Jorge Luis Borges
«Doktrinën romantike të një Muze që frymëzon poetët, e predikuan klasikët; doktrinën klasike të poezisë si një operacion i inteligjencës, e shpalli një romantik, Poe, aty nga viti 1846. Kjo është paradoksale. Përveç disa rasteve të veçuara të frymëzimit onirik, është e qartë se dy doktrinat kanë secila pjesën e vet të së vërtetës, por ato përkojnë me stade të ndryshme të procesit krijues. (Me Muzë duhet të kuptojmë atë që hebrejtë dhe Milton-i e quajtën Shpirt dhe që mitologjia jonë e trishtë e quan Nënvetëdije.) Për sa më përket, procesi është pothuaj i pandryshueshëm. E filloj duke m’u shfaqur një formë, një lloj ishulli i largët, që më vonë do bëhet tregim a poezi. Shikoj fundin dhe fillimin, por jo fazën e ndërmjetme. Kjo e fundit më zbulohet dalëngadalë, kur yjet ose rastësia janë të mbara. Më se një herë duhet të bëj udhën e kthimit nëpër zonën e hijes. Përpiqem të ndërhyj sa më pak të jetë e mundur në evoluimin e veprës. Nuk dua të deformohet nga opinionet e mia, që janë gjërat më të parëndësishme që kemi. Koncepti i artit të angazhuar është një naivitet, sepse askush nuk e di me saktësi se ç’bën. Kipling-u pranoi se shkrimtari mund të konceptonte një fabul, por jo të depërtonte në moralin e saj. Ai duhet t’i mbetet besnik imagjinatës së tij, jo rrethanës, detajit jetëshkurtër të një “realiteti” të supozuar.
Letërsia nis nga vargu dhe mund të duhen shekuj për të shquar mundësinë e prozës. Pas katërqind vjetësh, anglosaksonët lanë një poezi shpeshherë të admirueshme dhe një prozë jo edhe aq të qartë. Me sa duket, fjala do ketë qenë fillimi i një simboli magjik, të cilin gërryerja e kohës e ka zhvlerësuar. Misioni i poetit qenka t’i kthejë fjalës, qoftë edhe pjesërisht, virtytin e saj primitiv dhe tashmë të fshehur. Me sa duket, çdo varg paska dy detyra: të komunikojë një fakt të përpiktë dhe të na prekë fizikisht, si fqinjësia e detit.
Pas kaq vitesh – kaq shumë vitesh – të kushtuara ushtrimit të letërsisë, mund të them se nuk predikoj asnjë estetikë. Ç’vlerë ka që kufijve natyrorë që na imponon zakoni t’u shtojmë edhe kufijtë e një teorie? Teoritë, ashtu si bindjet politike apo fetare, nuk janë gjë tjetër veçse stimuj. Siç i ka një shkrimtar, nuk i ka një tjetër. Whitman-i kishte të drejtë që e refuzoi rimën; një refuzim i tillë do kishte qenë marrëzi, nëse do ta kish bërë Hugo-i.»
Përktheu: Alket Çani