DASHURI ME SHIKIM TË PARË-Wislawa Szymborska-Nobel 1996
Ata, që të dy, janë krejt të bindur,
se një ndjenjë e papritur i ka kapur.
E bukur është një siguri e tillë,
por pasiguria është akoma më e bukur.
Dhe meqë s’janë takuar kurrë më parë
besojnë se asgjë s’ka patur ndonjëherë mes tyre.
Po ç’thonë rrugët, shkallët, korridoret
ku ata kanë kaluar ndoshta mijëra herë?
Do kisha dashur t’i pyes
mos ndoshta u kujtohet –
diku, ballë për ballë
duke u shkëmbyer në një derë,
mos kushedi ndonjë “më falni” përmes turmës,
apo “i keni rënë gabim” në telefon?
Por e di mirë ç’do thonë.
Jo, asgjë nuk u kujtohet.
Do habiteshin sikur të merrnin vesh
që rastësia luante me ta
tashmë prej vitesh.
Ende jo krejt e gatshme
për t’u bërë Fati i tyre,
ajo i afronte, i largonte,
u zinte udhën
për t’u hequr sakaq mënjanë
duke qeshur nën hundë.
Ndonëse ata nuk i dallonin
shenja dhe tregues kishte patur.
Ndoshta tre vite më parë
apo të martën e kaluar
një gjethe fluturoi
nga njëri sup te tjetri.
Kishin lënë diçka të binte dhe e morën.
Një top llastiku, kushedi, harruar
gëmushave të fëmijërisë.
Kishte doreza dhe zile dyersh
ku njëra dorë kish prekur gjurmën e dorës së tjetrit.
Dy valixhe përbri pas check-in-it.
Një ëndërr e përbashkët një natë,
harruar sakaq në mëngjes.
Çdo fillim, para së gjithash,
është vetëm një rrjedhojë
dhe libri i ngjarjeve
është gjithmonë i hapur në mes.
Përktheu: Alket Çani
FILLIM HISTORIE-Wislawa Szymborska
FILLIM HISTORIE-Wislawa Szymborska Bota nuk është kurrë gatipër lindjen e një fëmije. Anijet tona ende