Tetë mijë skamnorë tubohen jashtë qytetit-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Më shumë se 8000 minatorë të papunë, me gratë dhe fëmijët e tyre, janë grumbulluar në qiell të hapur në rrugën Salgotarjan, jashtë Budapestit.

Dy ditët e para të organizimit të tyre ata kanë ndenjur pa ushqim. Janë të veshur me rrecka. Duken si skelete. Nëse nuk arrijnë të gjejnë ushqim dhe punë ata kanë kërcënuar se do të hyjnë në Budapest, edhe nëse kjo do të shkaktonte gjakderdhje; sepse s’kanë më asgjë për të humbur.

Forca ushtarake janë grumbulluar në regjionin e Budapestit, të cilave u janë dhënë urdhra të prerë që të përdorin armët e zjarrit nëse ndodh edhe më e vogla prishje e qetësisë.

 

Tetë mijë skamnorë tubohen jashtë qytetit-Bertolt Brecht

 

Ecëm deri te qyteti i madh

Me barkun e zbrazët dolëm në rrugë

Një mijë prej nesh s’patën gjë për të ngrënë

Një mijë prej nesh donin bukë.

Gjenerali na shihte nga dritarja

Na tha se aty s’mund të rrimë

Shkoni n’shpi paqësisht si djema të mirë

Dhe kërkesat na i bëni me shkrim.

Ne u ndalëm në mes të asfaltit:

“Do na japin një copë bukë këtu, s’do na lënë të mbarojmë”

Por askush nuk na vuri re

Ndërsa ne shihnim oxhaqet e tyre tek tymojnë.

E atëherë erdhi te ne gjenerali.

Menduam: Më në fund na prunë ushqim

Gjenerali u ul pas një mitrolozi

Vetëm plumba e çelik qe ai gatim.

Gjenerali tha: Jeni tubuar më shumë se ç’lejohet

Dhe ia nisi menjëherë të na numëronte.

Ne i thamë, të gjithë këta që sheh

S’patën asgjë për të ngrënë sonte.

Ne s’po ndërtojmë lagje barakash

Ne s’po i lajmë rrobat aty ku s’lejohet

I thamë: Ne s’mund të rrimë shumë gjatë pa bukë.

Gjenerali na tha: Kjo vetëkuptohet.

I thamë: Por s’mund të vdesim të gjithë

E pse jo? – gjenerali na tha

Po nxehet pak situata aty jashtë, thanë njerëzit e qytetit

Breshëria e parë kur ra.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top