Era e nëntorit-Tasos Livadhitis

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Era e nëntorit-Tasos Livadhitis

 

Tashmë u err.
Le ta mbyllim derën
t’i mbyllim edhe perdet
se mbërriti koha e llogaridhënies.

Ç’bëjmë me jetën tonë?
Kush jemi?
Përse ti e jo unë?

U bë kohë tanimë që kurrkush
nuk troket më në derën tonë.
As postieri nuk është
bërë më i gjallë prej ditësh?

Oh, sa shumë gjëra,
sa shumë poezi mori me vete
era e nëntorit.

Në e kam çuar dëm jetën time,
e kam çuar për gjëra të parëndësishme:
për një fjalë, për një çelës,
për një të shkuar, për një të ardhme
mirëpo netët e mia
mbajnë gjithmonë
erë lule vjollcë,
se rri e rri e mendoj.

Sa miq janë larguar
pa lënë adresë,
sa fjalë kanë mbetur pa përgjigje
dhe muzika, them me vete,
është trishtimi i atyre
që nuk ia dolën dot
të dashurojnë.

Aq sa në fund
mbetet veç
një kujtim i mjegullt
i së shkuarës
(kur jetuam?)
dhe sa herë vjen pranvera vajtoj
se pas pak do të ikim
dhe askush nuk do të na kujtojë.

 

Përktheu: Stefan Zhupa

Tasos Livadhitis, “Τα Χειρόγραφα του Θφινοπώρου”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top