Për mësimet e marra nga një miqësi e gjatë me Louise Glück-un/Dana Levin

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Dana Levin

Miku im, Mark-u, më dërgoi një mesazh në 6:18 A.M., dje: “Louise Glück fitoi Çmimin Nobel!” Gjithë mëngjesin, e pashë veten duke bërë diçka që nuk e kisha bërë dhe aq shumë që kur pandemia goditi këtë vit të tmerrshëm të zgjedhjeve: hidhesha përpjetë nga gëzimi.
Një vlerësim i tillë për një jetë në art! Dhe ajo jetë kishte ndryshuar edhe timen: minutën, njëzet e dy vite më parë, kur Louise më hoqi dorëshkrimin e librit tim të parë nga grumbulli i dorëshkrimeve konkurruese për Çmimin APR / Honickman.
Një vit pas kësaj, më 1999, e takova për herë të parë gjatë një seance leximi në Santa Fe. E preka në shpatull dhe iu prezantova. Ajo më mbështolli në përqafimin më të ngrohtë të mundshëm – dukej e pamundur që një përqafim i tillë të vinte nga një person aq i imët. Duke më kapur nga krahët, ajo u përkul dhe më mbështolli brenda saj: “Ti nuk je aspak ajo që prisja – kush do të mendonte se një personalitet me kaq diell mund të shkruante poezi aq shkatërruese!”
Ishte një kompliment i një niveli të lartë, që më shqetësoi për ditë të tëra. A kishte ndonjë ndarje midis vetes sime në botë dhe vetes sime në letërsi? Louise më dukej se ishte saktësisht vetvetja, kudo: në jetë dhe në art. Detyrë e ngatërruar, e vështirë! Aq pak njerëz e arrijnë me të vërtetë këtë.
Louise kishte një kapacitet misterioz për ta ndryshuar qasjen e saj estetike dhe ende të krijonte poezi që ishin pagabueshmërisht të sajat. E pyeta për këtë njëherë dhe ajo tha se do t’i jepte vetes ca detyra, kur të fillonte të shkruante përsëri pas një heshtjeje të gjatë. Me Vita Nova-n, ajo mendonte: Unë kurrë nuk përdor përsëritje apo pyetje; në këtë mënyrë çdo poezi do të duhet ta përfshijë secilën prej tyre. Ajo mund t’i mos i zbatojë të gjitha në çdo poezi ndërsa libri zhvillohet, por detyra të tilla – me natyrë të thjeshtë dhe formale – e shtynë atë të tingëllonte, në një mënyrë të re, pikërisht si ajo.
Pas kësaj, unë kërkova rrëfimet në secilin libër ndërsa debutonte: humori dhe fjalimi i regjistruar i Meadowlands-it; përdorimi i fragmenteve dhe i sekuencave të gjata në Averno; poezitë prozaike, të paqarta dhe shqetësuese në Faithful and Virtuous Night.
Në Averno pashë ndikimin e punës së saj me poetët e rinj, në cilësinë e saj si anëtare jurie e Çmimit të Poetit më të Ri në Serinë “Yale”, siç njihej atëherë. Unë kam qenë një ekran për të gjatë atyre viteve. Mësova se ajo donte atë që ishte e gjallë dhe e egër, edhe sikur të dukej e papjekur mirë. Ajo i linte mënjanë: aq shpesh dorëshkrime që i ndiente të plogëta. “Ma dërgoni nëse ndihet e gjallë,” udhëzonte ajo, “edhe nëse mendoni se ka nevojë për punë.” Dhe vërtet, çdo vit ajo do të punonte për libra të tillë me fituesin e vitit dhe një apo dy finalistë, duke e fluturuar secilin poet në Kembrixh me shpenzimet e saj, duke kaluar një fundjavë intensive me librin dhe autorin, nën syrin e saj të saktë. Dhe gjithmonë, vërejtja e qartë për finalistët: një punë e tillë nuk ishte asnjë garanci për të fituar vitin e ardhshëm – ja të shohim se çfarë po bën me librin.
Duke bërë këtë punë me të, njëherë e pyeta se çfarë e shtyu ta merrte dorëshkrimin tim shumë vite më parë. “Nuk më pëlqente libri yt”, tha ajo, pa hezitim. Fillova të qeshja – çiltërsia e saj e famshme shpesh e kishte këtë efekt tek unë, edhe kur ishte në kurrizin tim. “Pse e zgjodhe atëherë? ” Iu përgjigja unë, mosbesuese. Sytë e saj u zgjeruan: “Sepse nuk mund të ndaloja së menduari për të.”
Ajo tha se vendosi se, nëse nuk mundej të ndalonte së menduari për një libër, edhe nëse kjo i shqetësonte ndjenjën e saj të estetikës, do të thoshte që libri do të fitonte. Dhe shpesh, rezervimet e saj fillestare do të shndërroheshin në admirim.
Një qasje e tillë përfshin zemërgjerësi të mendjes dhe aftësi të madhe vetë-reflektuese; kërkon durim dhe gatishmëri për t’u ulur me mospëlqimin: këto janë veprime të mëdha të përkushtimit ndaj artit. Unë imagjinoj tani që ky është i njëjti sy që ajo sjell në punën e saj, syri i nevojshëm për të shkruar libra që janë krejtësisht të rinj dhe plotësisht alla Glück.
Ajo e modelon vigjilencën përkundrejt vetëkënaqësisë. Ajo më ka mësuar të kuptoj se kur një firmë stili shërben thjesht si patericë; për të vlerësuar rastet kur e njohura pengon potencialisht të jashtëzakonshmen…
Ajo më ka këshilluar: – Mos u rehato!

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The Paris Review

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top