PANIK I ATYPËRATYSHËM-IVAN EGÜEZ

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

IVAN EGÜEZ

Ekuador, 1944

Sot në mëngjes, unë e Klaudia, si përherë, u nisëm për në punë, me makinën që prindërit e mi na patën dhuruar, këtu e dhjetë vjet të shkuara, me rastin e martesës sonë. Duke ecur, befas, ndjeva se pranë pedales ndodhej një send. Një portofol?! Një?… Papritur, u kujtova se mbrëmë, kur çova Marien në shtëpi, puthja e çiltër, si zakonisht, në faqe, pa e menduar, shpëtoi e rendi te cepi i buzëve, te gusha, te supet, te leva e marsheve, te gjimbajtëset dhe, më në fund, te sedilja e shtrirë.
– Je si i hutuar, – më tha Klaudia, kur desh kalova semaforin në të kuq.
Pastaj, diçka tha nëpër dhëmbë, por unë tashmë nuk e mora vesh. Po më djersitnin duart dhe ndjeva se këmba, aty poshtë, dëshpërimisht, po përpiqej ta prekte dhe ta shqyrtonte saktësisht, se çfarë ishte ajo gjë, dhe për ta kapur, pa e marrë vesh fare ime shoqe. Më në fund, arrita ta kaloj atë send në të majtë të pedales së gazit dhe ta shpie deri te freksioni. E shtyva drejt derës me qëllim që, njëherazi, ta hapja e ta hidhja në rrugë atë send të tmerrshëm. Me gjithë përpjekjet që bëra, e pata të pamundur. Atëherë, vendosa ta çoroditja disi Klaudian që ta merrja me dorë sendin e ta flakja nga dritarja. Por Klaudia, e mbështetur tek dera e saj, e kishte vështrimin pikërisht tek unë. Më pushtoi ankthi. Shtova shpejtësinë, ndërkohë, nga pasqyra pashë të vinte mbrapa një makinë policie. E pashë të arsyeshme ta shtoj edhe më shpejtësinë për t’iu larguar patrullës së policisë, sepse po ta shihnin atë që do të hidhja nga dritarja, kushedi se ç”do të pandehnin.
– Pse nxiton kaq shumë? – më pyet Klaudia, si të më hetonte, ndërkohë që u kthye përpara, si të parandiente ndonjë përplasje.
Vura re se makina e policisë mbeti mbrapa, të paktën nja një qind metra. Atëherë, duke përfituar që po i afroheshim një rrethrrotullimi, i thashë Klaudias të nxirrte dorën për të treguar se do të ktheheshim djathtas. Ndërkohë që ajo po bënte këtë, mora sendin e çuditshëm: ishte një këpucë e lehtë me lidhëza të kaltra dhe me taka të larta. Pa u menduar dy herë, e flaka nga dritarja. Duke përshkuar rrethrrotullimin, po gëzoja aq shumë, sa isha gati të bërtisja, madje të zbrisja e të duartrokisja, për të festuar bëmën time, por ngela me gjak të ngrirë, kur nga pasqyra, pashë përsëri makinën e policisë. M’u duk se do të ndalte për të marrë këpucën dhe do të më jepte shenjën për të më ndaluar.
– Çfarë ke? – më pyeti Klaudia me zërin e saj të çiltër.
– Nuk e di, – i thashë, – çdo gjë mund të presësh nga këta trapat.
Por makina e policisë rrugore mori kthesën dhe vazhdoi drejt parkimit të firmës ku punon Klaudia. Pas nesh frenoi një taksi, duke bërë t’i kuisnin gomat. Ishte një punonjëse tjetër, e vonuar, nga ato që e bëjnë makijazhin në taksi.
– Mirupafshim, zemër! – më tha Klaudia, ndërsa, me këmbën e saj lojcake kërkonte më kot këpucën e vet me lidhëza të kaltra.

Përktheu Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Librashitësi-Rozafa Shpuza Kapakë historish të zverdhunastivon përditë n’thembër t’bulevardit, e njajtë me
Go to Top