Pas vdekjes së bashkëpunetores sime M.S-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pas vdekjes së bashkëpunetores sime M.S-Bertolt Brecht

 I

Në vitin e nëntë të arratisjes nga Hitleri

E lodhur prej udhëtimit

Prej të ftohtit e prej urisë në Finlandën dimërore

Dhe prej të priturit për një pasaportë drejt një kontinenti tjetër

Shoqja jonë Steffin vdiq

Në qytetin e kuq të Moskës.

II

Gjenerali im ra

Ushtari im ra

 

Nxënësi im shkoi

Mësuesi im shkoi

 

Mëndesha ime iku

Foshnja ime iku.

III

Kur erdhi koha që një Vdekje jo e pasjellshme

I rrudhi shpatullat dhe m’i tregoi pesë lobet e dërrmuara të mushkërive të saj

Duke mos mundur ta paramendoj se si do të mund të mbijetonte vetëm me të gjashtin

Unë shpejt e shpejt i mblodha 500 punë

Gjëra që duhen bërë menjëherë, tani, nesër, vitin e ardhshëm

E për shtatë vite rresht nisur nga tash

Nisa të pyes pyetje të pambarimta, por vendimtare

Që s’u jep dot përgjigje tjetërkush veç saj

Dhe kaq e nevojitur

Ajo vdiq më lehtësisht.

IV

Në kujtim të mësueses sime të vogël

Të syve të saj, të xixave të kaltra të mllefit të saj

Dhe palltos së saj prej doku të vjetëruar me kapuçin e madh

E me fundin e gjatë, unë e kisha pagëzuar

Orionin në qiellin e natës si konstelacioni Steffin.

E kur ngre sytë për ta vështruar, duke tundur kokën

Herë herë dëgjoj një kollitje të lehtë.

V

Rrënojë

Aty është kutia e drunjtë ku ende rrinë letrat me shënime për ndërtimin e dramës

Aty janë thikat bavareze, aty është tryeza për të shkruar mbi të

Aty është dërrasa e zezë, aty janë ende maskat

Aty është radioja e vogël, dhe arka ushtarake

Aty është përgjigjja, vetëm se s’është më askush që të bëjë pyetjet

Lart mbi kopsht

Qëndron Konstelacioni Steffin.

VI

Pas vdekjes së bashkëpunëtores sime M.S.

Që kur vdiqe ti, mësuese e vogël

Unë vij vërdallë pa pushim, pa parë gjë

Në një botë të hirtë, i mpirë

Si të isha i papunë, si të mos kisha asgjë për të bërë.

 

S’ka pranim

Në punishten e teatrit për mua, as për

Ndonjë të huaj tjetër.

 

Rrugët dhe kopshtet publike

Tash i shoh në orë të pazakonta, kështu që

Zor se i njoh.

 

Në shtëpi

Nuk mund të shkoj: më vjen turp

Prej të qenit i papunë dhe

Në mjerim.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top