Fragment nga romani:”Terma humanitarë si fjala bombardim”/ Arlinda Guma

in Letërsi/Tharm by

Arlinda Guma

– Burri ka një qen… ka edhe një grua…

Çdo mëngjes del në oborr dhe ulet në shkallët e gurta, me cigaren në cep të buzës. Cigarja rrëzohet përtokë kur ai ul kokën për të lidhur këpucët.

Ndërkohë që gishtat përpëliten përmes lidhëseve të ngatërruara, ai ndien pranë veshit zhumën e putrave të qenit, i cili afrohet mëdyshës. Qeni i ndalon hapat kur burri ngre kokën dhe ndesh vështrimin e tij.

Për disa minuta ata të dy shikohen drejt e në sy. Qeni nuk bën as para as mbrapa. Ai qëndron me njërën putër ngritur, mëdyshës ende… E ka të vështirë ta deshifrojë vështrimin e burrit.

Vështrimi i burrit është i zbrazët. Qeni mundohet të gjejë ndonjë shkrepëtimë të mekur ngrohtësie aty, por nuk ia arrin; brenda të përhirtës së syve të burrit nuk ka as egërsi, as butësi.

Kalojnë disa çaste të tjera.

Qeni dorëzohet i pari. Ai nis të përplasë qepallat butësisht, ndërsa burri, i bezdisur prej syve të tij të nënshtruar, largon vështrimin e zbrazët.

Qëllon ndonjëherë që burri të ngrejë dorën për të shkundur ndonjë qime nga xhaketa, pikërisht në atë çast qeni ia mbath i frikësuar. Burri e ndjek me sy vrapin e tij, pastaj nxjerr makinën nga garazhi dhe niset për në punë.

Por frika e qenit nuk është e gjitha e kotë. Qëllon (në të vërtetë… qëllon shpesh) që në çastin e kryqëzimit të vështrimeve, qeni të hajë papritur ndonjë shkelm të fortë në bark. Pikërisht atë çast qeni ka arritur ta lexojë vështrimin, por e gjithë kjo pa dobi, qeni e ka të pamundur të largohet para se të hajë shkelmin (çështje refleksesh të vonuara).

Pas goditjes qeni lëshon një klithmë té mbytur dhe largohet çalë-çalë. Ai futet në koliben e tij dhe rrëzon kokën mbi këmbët e parme.

Ndërsa makina e errët e burrit është duke u larguar, perdja e dritares mënjanohet paksa… dhe atje në cep të qelqit të veshur me avull dallohet mjegullazi shikimi i vrarë i gruas.

Ajo ndjek me sy makinën derisa zhduket në kthesë.

Më pas perdja lëshohet dhe fytyra e gruas nuk duket më.

“Terma humanitarë si fjala bombardim”

Arlinda Guma është autore e romaneve:”Bulevardi i Yjeve”-2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”-2016, “Bob Legjenda”-2021, autore e faqes defekt-teknik.com.

2 Comments

  1. Bukur. Jep menjehere nje gjendje te caktuar e te rende psikologjike, qe shkon me larg se kaq. Si ajo perdja qe bie, fsheh jo nje individ por ekzistences e nje shoqerie te dhuneshme.

  2. E lexova romanin tuaj Terma humanitare si fjala bombardim.
    Nje roman i shkelqyer! Mendime te thella, ironi, poetike e kursyer aty ku duhet, filozofi, mistike, finese dhe kompozicioni UNIK.
    Jeni shume me perpara kolegeve tuaj shqiptare. Perkthejeni kete liber. Duhet. Patjeter.
    Faleminderit per kenaqesine qe me dhuruat me librin dhe tani me kete faqe qe e hasa rastesisht. Me cfare shoh ketu kuptoj qe finesa e atij romani nuk ka qene thjesht rastesi. Pac fat vajze e mencur! Je pasuri per kete vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top