Pse shkruaj?-Granit Zela

in Letërsi by

Granit Zela

Qysh në Ungjillin simbas Shën Gjonit është ligjëruar se “Në fillim ishte Fjala”. Në diskurse jashtëletrare kjo thënie pahëson peshën që duhet të ketë letërsia në jetën e njeriut, ndërkohë që e përdorur në diskurse letrare më duket se më së shumti përdoret për të shenjuar bash natyrën e artit.

Xhozef Konradi thotë se detyra e artistit është që me forcën e fjalës së shkruar t’u bëjë të dëgjoni, t’u bëjë të ndjeni dhe, para së gjithash, t’u bëjë të shihni”. Kësodore ai përngjan me një shpikës leximi për të verbrit. Thënë më shkoqur; kjo është detyra që i ka ngarkuar vetes artisti Konrad. Mirëpo, pse ai e jo ndonjë tjetër me gjasë s’e paska patur mundësinë për ta bërë këtë të ndodhë? Çfarë e shtyu këtë njeri për të shkruar dhe shestuar? Kësaj pyetjeje, Fishta i përgjigjet:“Pse, tue hi ndër faktor të vepërs artistike edhe artisti me do cilsi të veçanta, për me kenë artist, nieri duhet të ketë le artist”.

Emersoni vëren se udhëtari që viziton Vatikanin dhe kalon nga dhoma në dhomë nëpërmjet galerive dhe statujave, vazove, varreve dhe shandanëve, nëpërmjet gjithë formave të së bukurës, harron se secila prej tyre ka dalë prej ateliesë së një artisti të vetëm. – Por, vazhdon poashtu ai, – edhe pse udhëtojmë në botë për të gjetur të bukurën, ne duhet ta kemi atë me vete ndryshe nuk do ta gjejmë. Pra, ai e ka bërthamën krijuese të programuar brenda kodit të vet gjenetik, pastaj vjen një çast që ajo nis e rrezaton për të dhënë në rastin më fatlum ndriçimin e ndriçimeve. Përplasja, fërkimi që jep shpërthimin ndodh vetvetiu, pasi për të, diktaturë, trandje, reagim etj, është vetë qenia e tij.

Pavarësisht se Platoni i quante poetët të pushtuar nga “çmenduria hyjnore”, puna e krijuesit, shkruesit të teksteve, mistifikohej sidomos në fillimet e historisë së shkrimit. Kjo ngaqë vetë procesi i të shkruarit nuk shpjegohet deri në fund. Por, po ta lëmë mënjanë territorin e së panjohurës, të shkruarit është një zeje që një shkrimtar serioz ka shqetësimin e gjithëhertë për ta përvetësuar me gjithsej, të fshehtat e zanatit, teknikat, përvojat etj., etj.

Në këtë pikë të ndërmendet natyrshëm biblioteka borgesiane, e cila, në mos duhet mbartur me vete, duhet vizituar më së paku në ndarjet kryesore të saj. Për të shkruar një libër të mirë duhet punuar sikundër farkëtari që rreh papushim çelikun për t’i dhënë formën e dëshirueshme. Materia, substanca, ose thënë ndryshe; lënda e përdorur për krijim mund të jetë gjithçka; nënvetëdija, holokausti, familja, luftërat botërore, shoqëria, kolonizimi komunist i Evropës Lindore, prania ose mungesa e gjithë këtyre gjërave dhe vetë gjërat pafundësisht.

Gjithë kjo botë depërton nëpërmjet unit të shkrimtarit, nëpër filtrin e tij të brendshëm, që vihet në punë nëpërmjet kodit të artistit, për të kryer atë shndërrimin e magjishëm estetik të materialit që përdoret në shkrim. Më e rëndësishme se lënda është modeluesi i saj. Dhe për ta bërë këtë artisti duhet të punojë në studion e tij. Atje ai ngjan me një murg. Robinson i braktisur në fatin e vet, për t’i dhënë botës një tjetër formë qenësie, për ta shndërruar atë në botë fjalësh, gjithësi gjuhe.
Akti i shkrimit është individual, sikurse ai i leximit, por një shkrimtar i mirë është një lexues i tillë. A nuk e lexon ai veprën e tij ndërsa e shkruan? Pastaj duhet vënë re se si shkruhet e jo çfarë shkruhet, sepse çfarë shkruhet është jashtë nesh, kurse mënyra se si shkruhet është brenda nesh, copërat e vetes që i bashkëngjitim substratit të përdorur për t’i vënë vulën e origjinales.
Po të risjellim në vëmendje sërishmi fillesat e shkrimit njerëzor, bie në sy se atëherë shkruhej në pllaka balte, e pastaj në pergamenë, dru, gurë, përlhurë deri edhe në lëkurë. Nuk bëhet fjalë për lëkurën e njeriut por në një farë mënyre shkrimtarit i duhet të shkruajë aty.

Ligjërimi artistik është ligjërim i qenies së krijuesit, i frymës së tij ekzistenciale, rrekjes së përditshme për të gjetur të bukurën, fjalën në lartësimin e saj shpirtëror. Procesi shkrimor është shpërthimi i kësaj magme. E megjithatë artisti nuk është mag. Përndritje profetike e vizitojnë nganjëhere, porse nuk është aspak profet. Për Kafkën, të shkruash është si të vdesësh ndërkohë që të vdesësh nuk është si të shkruash.

Herman Hesse porosit të gjejmë natyrën tonë, të mos shmangemi nga ajo e të shpëtojmë nga ngasjet sidomos “nga ajo që na bën të besojmë se mund të jemi dikush tjetër, krejt i ndryshëm nga ai që jemi në të vërtetë, dhe nisim të imitojmë kallëpe dhe të rendim pas idealesh që as lypsen për t’u synuar e as për t‘u mbërritur”.

Para se të vendos se çfarë do të bëjë në jetë, njeriu ndalet për një çast, gërmon brenda vetes, heton, këqyr, përgjon, për të kuptuar se cila është prirja e tij më e fuqishme, fusha ku ai mund të japë kulmin e mundshmërisë së vet. Unë gjithmonë kam synuar dhe besoj se do t’i ngjajë vetëm një shkrimtari. Atij dhe vetëm atij. E gjithë udha që mbetet për t‘u përshkruar mbetet vetëm një përpjekje e pambarimtë për t’u futur brenda lëkurës së tij. Unë them se ai është. E ndiej tek lëvrin çdo çast sikur ta kenë pushtuar dhjetëra demonë para letrave që s’bëzajnë, diç duke dashur të shkruajë aty. Më duhet ta kap këtë njeri e ta rrok në tërë qenien e vet. Duhet t’ia dëgjoj zërin, t’i ravijëzoj portretin. Ai quhet Granit. Tek e shoh t’i kushtojë energjitë e çdo çasti, frymën e çdo dite, shpërthimin e secilit mendim atyre letrave, unë e ndjek pa mundur të mos e bëj këtë.
Po kjo nuk është e lehtë. Shumë herë më kaplon ai dyshim i tmerrshëm dekartian dhe unë i hakërrehem:“Pendohu!’. “Hiq dorë! Kthehu shtiracak i devotshëm, ngase ti s’je artisti, por je hija e tij!”. Por ai ma përplas për fytyre thënien e Saadiut: „Jashtë thonë se unë jam pendimtar, po ç’punë kam unë me pendimin?”.

E mua s’më mbetet gjë tjetër pos shoqërimit të udhëtimit të tij të pafund, ndërsa lektiset pas ndoca shkrepëtitjesh të çuditshme që i popullojnë në tru. Sikurse një shkrimtar (Gaston Bashlar) para stivës së librave në tryezën time të punës, i drejtohem Hyut me lutjen e lëçitësit të babëzitur:“Urinë e përditshme falma sot!”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top