Ditët e fundit të Festivalit Amerikan të Poezisë në New York/Visar Zhiti

in A(rt)ktivizëm by

Visar Zhiti

MBRËMJA E DYTË E FESTIVALIT
TË POEZISË NË NEW YORK

Grupi ynë e bëri rrugën në këmbë si një shëtitje nëpër New York duke fotografar me celularë statuja… Mbërrritëm në City College Center for Worker Education 25 Broadway, 7th Floor New York…


Një vizitë mjediseve plot dritë, ku nga dritaret shikoheshin grataçielet, në një tjetër oqean që futet në qytet copa-copa dhe si një vegim Statuja e famshme e Lirisë siç duket që studentët ta ndjejnë që është dija dhe liria që bëjnë mrekullira…


Në Auditorium, pas prezantimit që bënë organizatorët, dy Carlos-at, nisën leximet e poezive me poetë nga bota, nga SHBA-ja dhe nga kontinenti Amerikan, nga Amerika Latine shumica, zotëron spanjishtja, nga Afrika, nga Egjipti dhe Maroku, nga Europa, Spanjë, Itali, Greqi, etj, dhe Shqipëria jonë. Poetë të moshave të ndryshme, me mjekrra te bardha dhe vajza te qeshura, me shkop në dorë (poezia është mbështetje më e fuqishme…), profesorë universitarê të rinj, të gjithe me tufat e fletëve perpara si flatra pëllumbash…


Kur erdhi radha ime thashë se sot kanë ditelindjen 3 poete shqiptarë, Migjeni, Agolli dhe bashkëvuajtësi i burgjeve Pano Taçi. Pasi tregova diçka për secilin dhe kohët e tyre, leximin e poezisë sime të parë ia kushtova poetit Pano Taçi, që e burgosën se donte të arratisej për në SHBA, edhe pse kishte qenë partizan. Endrrën e tij e kam marrë unë me vete, thashë. Poeti amerikan Bill Wolak i recitoi me pathos dhe u duartrokit gjatë…


Kur mbaruam m’u mblodhen shumë nga poetët, një kilian më tregoi se kishte qenë në burg dhe ai, kur sundonte Pinoçeti, 4 muaj, po ti më pyeti. 24 herë më shumë. Qeshëm me trishtim. Me të kaluarën dhe qeshet. M’u afrua një vajzë e bukur poete nga Meksika, e njeh Xhevdet Bajrajn, më tha. Po, i thashë. E kam patur mesues, më tregoi me adhurim për të. Poeti nga Kosova, që iku para kohë në amëshim, këtë vit, dhimbje për të gjithë që e kanë njohur dhe që e lexojnë me ëndje poezinë e tij të shkëlqyer…
U kthyem përsëri në këmbë në New York-un me pak shi. Në hotel, që të miqesohemi më shumë, në dhomat e mëdha do ishim me një tjetër. Marokeni në dhomën time po falej mbi tapet. Poezia është lutje, i thashë ç’kisha shkruar në parathenien e librit të Nënë Terezës, Shenjtes tonë… dhe gjumë të ëmbël…


WHITMAN & SERVANTES,
DITA E FUNDIT E FESTIVALIT AMERIKAN TE POEZISË NË NEW YORK…

Në shtëpinë e poetit të madh amerikan, këngëtarit të demokracisë, Walt Whitman, do të lexonim poezitë tona të ditës së tretë.


Kur autobusi me poetë la Manhattan-in e famshëm dhe arriti në rrugën Walt Whitman, tani, – na tha Carlos-i që na printe, – çdo gjë do të ketë emrin e tij, Muzeu Whitman, molli Whitman, shitoret Whitman, shkolla Whitman, restoranti Whitman, etj, madje dhe Karburantit Whitman, edhe bari Whitman. Qeshëm të gjithë.


U futëm në shtëpinë e tij të lindjes, ku kaloi fëmininë, sa emocion, ja dritarja e dhomës së tij në katin e dytë në anë, shkallët dhe dyshemeja siç kanë qenë para 200 vjetësh, oxhaku i madh, shtretërit, orenditë e kohës, kandilët se s’kishte ende drita, ndërkaq në mure dhe dru zotëronte bluja, ishte ngjyrë e shtrenjtë atëherë, – shpjegoi ciceroni, – që tregonte mirëqenie, pasuri, kështu ishte dhe babai i Whitman-it.


Ja dhe statuja, pllakat në oborr me emrat e shkrimtarëve që e kishin vizituar këtë shtëpi…
Para poetëve të tjerë thashë se libri i tij me poezi “Fije bari” u përkthye në vendin tim mjaft mirë në mesin e shekullit XX, kur shpresohej për paqe mes dy botëve, por diktatura më pas e ndaloi si një poet borgjezo-revizionist, por librin e tij e shpëtoi titulli, “Fije bari”, e dinin libër bujqësor si librat për rritjen e grurit apo të misrit, etj. Dhe lexova një poezi timen, uitmaniane, e prezantova. Dhe pasdite u kthyem serish në qendêr të New York-ut, në Institutin e bukur “Servantes”. Poezitë e fundit. Më vjen mirë që po e mbyllim këtu, thashë, kur më erdhi radha të lexoj. Edhe Servantes-i ka qenë në burg, u zu rob pas betejës së Lepantos-it, një shqiptar e kapi, Arnaut Mami, i fali jetën kur mori vesh që ishte shkrimtar, e mbyllën në një qeli në keshtjellën e Ulqinit. Është bashkëvuajtës imi, të gjithë jemi miq të tij, të lirisë dhe poezisë. Poeti Bill Wolak recitoi shkëlqyer dy poezi të miat, “Ketrat në Washington” dhe “Kur do të veni në…” Verona për të ringjallur Romeo dhe Zhuljetën, t’i themi Shekspirit për funde jo më tragjike, ndryshe do të veprojmë vetë…


Këtë bëri poezia në këto 3 ditë të Festivalin Amerikan të New Yorku-t dhe poetët nga vende të ndryshme të botës po donin më shumë dhe vendet e të tjerëve që ishin aty, poezia e ka këtë magji… dhe poezia shqipe, që u paraqit për herë të parë, u pëlqye dhe u vlerësua shumë, fjalët e saj janë dhembje e përndritur, u tha dhe unë u thashë se gjuha shqipe ka mbartur me sukses të gjithë të mëdhenjtë, edhe Whitman-in, edhe Servantes-in…

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top