për veten dhe dhurata për të tjerët. Duhet të themi që ajo nuk kishte asgjë: as stilolaps, as orë dore, madje as një palë syze për të qenë.

Ksombla që ajo më dha mbante numrin 2. Kush e kishte ksomblën numër 1? Askush. Ajo ishte taksur për komisarin-hetues, por megjithë përpjekjet që kishte bërë, Tatjana Gnediç nuk kish arritur ta gjente mirëbërësin e saj. Padyshim që ai kishte qenë shumë i kultivuar e liberal. Sipas gjithë gjasave, organet e kishin ekzekutuar.

Regjisori dhe piktori Akimov e kish lexuar Don Zhuanin gjatë pushimeve dhe ishte ngazëllyer. Ai kishte ftuar Tatjana Gnediçin në shtëpinë e vet dhe i kishte propozuar të punonin së bashku. Ata e kishin shndërruar poemën në shfaqje teatrore. Nga miqësia e tyre kishte lindur një tjetër vepër arti e pazakontë: një portret i Tatjana Gnediçit nga N. Akimovi, njëri nga portretet më të mirë të serisë së tij me portrete bashkëkohësish. Shfaqja që vuri ai në skenë në Teatrin e Komedisë, ku ishte drejtor, pati shumë sukses dhe ndenji në afishe përgjatë shumë vitesh. Premiera, për të cilën fola në fillim, përfundoi me triumfin e Tatjana Gnediçit. Në atë kohë, dy botimet e Don Zhuanit të saj kishin arritur një tirazh prej njëqind e pesëdhjetë mijë kopjesh; në botimin e ri të librit të Çukovskit të titulluar Arti i Madh[11], përkthimi i Don Zhuanit ishte konsideruar si një nga realizimet më të bukura në fushën e përkthimit poetik bashkëkohor; eseja ime Poezi dhe përkthim kishte dalë tanimë dhe në të tregoja në vija të trasha historinë e këtij teksti, të cilin e renditja midis kryeveprave të artit të përkthimit. Por ishte pikërisht ai çast, kur shtatëqind spektatorët u ngritën në këmbë për të falenderuar autoren e ftuar të ngjitej në skenë, apoteoza e jetës së Tatjana Gnediçit.

Pas çlirimit, ajo jetoi edhe tridhjetë vjet. Gjithçka dukej se po i shkonte mirë në jetë. Kish krijuar edhe familje: nga kampet kish sjellë me vete një plakë që e kishte në vend të nënës. E po ashtu një bubërrues duarartë të pazakontë, Egorin, që ishte në njëfarë mënyre burri i saj. Mbas disa vitesh, ajo birësoi Tolian, një djalë që i ngeli gjithmonë besnik nënës birësuese. Falë saj, ai bëri studime në universitet dhe u bë specialist i italishtes.

Thashë se “dukej” se gjithçka po i shkonte mirë. Në të vërtetë, “nëna e kampit”, Anastasia Dmitrievna, ishte një ters i vërtetë që ripërtypte ide të zeza. “Burri i kampit”, Gregori Pavloviç (Egori), ishte një i alkoolizuar i shkallës së fundit dhe shante si harbut. Së jashtmi, Tatjana e kish qytetëruar, i kish mësuar, p.sh. sesi në vend të sharjes së tij të parapëlqyer, të përdorte emrin e një hyu latin. Tani, ai priste nxënësit e gruas së tij duke thënë: “Do pimë ndonjë gotë, çuna? Dhe po nuk deshi ajo, le të vejë në feb!” “Mamaja” dhe “burri” i saj nuk kuptonin asgjë nga letërsia, por as që kishin dëshirë të kuptonin ndonjë gjë dhe tekefundit ishin të pazotët për këtë. Por nën udhëheqjen e gruas, Egori zbukuronte bredhin e Vitit të Ri me ca mekanizma të veckël gjenialë që i fabrikonte vetë. Nganjëherë ndodhte që edhe ta rrihte. Kur e pyesja nëse kishte frikë se mos ai shkonte më tej, Tatjana përgjigjej plot gjykim të shëndoshë: “E kush do vriste pulën që bën vezë të arta?”

Tatjana i jetoi dekadat e fundit të jetës ashtu siç kishte ëndërruar gjithmonë, në Pavlovsk, në fund të parkut, pranë Carskoi Sielos së saj të dashur, të cilit i kishte kushtuar shumë poezi të pabotuara kurrë, ashtu si pjesa më e madhe e vargjeve të saj.

Sa bukur që parku është kaq i gjallëruar,
Që së largu duket Hermitazhi q’e adhuroj,
Që gjumi i kolonave është kaq i zbardhëlluar,
Që konturet e çuditshme janë përherë njëlloj.
Sa mirë është që këtu të qëndrojmë un’ e ti
Nën hijen e blirëve – e shenjtë për çdo njeri,
Dhe në kupën e kulluar të frymëzimit, të dy,
Ujërat e Lethesë t’i pijmë në qetësi.

20 gusht 1955
Qyteti i Pushkinit

Tatjana Gnediç (1907-1976) vdiq në qytetin e Pushkinit (Carskoi Sielo), pranë Leningradit. Në vitet pesëdhjetë, ajo drejtoi një seminar përkthimi që ishte një fidanishte e vërtetë përkthyesish që sot kanë bërë emër.

Përktheu: Alket Çani

———

[1] Nikolai Akimov (1901-1968), regjisor, piktor dhe grafist, drejtoi për vite të tëra Teatrin e Komedisë së Leningradit.

[2] Nikolai Gnediç (1784-1833) kishte miqësi të madhe me poetët e brezit të tij. Ai botoi Batiushkovin dhe Pushkinin dhe ia kushtoi jetën përkthimit të Iliadës në hekzametra daktilikë. Ky përkthim, që doli në Shën-Petërsburg në vitin 1829, konsiderohet si një kryevepër e gjuhës ruse. Qysh nga ajo kohë askush nuk e ka ripërkthyer.

[3] Akmeizmi ka qenë lëvizje poetike në fillim të shekullit XX, përfaqësuesit më në zë të së cilës janë Nikolas Gumiliov, Ana Ahmatova dhe Osip Mandelshtam.

[4] Strofa me tetë vargje ku vargu i parë rimon me të tretin dhe i pesti e i dyti me të katërtin dhe të gjashtin, ndërsa i shtati me të tetin.

[5] Narodnii komissariat vnoutrennikh diél (Komisariati Popullor i Punëve të Brendshme), policia politike e BRSS, krijuar më 1934, i cili, pas njëzet vjtësh ia la vendin KGB-së. (shën. i përkth.)

[6] Poemë prej pesëdhjetetetë tetëshesh shkruar nga Pushkini në vitin 1830.

[7] Poemë satirike prej dyzetë e dy tetëshesh shkruar në 1873-në nga poeti Aleksis K. Tolstoi (1817-1875).

[8] Çdo familje që banonte në një apartament komunal kishte një kod.

[9] Xhaketë ushtarake ruse (shën. i përkth.)

[10] Poemë e Vera Inberit (1890-1972) kushtuar qytetit të Leningradit dhe rezistencës së banorëve të tij gjatë rrethimit. Meridiani i Pulkovos, që përshkon observatorin astronomik të Pulkovos, ka shërbyer si meridiani zero në perandorinë ruse deri në fillim të shekullit XX. Është ky meridian që kufizoi linjën e mbrojtjes të arritur nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

[11] Vepër kushtuar përkthimit, e autorit Kornei Çukovski (1882-1969). Poet, kritik letrar dhe përkthyes i madh, autor poemash të famshme për fëmijë, ai ishte një figurë madhore e jetës letrare në Rusi gjatë gjithë shekullit XX.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top