Author

Admin - page 4

Admin has 1825 articles published.

Pasaporta – Mahmoud Darwish

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pasaporta – Mahmoud Darwish

Ata nuk më njohën në hijen
Që më thithte ngjyrat në këtë Pasaportë
Plaga ime për ta qe thjesht një ekspozitë
Për turistin që pëlqen të mbledhë fotografi
Ata nuk më njohën,
Ah… Mos e lini
Pëllëmbën e dorës sime pa diell
Sepse pemët më njohin
Mos më lini të zbehem si hëna!

Të gjithë zogjtë që ndoqën pëllëmbën time
Drejt derës së aeroportit të largët
Të gjitha fushat me grurë
Të gjithë burgjet
Të gjithë gurët e bardhë të varreve
Të gjithë kufijtë me tela me gjemba
Të gjitha shamitë që valëviteshin
Të gjithë sytë ishin me mua,
Por ata i hoqën nga pasaporta ime

I zhveshur nga emri dhe identiteti im?
Në tokën që e ushqeva me duart e mia?
Sot, klithi Job-i
Duke mbushur qiellin:
Mos më bëni sërish shembull!
Oh, zotërinj, Profetë,
Mos i pyetni pemët për emrat
Mos i pyetni luginat se kush i lindi
Nga balli im shpërthen luari i dritës
Nga dora ime buron uji i lumit
Të gjitha zemrat e njerëzve janë identiteti im Ndaj merreni pasaportën time!

Përktheu: Arlinda Guma

Marksi ka humbur kujtesën – Një roman i ri nga Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Një aktiviste shqiptare shkruan një ese kushtuar fëmijëve të vendeve në luftë dhe ajo përhapet kudo. Lexohet në një seancë të jashtëzakonshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë NASA lajmëron se do të hedhë në hapësirë Komedinë Hyjnore. (Njerëzimit i duhet një pasaportë e denjë si ajo për të konkurruar me yjet.)

Por ç’mendon Dantja, Marksi dhe të tjera mendje të përndritura, të cilët, nga një përmasë e panjohur, janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e protestave në Tokë.

Ndërsa Zoti është kaq i zënë me shpirtin e njeriut, që zvogëlohet e zvogëlohet…

A do të arrijë ky shpirt, kaq i zvogëluar, të realizojë këtë përmbysje kaq të madhe?

“Marksi ka humbur kujtesën” është romani i katërt i autores Arlinda Guma dhe më përfaqësuesi i letërsisë së saj.

Kjo është fabula e romanit, me pak fjalë, ashtu siç është shkruar në kopertinën e pasme.

Romani është botuar nga Shtëpia Botuese “Dritëhije”

E gjeni në Librarinë Tiranabook pranë Sheshit Wilson, në Librarinë Shtëpia e Librit në Rrugën Komuna e Parisit, në Art”s Librari pranë ish- Stacionit të Trenit, në Librarinë Leximtari në Ring Center dhe në Librarinë Valentini në Rrugën e Kavajës te Kisha Katolike.

____________

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj.
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Dhe hijet në jug kushtojnë këtë verë më shumë-Arben Velo

in Letërsi/Tharm by

Dhe hijet në jug kushtojnë këtë verë më shumë-Arben Velo

Gusht, o gunë!
Hijet në jug,
këtë verë kushtojnë më shumë.
 
Ku ta gjej një kafe të lirë,
në lirinë që mban erë det.
Gjinkallat ofrojnë mjuzikëll falas,
me një frape valësh
për një poet.
 
Kalldrëmi i Vunoit,
gjuhë e fortë labe,
me theks si thep,
u gërvisht këmbët turistëve
si shqipe e sertë.
(Unë, zhapa me jod perëndimesh ilire,
për çdo të papritur
mbaj në xhep:
“Buonosera”!
 ” Kalispera”!
 “Good evening”!)
Ua kthejnë labërishte:
“Mirëmbrëma”!
nën kapelet e blerta, ullinjtë.
 
Pse s’ndihem i lumtur?
Në mersinat e syve
befas më bujtin dy çajme.
Vijnë nga qiejt,
nuk kuptohen në tokë.
U kanë ngecur zjarret,
si nyjë në grykë,
tymi i shkrehur
si dhimbje nëpër kokë.
Me puplat e bardha
marrë me qera,
në butikët e ankthit të detit,
pyesin:
“Kushton lirë të flemë një natë,
në bujtinën e syve të një poeti”?
 
“Një hënë e plotë.
 Dhe merrni falas tre gllënjka vese Vunoi,
distiluar në lot!”

Franz Liszt, një nga figurat më komplekse e ‘joshëse’ të historisë së muzikës së shek XIX/Metila Dervishi

in Muzikë by

Metila Dervishi

Pianisti më i madh e virtuoz i kohës
Franz Liszt (22 tetor, 1811(Doborján) – 31 July 1886 Bayreuth) .
Personaliteti, poemi simfonik dhe sonata për Piano në Si -.

Kompozitor hungarez, pianisti e mësuesi Franz Liszt, ka qenë një nga udhëheqësit e periudhës romantike në muzikë. Në kompozimet e tij ai zhvilloi metoda të reja si teknike, si imagjinare, të cilat lanë vulën e tyre në këndvështrimin e tij progresiv kontemporan dhe paraprijnë disa nga idetë e procedurat e shek. XX. Njëkohësisht ai evoloi edhe metodën e ‘transformimit të temave’ si pjesë e revolucionit që bëri në formë, kreu eksperimente radikale në gjuhën harmonike dhe shpiku poemin simfonik për orkestër. Si pianisti më i madh e virtuoz i kohës së tij, ai përdori teknikat e tij sensacionale dhe personalitetin koncertor ‘joshës’, jo vetëm për efekte personale, por për të përhapur, me anë të transkiptimeve të tij, dituri nga muzika e kompozitorëve të tjerë.
Si dirigjent dhe mësues, veçanërisht në Weimar, ai u bë një nga figurat më ndikuese në Shkollën e Re Gjermane, kushtuar progresit në muzikë.
Përkrahja e tij e pandërprerë për Wagner-in dhe Berlioz-in, bëri që këta kompozitorë të merrnin një famë më të gjerë europiane. I një rëndësie të njëjtë qe angazhimi i tij i pakrahasueshëm për të ruajtur dhe promovuar më të mirën e së shkuarës, duke përfshirë Bach-un, Handel-in, Schubert-in, Weber-in dhe mbi të gjithë Beethoven-in; performancat e tij mbi punime të tilla si Simfonia e Nëntë e Beethoven-it dhe Sonata Hammerklavier, krijuan një audiencë të re për muzikën, deri më atëherë të quajtur si jo-të kuptueshme.
Kontradiktat e dukshme të jetës së tij personale – një besimtar me një impuls të fortë, i përzier me një dashuri për emocionet e kësaj bote – u zgjidhën nga ai me vështirësi. Akoma, shumica e informacionit të ri biografik mbi të e japin pamjen e tij si ‘gjysmë- cigan, gjysmë prift. Ai përmban në karakterin e tij idealet dhe aspiratat e shek XIX. më shumë se çdo muzikant tjetër i madh. Atij i takon merita historike për krijimin dhe përcaktimin e një forme dhe gjinie të re muzikore të quajtur Poemi simfonik. Bashkimi i termave poem – simfonik, si dhe forma e tij, u krijuan nga Franc Liszt-i për të përcaktuar serinë e punëve orkestrale të tij, të shkruara rreth viteve 1850-1860. Ai përdori transformimin poetik paralel me emocionet e poezisë. Forma muzikore e poemit simfonik është e lirë, megjithatë ajo afron me formën e sonatës, që përdoret në kohën e parë te simfonitë. Poemi simfonik, i quajtur gjithashtu edhe ton poem (poemi i tingujve), është një kompozim muzikor për orkestër, i frymëzuar nga ide jashtëmuzikore, histori ose “program”, ku titulli ose referon diçka, ose e aludon atë. Karakteristikat e poemit simfonik kanë evoluar nga koncert uvertura, një uverturë jo e lidhur me operan, por e sugjeruar nga letërsia ose nga episodet historike të ngjarjeve. Midis miteve të periudhës romantike, kultura evropiane rrënjosi më së shumti mitin e trajtimit të artit si transfigurim poetik të ekzistencës. Ky mit i kaloi kufijtë e sferës estetike, duke i kombinuar me mendimin utopik të rigjenerimit të njeriut dhe të shoqërisë. Në mjediset muzikore Liszt-i qe dëshmia e gjallë lidhur me këtë, ai, i ndezur nga revolucioni i Parisit, në korrik të vitit 1830, filloi të tregonte një interes të madh për çështjet sociale e politike, duke u afruar me doktrinat e Lamane-së dhe të Sant Simon-it. Në moshë më të pjekur këto ideale sociale u shuan krejtësisht dhe mbeti vetëm një sens fetar dhe mistik i krijimit artistik. Por, poetika listiane vazhdoi të karakterizohej nga prirja drejt dimensionit të së ardhmes së artit muzikor, i cili, nga fusha e tij specifike, duhej të hapej për të përqafuar artet e tjera. Ideja e shkrirjes së të gjitha arteve, sipas Listit, dukej se i përgjigjej kërkesës së rëndësishme të kohës për arritjen e një shprehshmërie më të gjerë e më të thellë. Nga ky këndvështrim, frymëzimi poetik dhe ai piktural, përfaqësojnë për muzikantin atë element të përshtatshëm për të rinovuar format e trashëguara. Vetëm muzikanti poet, mund të zgjerojë kufijtë e artit të tij, duke thyer zinxhirët, që pengojnë lirshmërinë e fluturimit të fantazisë së tyre ( Liszt). E njëjta gjë mund të thuhet dhe për futjen e një programi në muzikë, i cili u bë një element i rëndësishëm, që mund të sugjeronte rrugë të reja për muzikantin dhe, njëkohësisht, t’i hapë rrugë muzikës së së ardhmes. Kështu, në veprat e Liszt-it, arti muzikor nuk i drejtohej publikut të veçantë dhe aktual të asaj kohe, por publikut të së ardhmes, pra, një publiku ideal. Nomadizmi, internacionalizmi i tij, e shtynë Listin të ikte nga atdheu i vet Hungaria nëpër udhëtime të vazhdueshme, nëpër qendrat kulturore të Parisit, Vajmarit, Romës. Por periudha më e fuqishme krijuese e tij qe pikërisht ajo e Vajmarit (1848), ku qëndroi për më tepër se një dhjetëvjeçar. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai krijoi 13 poema simfonike, më e njohura ndër të cilat është ajo me titull Preludet, si dhe dy simfoni të programuara, të dedikuara njëra Faustit të Gëtes, (Simfonia e Faustit, me tri kohë, 1854-57) dhe tjetra Komedisë Hyjnore të Dantes (Simfonia e Dantes, 1856). Nga njëra anë, këto projekte zbulojnë pjekurinë e plotë të atij konceptimi, tashmë të shprehur qartë në poemat simfonike të krijuara më parë, sipas të cilit krijimi muzikor ka përmbajtje poetike jashtëmuzikore dhe, nga ana tjetër, ato tregojnë nevojën për të zgjeruar përmasat e kompozimeve nëpërmjet kritereve, të ndryshme nga ato të mëparshmet. Këto janë kritere të bazuara në metamorfoza të vazhdueshme tematike, të cilat mund të rikuperojnë disa parime ose skema tradicionale të trashëguara, si forma e sonatës, në një këndvështrim të çfunksionalizuar, ku skema poetike kryen funksionin e udhëheqësisë narrative, duke e orientuar shtjellimin ekspresiv gjatë trajektoreve të paparishikuara dhe të papritura. Liszt-i në idenë qendrore përdori një formë krejt të veçantë, monotematizmin, sipas të cilit një temë a një motiv bëhet ‘strumbullar’ intonativ i gjithë veprës dhe përmes shndërrimit, kryesisht variacional, fiton aftësi karakterizuese të aspekteve të ndryshme, ndonjëherë edhe të kundërta. Aplikimi i kësaj forme karakterizuese, jo vetëm nuk e varfëroi larminë e figurave muzikore, por, përkundrazi, ndikoi në unitetin tematiko-emocional dhe stilistik të veprës. Në kërkimet e tij të vazhdueshme, të frymëzuara nga pasione të ndryshme dhe shpesh kundërthënëse, siç ishin dhe motivet e tij krijuese, arti muzikor i Liszt-it në tërësinë e vet nuk është i përkryer, aq sa ç’është, p.sh arti vagnerian, një art ky harmonik, tematik dhe formal. Por, pikërisht çekuilibrimet e Liszt-it, ndonëse nga këndvështrimi estetik mund të duken si një dobësi, zbulojnë një ndërgjegje estetike torturuese, që pikërisht në këtë torturë dhe në kundërthëniet e saj, në konfliktin mes ideve, kategorive të ndryshme të së bukurës dhe karakteristikes, paraprijnë në qëndrime që do të jenë tipikë për artin muzikor të shek.’20. Në këtë këndvështrim dhe me këtë profil, Liszt-i, ndërmjet gjithë kompozitorëve romantikë ishte më parashikues, më i projektuar në të ardhmen, të paktën në të ardhmen e artit muzikor. Është e rëndësishme që Listi nuk këmbënguli të caktonte burime të lidhura ngushtësisht me letërsinë në veprat e tij, ndërsa, për sa i përket kompozitorëve që ndoqën dhe përshtatën modelin e tij të transformimit dhe zhvillimit tematik, ata mund të përfitonin ose të shfrytëzonin lirinë e madhe të kësaj forme, që mori dhe emërtime të tilla, si: Fantazi, Studim, Skicë, etj. Lidhur me këtë formë muzikore, Liszt-i ndikoi dhe te pasardhësit e tij. Po do ndalesha dhe te një arritje e madhe e Liszt-it në atë kohë, një nga veprat e tij që ka zgjuar jo pak debate: Sonata për piano në si minor. Mes arritijeve të mëdha të krijimeve të viteve të Weimar-it (1848-1861) ishte dhe kompozimi i Sonatës për Piano në Si minor. Gjatë kësaj kohe Liszt-i kompozoi disa nga punët e tij më të mëdha e më mbresëlënëse si: dy koncertet për piano, të dy simfonitë “Faust” dhe “Dante”; “Totentanz” për piano dhe orkestër dhe poemat e tij simfonike. Duke shtuar këtu edhe rolin e tij si drejtues në festivale muzikore, ku ai luante repertor nga Beethoven-i, Berlioz-i, Verdi dhe Wagner-i. E mbaruar në shkurt të vitit 1853, Sonata në Si minor përfaqëson një nga kontributet më origjinale të formës së sonatës që erdhi nga shekulli XIX. Jo vetëm që janë katër kohët e saj që janë futur në një, po ato vetë në vetvete janë kompozuar përballë një sfondi të një skeme të plotë sonatë-ekspozicion-përpunim, reprizë, që shtjellohet afërsisht në gjysmë ore muzikë. Pra, shkurtimisht Liszt-i ka kompozuar ‘një sonatë nëpër një sonatë’. Ndoshta hera e parë në historinë e muzikës që diçka e këtillë është tentuar. Nganjëherë, Beethoven-i i ka lidhur kohët e sonatave dhe simfonive të tij, sigurisht; dikush mendon për simfoninë e pestë dhe sonatën Appassionata, ku finalet respektive shfaqen nga kohët e mëparshme pa ndërprerje. Por, te Sonata në Si- është ndryshe. Materiali vazhdimisht kontribuon në dy forma sonatash njëkohësisht. Kjo strukturë me funksion të ‘dyfishtë’ ishte që mos të kishte më vazhdimësi, derisa Schoenberg-u bëri diçka të ngjashme në Simfoninë e tij të parë për harqe, më shumë se 50-vjet më vonë. Nuk ka punë të tjera të Liszt-it që kanë tërhequr të njëjtën shkallë të vëmendjes shkencore si kjo sonatë. Tërheqja karshi kësaj ka të bëjë gjithashtu me programin e fshehur, gjë që ka mbajtur tre breza ekspertësh të zënë. Githsesi, pavarësisht heshtjes totale të Liszt-it mbi këtë çështje: ai thjesht e quajti këtë punim një ‘sonatë’. Kjo sonatë është mjaft e qartë, e fuqishme dhe intriguese sa mund të mbajë shumë interpretime, duke përfshirë edhe atë të një kompozimi abstrakt instrumental, pra atë të një muzike absolute. Po a ish ajo një muzikë absolute apo vepër programatike?! Për dikë që ka bashkangjitur tituj dhe përshkrime programatike përreth 90% të punimeve të tij, heshtja e tij, siç është, te ato me kuptimësi jashtëmuzikore, është shprehëse… Sipas Peter Raabe-s ‘Sonata është një portret muzikor i legjendës së Faust-it, e kompletuar me tema të Faust-it, Gretchen-in dhe Mephisto-s’. Disa të tjerë kanë parë në këtë punim një përshkrim të kopshtit të Edenit, me tema që simbolizojnë Zotin, Luçiferrin, Adamin dhe Evën. Disa të tjerë e kanë parë veprën si një portret autobiografik të vetë Liszt-it. Sonata në Si minor, padyshim paraqet punën më të realizuar të prodhimeve pianistike të Liszt-it. Ajo qëndron në linjën e poemave simfonikë. Me këtë punë, Liszt-i arriti majën dramatike të punës së tij për piano. Ajo u shfaq si një kohë e vetme dhe gjigante, afërsisht 30 minuta, në varësi të interpretit. Gjithsesi ajo nuk e thyen krejtësisht të shkuarën. Në të vërtetë Beethoven-i, ka përdorur parimin e mbivendosjes së temave në sonatën tradicionale në shpirtin e një dialogu apo lufte dramatike. Është i njëjti shpirt, e njëjta frymë që përdori Liszt-i, por duke i dhënë një liri totale. Përveç përpjekjeve të ndryshme për ta shpjeguar këtë sonatë, forma e saj ende shkakton probleme mes muzikologëve. Nuk ka një marrëveshje universale nëse kjo duhet të konsiderohet si një kohë e vetme e formës së sonatës, apo një punë shumëkohëshe me një kohë të ngadaltë dhe një scherzo, ndonëse numri i seksioneve është katër apo tre. Në të vërtetë e tërë premisa e një strukture me një funksion të dyfishtë në vetvete me një fuge të identifukuar si një scherzo, është dyshuese. Këto pozicionime kontradiktore, veçanërisht ato që rrethojnë fugën, padyshim që do të jenë për një kohë të gjatë qender debatesh. Sonata u publikua në vitin 1854, me një dedikim për Robert Schumann-in (një gjest reciprok për dedikimin që Schumann-i i kishte bërë Liszt-it tek Fantazia në Do maxhor, disa vite më parë). Performanca e parë u bë në publik nga Hans von Bülow në Berlin në 22 janar, 1857. Perceptimi që u bë për veprën nuk ishte premtues. Otto Gumprecht-i e përshkroi atë ‘si një ftesë për të fërshëllyer dhe stamposur’ (Nationalzeitung), ndërkohë që Gustav Engel mendonte që kjo hynte në konflikt si me natyrën si me logjikën. Nga këto kritika sonata u përmirësua pak dhe u luajt shumë pak, kështu që kjo vepër madhështore pianistike e Liszt-it pati fare pak performanca para se të hynte shekulli ‘XX. Një nga performancat më të famshme, ish ajo që dha në mënyrë private Karl Klindworth për Richard Wagner-in në Londër, në 5 prill, 1855. Gjithsesi, duke mënjanuar kritikat konservatore të kohës, kjo vepër ishte një sfidë për themelimin e formës së sonatës në shek. XIX. Për përdorimin e kësaj strukture Liszt-i qe influencuar nga Fantazia Wandere e Franz Schubert. Schubert-i përdori në të njëjtën mënyrë një numër të kufizuar elementesh muzikorë për të krijuar një punë të gjerë e të plotë me katër kohë, dhe përdori fugaton në kohën e katërt. Në fakt, që në vitin 1851, Liszt-i eksperimentoi me një pjesë për piano jo-programatike, të gjerë, të quajtur Grosses Concert-Solo, ku katër kohë ishin në një. Kjo pjesë që u publikua në vitin 1865 si version me dy-piano nën titullin Concerto pathétique, tregon një marrëdhënie tematike edhe me Sonatën edhe me Simfoninë e mëvonshme “Faust”.

NATËN NËN QIELL-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

NATËN NËN QIELL-Sueton Zhugri

Kjo është anija dhe ne të dy mblidhemi dritareve duke numëruar flakërimat e çuçurisim;

Ti thua:
Fryma

Unë them:
Ky element i bukur i gojës tënde
Me hapje-mbyllje fjalësh në
forma nebiolash

Hunda:

Një rrëpirë nga ku bie pafundësisht i palodhur
Sizifi.

Buzët:

Qeramikë e butë e antikëve në Knosos

Dhëmbët:

Yje të mbledhur nga dridhërimat e universit,
pulsarë të vegjël që ndalen veç kur ti buzëqesh.

Sytë:

Një qiell i gjelbër që më mban të gjithin për vete.

Lotët:

Mërgimtarë të largët që rrëshqasin në faqe,
kometa që braktisin galaksitë e tyre,
dhe unë,
shtegtar etur pas tyre,
ndjek gjurmë të ujshme për të mbërritur
në një sistem yjor që vetëm ti e zotëron.

Të kisha një ëndërr e të flija…

Ky element i bukur i qenies tënde…

2.8.2025

TYM I BARDHË-Aleksandër Bardhi

in Letërsi/Tharm by

TYM I BARDHË-Aleksandër Bardhi

 

Gyshja thoshte
se në shtëpinë tonë,
kishte kohë
që kishte hyrë i paudhi.

Motra përlotej
dhe dilte nga shtëpia.

Unë mërzitesha
dhe i shkoja pas.

Një natë u fol
për një fjollë tymi
që bëhej pëllumb
e dilte nga dritarja.

Nëna qeshte.
Babai flinte i fundit.

Gjyshja, që pa gdhirë
dilte rreth e rreth shtëpisë
dhe mblidhte gurinjtë
që binin mbi çati.

Gur perifrazues-Kiki Dhimula

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Gur perifrazues-Kiki Dhimula

 

Fol.
Thuaj diçka, çfarëdo qoftë.
Veç mos rri si statujë e çeliktë.
Zgjidh qoftë edhe një fjalë,
që të t’lidhë më fort
me pasigurinë.
Thuaj:
“padrejtësisht”,
“pemë”.
“zhveshur”.
Thuaj:
“do ta shohim”,
“pa peshë”,
“peshë”.
Ka aq shumë fjalë që ëndërrojnë
të kenë pakëz jetë të çlirët në gojën tënde.

Fol.
Para nesh shtrihet një det i tërë.
Aty ku mbarojmë ne
fillon deti.
Thuaj diçka.
Thuaj “dallgë”, që s’rri në një vend.
Thuaj “varkë”, që zhytet
nëse e mbingarkon me parafjalë.
Thuaj “çast”,
që thërret për ndihmë mgaqë po mbytet,
mos e shpëto,
thuaj
“s’dëgjova gjë”.

Fol.
Fjalët janë armike të njëra-tjetrës,
janë në garë mes tyre:
nëse njëra syresh të robëron,
tjetra të çliron.
Tërhiq një fjalë nga nata rastësisht.
E tërë nata një rastësi.
Mos thuaj “e tërë”,
thuaj “veç pak”,
që të lë të ikësh.
Veç pak
ndjesi,
hidhërim
i tëri
i imi.
E tërë nata.

Fol.
Thuaj “yll”, që shuhet.
S’pakësohet heshtja me një fjalë.
Thuaj “gur”,
që është fjalë e pandarë.
Kësisoj, mbase-mbase,
i vë një titull
kësaj shëtitjeje buzë detit.

 

Përktheu: Stefan Zhupa

Një fragment nga libri “Shumë vonë për t’u zgjuar” (2023)/Slavoj Žižek

in A(rt)ktivizëm by

Slavoj Žižek

Në kondita si të sotmet, ku mund ta gjejmë një busull? Te artistët dhe mendimtarët? Apo te Realpolitika pragmatike?

Ja që edhe artistët e mendimtarët mund të shërbejnë si rrugëhapës të krimeve e të luftërave. Edhe kur janë krejt të pafajshëm mund të prodhojnë ambiguitete banale. Më 24 shkurt 2022 psh. aktorja AnnaLynne McCord nxori një video ku lexonte një poemë kushtuar Putinit, e cila fillonte kësisoj: “I dashuri president Vladimir Putin më vjen kaq keq që nuk jam jot ëmë” e mandej vazhdonte me shpjegime se si po té kishte qenë e ëma e Putinit do t’i kishte falur atij shumë dashuri qyshkur ai ishte fëmijë, në mënyrë që kur të rritej të mos e kishte më prirjen për të nisur luftëra. Poema është krejt e gabuar: problemi me të tillë kriminelë të mëdhenj është pikërisht se kanë qenë të mbuluar me shumë dashuri amësore, tepër, aq sa nuk kanë patur madje hapësirë të marrin frymë lirisht.

Por situata me artistët mund të shkojë dhe më keq. I mbani mend ato vargjet e famshme të William Butler Yeats-it:

“Ëndrrat e mia t’i shtrova poshtë nën këmbë
Shkel pak më butë, se po më shkel mbi ëndrra.”

Duhet që këto vargje të merren seriozisht edhe nga vetë poetët: kur na i shtrojnë ëndrrat e tyre poshtë këmbëve tona, duhet t’i shtrojnë me kujdes të madh, sepse ato do të lexohen nga njerëz të vërtetë që edhe do t’i marrin seriozisht e do të veprojnë sipas atyre poezive – le të kujtojmë këtu se psh. vetë Yeats-i vazhdimisht flirtonte me Fashizmin, e në gusht të vitit 1938 publikisht mbështeti ligjet antisemite të Nyrembergut.

Nuk ka spastrim etnik pa poezi. Pse? Sepse jetojmë në një epokë që veten e përjeton si post-ideologjike. Meqenëse kauzat e mëdha ideologjike (liria, drejtësia shoqërore, arsimi falas) më nuk e kanë fuqinë për të mobilizuar popujt për dhunë masive, atëherë nevojitet një kauzë edhe më e madhe, e tillë që t’i bëjë të duken vogëlsira të parëndësishme ato hezitimet individuale që mund të frenojnë vrasjen. Frymëzimi i politikës nga feja apo etnia e përmbush plotësisht këtë rol. Me siguri ka edhe raste ateistësh patologjikë që janë në gjendje të kryejnë vrasje masive thjesht për qejf, por këta janë përjashtime të rralla: shumica ka nevojë të anestetizohet që të mos e ketë as atë ndjeshmërinë elementare për vuajtjen e tjetrit, e për këtë anestezi duhet një Kauzë e shenjtë. Ideologët fetarë zakonisht këmbëngulin se feja, e vërtetë apo jo, megjithatë i shtyn njerëzit e këqij të bëjnë punë të mira; por po të gjykojmë nga përvojat e sotme na duhet të pajtohemi me Steve Weinberg-un kur thotë se po të mos ketë fe njerëzit e mirë do bëjnë punë të mira e njerëzit e këqij punë të këqija, e vetëm feja po arrin t’i bëjë edhe njerëzit e mirë të bëjnë punë të këqija.

Platonit i ka mbetur një nam i keq ngaqë ka thënë se poetët duhen përjashtuar prej polisit – mirëpo kjo mund të jetë edhe këshillë kuptimplotë, po të kesh parasysh se në dekadat e fundit spastrimi etnik kaq shpesh është paraprirë prej ëndrrave të rrezikshme të poetëve dhe “mendimtarëve” (në Rusi psh. prej librave të Aleksandr Dugin-it dhe filmave të Nikita Mikhalkov-it). Një hap i vockël e ndan Dichter und Denker (poetin e mendimtarin) nga Richter und Henker (gjyqtari e xhelati) – kështu që mbase duhet ta plotësojmë vargun e mirënjohur të Anna Kamienska-s që “poezia parandjen të vërtetën” duke shtuar “po, por kjo e vërtetë mund të jetë vërtetësi e impulseve më të errëta që fshihen né mendjen tonë”. Duke parafrazuar Thackeray-n, poezia mund t’i bëjë të dashura edhe mendimet tona më të shëmtuara.

E sa për Realpolitikën, ajo është thuajse edhe më keq. Pragmatizmi politik apo “realizmi” s’ka fuqi t’i përgjigjet mistifikimeve ideologjike: e pikërisht atëherë kur denoncon mbithjeshtëzimet e naivitetin e një ideologjie, harron mistifikimet që përfshin vetë pozicioni i tij “realist”. Si kështu? Ideologjia shpesh evokon ndonjë dimension të fshehur tej vellos së dukshme, që shërben si mbulesë për krimet që vetë ajo i bën haptazi (dhe i legjitimon). Shprehja tipike që kumton këtë lloj mistifikimi të dyfishtë është “situata është më e ndërlikuar se kaq”. Kështu pra edhe faktet që duken haptazi – psh. një sulm dhe pushtim ushtarak – relativizohen duke evokuar “njé situaté shumë më të ndërlikuar në prapaskenë”. A s’po ndodh pikërisht kjo në Ukrainë? Rusia sulmoi brutalisht, ndërsa shumë analistë e komentatorë kërkojnë të gjejnë “situatën më të ndërlikuar se kaq” qé fshihet pas sulmit. Po me siguri që ka ndërlikime, ama fakti elementar mbetet: Rusia sulmoi. Gabimi ynë ishte që nuk e morëm mjaft seriozisht Putinin – menduam se ai nuk donte të thoshte atë që thoshte, por thjesht luante ndonjë lojë manipulimi strategjij. Ironia e madhe është se na bie të citojmë këtu atë barcoletën e famshme jahude që e citon edhe Freud-i, ku një rrenë merr formën e së vërtetës faktike. “Pse po më thua se do shkosh në Lviv nëse vërtet po shkon në Lviv?” – e pyet njëri shokun. Ata qenkëshin marrë vesh për një kod të nënkuptuar sipas të cilit kur thua se do shkosh në Krakov shkon në Lviv, e anasjelltas; pra brenda kësaj kornize të thuash të vërtetën do të thotë të gënjesh. E kur Putini shpalli ndërhyrjen ushtarake, ne nuk e morëm aq seriozisht sa duhej deklaratën e tij se donte “pacifikim” dhe “denazifikim” të Ukrainës. Strategjistët tanë të zhgënjyer për momentin po ankohen “pse o Putin na the që do pushtosh Lvivin kur në fakt vërtet deshe të pushtosh Lvivin?”.

Me fjalë të tjera ky mistifikim i dyfishtë do të thotë fund i Realpolitikës ashtu siç e kemi njohur: “si një aktivizim apo angazhim ne raport me strategji politike e diplomatike që bazohen kryesisht në konsiderimin e rrethanave e faktorëve të dhënë e që nuk ia lidh këmbët vetes me nocione ideologjike apo me premisa morale e etike”. Ky tip i Realpolitikës si rregull i kundërvihet naivitetit, apo lidhjes naive me versionin tonë të parimeve morale a politike. Problemi është se në një situatë si e sotmja naivitet është pikërisht të luash këtë lojë Realpolitike: premisa e saj fillestare (që edhe pala tjetër, armiku, synon të arrijë një marrëveshje përfundimtare pragmatike) tashmë nuk është më e qëndrueshme.

Përktheu: Arbër Zaimi

E FSHEHTA E LIRIKËS SË FREDERIK RRESHPJES/Nuri Plaku

in Esé/Letërsi by

Nuri Plaku

Në lirikën e tij, Rreshpja krijon një frymëmarrje të gjerë poetike aq sa të lë përshtypjen sikur lëviz me krahë engjëlli në të gjitha hapësirat, tokësore dhe qiellore. Lëvizja e tij është e tëra një energji metaforike, plot dhimbje dhe pikëllim të thellë që lidhet me fatin tragjik të njeriut dhe raportin e tij me shoqërinë. Nëpërmjet kësaj energjie ai depërton nëpër kohë duke dhënë vlerat e saj në formën e një kuintesence shpirtërore të mermerizuar në shkrim.
Dihet se lirikët e vërtetë janë të “pavarur” nga trupi i tyre dhe nga shoqëria ku bëjn pjesë. Në portretin fizik të Rreshpjes dhe në praktikën e sjelljes së tij të përditshme thuhej pikërisht ky “epitaf”. Nuk mund të ketë poezi lirike pa portret liriku. Ndryshe është njësoj sikur të flasësh për lumin pa përmendur burimin e tij. Thuhet se ai shfaqte një hutim hyjnor që konvertohej në indiferencë totale ndaj të gjallëve. Rreshpja e endte këtë hutim interesant rreth vetes si një vel të padukshëm që verbonte e ngatërronte mjaft njerëz. Nga një vështrim i vëmendshëm i lirikës së tij, pikasen pikërisht të tilla refleksione. Duket sikur brenda tij ka pasur një “natë të errët” si ajo që përjetojnë mistikët e mëdhenj, me të cilën dëshmohet potenca e shpirtrave të zgjedhur. Nga kjo “natë e errët” Rreshpja është kthyer në dritë poetike. Thuhet me të drejtë se poezia është art elitar, por sjellja e shoqërisë ndaj poetit nuk ka qenë e tillë. Shoqëria shqiptare; e diktaturës dhe postdiktaturës është sjellë me Rreshpjen si bujku me kashtën e drithit. Ai u kryqëzua shpesh midis mundësisë praktike të jetës dhe përjetimit hyjnor të poezisë, një kryqëzim që e rezultoi atë sfidant të përjetshëm. Janë të rrallë poetët që marrin të tilla përmasa. Po ku qendron e fshehta e kësaj lirike që sa më shumë kalon koha, aq më tepër madhohet; ajo dhe autori i saj?
Një nga sekretet e kësaj lirike qendron tek përzgjedhja e fjalës. Natyrisht të gjithë e dimë këtë element të kushtëzuar të krijimit, por sekreti i saj nuk është tek “kërkimi”, por tek “e dhëna.” Fjalë të tilla vetëm vijnë. Vijnë natyrshëm prej një niveli të lartë përjetimi, sepse askush nuk do të mundej t’i zgjidhte ato nga një aradhe fjalorësh të zakonshëm. Poezia e tij është si një konstelacion yjesh ku në vend të tyre vendosen fjalët. Fjalët te ky autor kanë shumë dritë. Ato vetëm shkëlqejnë. Madje duket sikur pena e autorit gjatë shkrimit të tyre nuk është komanduar prej tij por prej një lloji dridhjeje emocionale, prej një lloji ndjesie të hollë shpirtërore, që vjen si shtysë e fshehtë, e vetvetishme. Pa atë dridhje nuk ka fjalë të tilla dhe pa fjalë të tilla nuk ka poezi. Kush shkruan, ndryshe do të thotë Rreshpja mashtron veten dhe nxin letrën. Sepse kurrë nuk paramendohet ajo që shkruhet. Ajo që shkruhet është çasti suprem i “vetëtimave” që shpërthejnë kushedi se nga cilat re dhe bubullima të thellësive shpirtërore. Rreshpja shkruan me shpirt. Në shkrimin e tij nuk ka logjikë të zakonshme e të dukshme. Te Reshpja logjika vetëm sa imponon alfabetin duke nxitur kujtesën e tij. Kujtesa e alfabetit te ky autor jep vetë kujtesën e tekstit.
Një nga tiparet që fiton përzgjedhja e fjalës te Rreshpja është ngjyrimi i saj mistik. Gjithë lirika e tij e manifeston dukshëm këtë element. Ajo shfaq ngjyrime të tilla që lidhen me vdekjen, perënditë, fatin, statujat, trëndafilin, shirat, hënën. Nëpërmjet tyre, ai krijon bërthamën semantike të tekstit dhe atmosferën e tij të veçantë, që lidhet me pikëllimin. Rreshpja është një erupsion i pikëllimit. Është “korbi i zi” i tragjedisë së njeriut. Ja disa fragmente të tilla që reflektojnë këtë gjendje:
“Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike”, “Dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë”, “Kemi ecur në tërë shekujt para piramidave”, “Iku dhe nëna ime, nën një shi prej mermeri”, “O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri!” “Më pikëllon vdekja e vjetër e ujit/ E mira ime prej lotësh”, “Anës detit ilir, mitet, çdo natë/ dalin nga amforat me sytë plot lot.”.“Tani jam bir i ajrit si në ditën e parë të botës/ I mallkuar në mënyrë biblike.”
Përzgjedhja e fjalës duket veçanërisht tek paradigmat e shumta e të larmishme që krijon ai, nëpërmjet të cilave poezia përfton një shkëlqim dhe intensitet të lartë kuptimor. Të tilla janë ato që krijon me trëndafilat, hënën, shirat, vdekjen, statujat dhe perënditë. Numrin më të madh e krijon me trëndafilin, duke e përdorur atë si një simbol të gjithanshëm bukurie, fisnikërimi dhe dëlirësie. Trëndafilat kanë një përdorim të gjerë në poezinë shqipe, por te lirika e Rreshpjes, vijnë aq të freskët, aq aromatikë e aq të bukur, sa duket sikur i has për herë të parë. Larmia e përdorimit të tyre është e pafundme, dhe përshtypja që krijohet nga ky përdorim është një magji e vërtetë. Ato japin madhështinë e ndjenjës, të dhimbjes, të dëshpërimit shpirtëror të pritjes dhe të vetmisë së përhershme të poetit.
“Trëndafilat e tu më mbetën në duar si plagë.”, “Rri sonte te unë/ Sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur.”, “Të shpërndaj gjakun tim mbi trëndafilat.”, “Trëndafilat vdesin në muzg.”, “Trëndafilat janë mbyllur në pikëllimin e vet.”, “… të vdekurit ngrohnin duart/ Mbi flakët e trëndafilave.”, “Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.”, “Trëndafilat vetëtijnë në heshtje për gjëmën time.”, “Është gjithmon një trëndafil/ … bërë nga zëri im…”, “Te dritarja çeli si dhimbje trëndafili.” “Trëndafilat e vdekur.”, “Mbi zjarret e trëndafilave ngrohu duart Saadiu.”, “Heshtja që lulëzon trëndafila.”, “Nën trëndafila mermeri…”, “… mitologji trëndafilash.”, “Ah, tërë trëndafilave të botës do t’u bie në gjunjë.”, “Trëndafili çeli në kopësht mu si një psherëtimë.”, “Kori i trëndafilave derdh lotë.”, “Trëndafilat e thurur me diell.”, “… çeli trëndafili te yjet.”, “… sillmë një trëndafil prej shiu.”,
Për hënën krijohet po e njëjta mundësi trajtimi: “Ti erdhe nëpër udhën e hënës.”, “Hëna po shuhet në pëllëmbën e gjetheve.”, “Hëna e shqyer…”, “Tani te hëna shkoj i vetëm.”, “… galvanizuar me hënë.”, “… hëna ngre shkallë drite.”, “… një hënë e trishtuar.”, “… shpirti i hënës.”, “… vizatuar nga hëna.”, “… kyçur me hënë.”, “… nëpër hënë.”, “Lugina me hënë lyer.”, “Hënë e shuar nga shiu.”, “…drita e duarëve të hënës.”, “… hënë që nuk di të buzëqeshë.”, “Qiriu i hënës…”, “… gjëmim hëne.”, “… dhimbje/ Që hënëzoi këtë dimër.”, “… hënëz argjendi…”, “… pranë zjarrit të hënës.”, “Kasolle prej hëne.”, “Vijnë ciganët… me hënë.”, “Mallkuar… me hënë.”, “Kullat e hijeve i rrëzoi hëna.”, “… hëna që më vrau mua.”, “… jam bir i hënës…” , “…ç’je hënëzuar kështu?”, “… ra hëna e syve të mi.”, “Përrenj prej hëne.”, etj.
Ndërsa shirat i nënshtrohen një trajtimi shpërthyes. Ata “rrjedhin” në “përrenj” të vrullshëm figurativë, duke gurgulluar rrëmbimthi nëpër relieve fjalësh të thikta dhe krijojnë katarakte dhe ujëvara me pamje mahnitëse:
“Shi i huaj, i verbër.” “Kufoma e shirave.” “…kryq shiu…”, “Çerdhe shiu.” “Krifë prej shiu.” “… zërat e shiut.”, “Shi mermeri.”, “Kur vdesin shirat.” “… alarmi i shirave,” “… bronxi i shirave,” “… shirat e vdekur.”, “Shira lulesh.” “Për ku vrapojnë të bëhen shi këta zogj?” “Shi i verbër…” ,“… lot shiu.” “Mushkat ngarkuar me shi.” “… shiu i fluturimeve.” “Shi biblik.”, “Shira të heshtur…”, “Shira të qeshur.” “Me boçen e shiut ndër dhëmbë.”, “… duart e shiut.” ,“… degët e shirave.”, “… telat e shiut.”
Një sistem po kaq të kompletuar figurativ krijon ai me vdekjen. Vdekja në këtë lirikë bëhet një vdekje “lirike” ç’ka do të thotë se Rreshpja ia zhvesh asaj ngjyrimin e zi dhe e vesh me purpur stinësh, gjethesh, yjesh e ylberësh.
“Me pak vdekje në sy.”, “Pranvera… vdes dhe shndërrohet në vjeshtë.”, “… vdekja më hoqi prangat.”, “… erdhi ora të vdes përsëri.” “I mallkuar me pavdekësi.”, “Parajsa e drurëve të vdekur.”, “Të vdes te shtëpia e gjetheve.”, “Një ditë e vdekur vjeshte.”, “Po mua asnjë vdekje nuk më zë.”, “Shpjermëni te lumi që vdiq.”, “Kur vdesin hënëzat.”, “… ky mëngjes do të më vdesë ndër duar.”, “Ajër i vdekur.”, “Të vdekurit e mi.”, “Anija e vdekur…”, “Vdekje perëndish.”, “Vdekja e ylberëve…”, “…vdekja e gjetheve…”, “Qyqja thur këngën e vdekjes.” “Një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat”, “…kali i bardhë/ Tërë vdekje…”
Statujat janë gjithashtu burime vlerash kuptimore dhe referenciale të pashtershme te ky poet. Nëpërmjet tyre ai krijon kulme dhimbjesh të thella, duke pasqyruar shenjtërinë e një shpirti të vërtetë. Përmes këtyre paradigmave Rreshpja reflekton ndjeshëm plagët e shpirtit të tij të plagosur, që rrjedhin lotët e nxehtë të pikëllimit hyjnor. Statujën ai e lidh me simbolin e përjetësisë dhe në këtë fokus e përdor atë edhe si një ngushëllim të brendshëm për vetveten.
“Nata gdhend në ajër statujat e hijeve.”, “Nga drurët zbresin ca statuja ajri.”, “… lotët e miteve te statuja ime.”, “Është kopshti ku kënga ime ka një statujë.”, “Statujat e legjendave zbresin nga drurët.”, “Statuja të gërryera nga uria.”, “Në çdo gur është fshehur një statujë nëne.”, “… statuja e natës troket.”, “Çdo pasqyrë e ka një statujë timen brenda.”, “Statujat fshihen pas amalgamës”.
Ndryshe nga poetët e tjerë, Rreshpja u drejtohet perëndive në mënyrë të adresuar. Ai i referohet thuajse përherë perëndisë ilire. Herë–herë i drejtohet edhe në mënyrë të përgjithshme, edhe perëndisë së humbjes, perëndisë së shkretëtirës apo asaj egjiptiane.
“… çdo natë zbresin nga drurët perënditë ilire.”, “Arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin.”, “ Te mermeri i rrëzuar i perëndive.”, “Bir, janë zemëruar perënditë.”, “Hapen dyertë e hijeve dhe dalin perënditë ilire.”, “Shtrirë si perëndia e shkretëtirës.”, “Kështu i shpallnin konstelacionet perënditë.”, “Më ndjek pas perëndia e humbjes.”, “Zanafilla fajëson perënditë.”, “Perënditë ilire skalitur në mjegulla.”, “Tani jam një perëndi ilire e rrëzuar.”, “Ikën zëri yt… nga pas mbetet diçka prej perëndie.”, “…perënditë qenë ndërruar.”, “Në qiell retë sajonin perënditë e Egjiptit.”
Gjithë ky sistem paradigmash krijon në poezi një gjendje të ngritur perceptimi e cila kthehet në një testament shpirtëror të përkryer. Nëpërmjet tyre ai organizon nivelet kuptimore të fjalëve, duke i bërë të funksionojnë me efikasitet të lartë brenda një teksti të mbledhur e konciz. Struktura poetike, sistemi figurativ dhe këndvështrimi i objektit poetik shpesh është e njëjtë. Kjo përbën stilin e tij të konsoliduar. Ja një tablo nga poezia “Fëminia”:
“Asokohe ngjyrat qenë shpirtra,/ Në fund të kopshtit ngrihej Olimpi,/ Mbi një mitologji trëndafilash.”
Këta janë tre rreshtat e parë të kësaj poezie dhe ne prezantohemi me një denduri kuptimore tepër të lartë. “Edhe në nivelin e fjalës, edhe në nivelin e fjalisë, ka kuptime që lënë vend për kuptime të tjera, duke përfshirë këtu kuptimet për të ardhmen.”
Kemi fjalët; kohë, ngjyrë, shpirt, kopsht, olimp, mitologji dhe trëndafil. Të gjitha janë me ngjyrim të theksuar poetik, të gjitha thuajse janë fjalë simbol dhe te të gjitha ka një tis të hollë misteri që pulson mbi kuptime të shumëfishta me intensitet të lartë.
Ndërsa struktura e vargjeve është tepër e thjeshtë. Është një “parafabrikat” i njohur për të gjithë krijuesit, një “kallëp” nga i cili duhet derdhur monedha jote, me fytyrën tënde poetike. Gjithë pesha e tyre mbahet te harmonia e brendshme e rrëfimit, te imazhi befasues dhe te hapësira e madhe që rrok ky imazh. Kjo është “monedha” e floririt që poeti depoziton në bankën e letërsisë shqiptare. Mjeshtëria e tij ka arritur ta gdhendë fytyrën e vet poetike pikërisht mbi aftësinë e përzgjedhjes së fjalës dhe vënien e saj në përdorim të harmonishëm. Nga kjo “monedhë” poetike fytyra e Rreshpjes qëndron në letërsinë shqipe si fytyra e një monarku të vërtetë. Por përkundër këtij kontributi, letërsia shqipe me Rreshpjen duket si një nuse e pakujdesshme që gjerdanin e xhevahirëve e hedh gjysmë mbi gjoks e gjysëm mi shpinë, duke lënë në pjesën e mbrapme të saj, një nga perlat më të bukura të këtij gjerdani, Frederik Rreshpjen. Lavdia e kësaj poezie fle ende “mbi shpinë” të kësaj letërsie si një perlë e pluhurosur.
Sekreti i dytë i kësaj lirike është hapësira. Poeti nëpërmjet lirikave të tij i thur himn gjithësisë. Hapësira vjen këtu herë e rrafshët, herë si shkretëtirë dhe herë me digresione të befta që të mahnisin me lidhjen organike që krijojnë midis kohëve. Ajo është e mbidheshme dhe e nëndheshme, fillon te një Olimp dhe mbaron te perënditë, fillon te bota dhe mbaron te trëndafilat, te vjeshtërat, te dimrat, te stinët e kudo.
Ja si vazhdojnë më tej vargjet e poezisë “Fëminia”;
“Ah, tërë trëndafilave të botës do t’u bie në gjunjë/ Por ata tinguj nuk do t’i dëgjoj më kurrë.” Bota dhe tingulli janë fjalët kryesore në këto vargje, por mjeshtri vendos një tjetër element; ndjesinë. Tashmë fjala rrezaton më shumë shpirt. Teksti bëhet gati biblik. Ndjesia e tij është pikëllimi i thellë për të pamundurën e bukur që mbahet si një tempull i “rrënuar” nga rritja e njeriut. Ky pikëllim e bën poetin njëherazi edhe tokësor, edhe qiellor, sepse rritja është njëherazi mohim dhe pohim i qenies njerëzore. Kemi një dualitet të kundërtash që përshkon tejendanë këtë poezi. Është një përzierje që e vesh thuajse të gjithë lirikën rreshpiane duke i dhënë asaj dozat e caktuara të misticizmit.
Por ai nuk mjaftohet me fjalën dhe me shpirtin. Ai zbulon enigmën e kësaj ndjesie nëpërmjet ndriçimit të poezisë, duke përdorur thuajse përherë vetveten, elementin individual përgjithësues.
“Tani jam një perëndi ilire e rrëzuar,/ Sepse olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë.” Kemi të njëjtën lartësi, të njëjtin regjistër, të njëjtin nivel komunikimi si prej një të folure mitike. Mos vallë këtu duhej të përfundonte poezia, duke u mjaftuar me personifikimin e poetit me perëndinë? Edhe ndoshta, por poezisë do t’i humbiste një tjetër dimension, që përbën gjithashtu një tjetër sekret të kësaj lirike; humanizmin. Frederik Rreshpja ka shumë humanizëm në poezinë e tij. Ai është tejet njerëzor. “Por, o Zot, më shumë ka humbur/ Ai që nuk ka qenë kurrë fëmijë.” Brenga e tij poetike zvogëlohet befas përpara dhimbjes për brengën e tjetrit. Ai ulet në gjunjë dhe i falet Zotit, Zotit dhe trëndafilave. E tërë kjo poezi është dhimbje, por ai e përfundon atë me një dhimbje të dyfishtë, dhimbjen për tjetrin.
Mënyra e të shkruarit e kësaj poezie është përfaqësuese për gjithë lirikat e këtij vëllimi. Është “vera e shishes” së kësaj poezie. “Shishja e verës” mund të ndryshojë ngjyrë e formë por është pa shumë rëndësi.
Kjo mënyrë korrekte të shkruari shfaqet thuajse në gjithë lirikën e tij. Ja si shfaqen të tilla konture në një tjetër poezi:
“Dil nga mbretëria e gurit!/ Kam kaq kohë që trokas te mermerët/ Një mijë vjet dhe dy mijë vjet.” Edhe këtu kemi fjalët e përzgjedhura; mbretëri, mermer, një mijë vjet. Është po ajo ngarkesë kuptimore, po ai tis hyjnor që të imponohet në shtresimet e tyre polisemike si tek “Fëminia”. Pastaj vjen dritëzimi nëpërmjet intimes, ndjesisë dhe trishtimit; “Jemi puthur nëpër iliadat e vjetra/ Kur lirës i binin homerët/ O hënë e shiut/ Bëje një iliadë për mua/ Kur të rrëzohet edhe Troja e fundit!” Ka një rënkim të madh në këto vargje, sikur rënkojnë shekujt. Dhe më pas ai shfaq fatin e vet në këtë realitet, që e lidh me humanizmin: “Rri kyçur në gur zemra ime/ Një mijë vjet dhe dy mijë vjet.”
Është e njëjta skemë gati kudo. Po ajo “verë e shishes”:
“Qielli i djalërisë në sqep të një zogu/ Ra mbi korijen e fjetur/ Nga Kashta e Kumtrit bie dhe bie/ Tërfil’ i artë i qiejve.”
Qiell, Kashta e Kumtrit, korie e fjetur, tërfil i artë, të gjitha pjesë e një fjalori poetik brilant, të gjitha fjalë të “ardhura”. Pastaj vjen hapësira dhe dritëzimi nëpërmjet vendosjes së elementit të dukshëm shpirtëror. “Kambanëzat e yjeve lëkunden me hare/ Prerë nga hëna e majit/ Qiell’i djalërisë në sqep të një zogu/ U zhduk pas portës së ylberëve.” Dhe më pas vjen humanizmi: “Zhduket pas portës së ylberëve djalëria/ Dhe mua trishtimi më mbulon/ Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë/ Në një botë që nuk më kupton.” A ka intensitet më të madh sesa mallëngjimi që japin këto rreshta, sidomos dy rreshtat e fundit? As hëna nuk i buzëqesh poetit, as bota nuk e kupton. Natë shpirtërore me një thirrje psherëtime për njerëzit që e rrethojnë.
Humanizmi është në përgjithësi sfondi gri i përdorur në mbyllje të poezive të Rreshpjes. Kjo mbyllje lidhet me unin e tij poetik dhe shoqërohet me një “teshtimë” trishtuese nga “alergjia” sociale. Ja disa “teshtima” të tilla:
“O Zot! Më ke mallkuar me dimër pa asnjë arsye/ Keqdashjen tënde nuk e kuptoj”. “Shtëpia e gjetheve kyçur me hënë./ O Zot! Nuk kam as ku të vdes…”, “Vijnë dallgët dhe bëhen lot/ Si lotët e miteve te statuja ime.”, “Tërë jeta ime, si këto ujëra nën thika/ Po mua asnjë vdekje nuk më zë.”, “Po kurdoherë ka mes këngës një mesnatë si palmë/ Që s’më lë të bëhem Saharë.”, “Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes/ Tërë lavdia ime kjo do të jetë!”, “Pastaj u shpjegoj zogjve/ Që edhe unë jam në këtë botë pa fole.”, “Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi/ Mos e pastë njeri këtë fat!”, “Vajton qyqja për hallet e botës,/ Por mua dimri i fjalës më pret te porta.”, “Ah, çdo më vrasë rrufeja e huaj/ Nëpër shira që s’i njoh!”, “Gur – gur po rritet murana ime, o Zot!” Por ajo që është më e dukshme te ky humanizëm është qëndrimi kritik ndaj disa prej fenomeneve negative të shoqërisë. Në pjesën më të madhe të tyre, përmbledhur në ciklin “Juda”, kemi një shfaqje më të ndjeshme të kësaj kritike. Këtu poeti bëhet vëzhgues shumë i hollë i tragjizmit shqiptar, duke e pasqyruar atë herë-herë edhe me nota groteske. Ai fshikullon liderë të ndryshëm, partiakë, pushtetarë dhe “të kryqëzuar”, që shfaqen s itë krishtërë të rremë. “Ç’është ky njeri i pavdekshëm si Krishti?/ Nuk ka për t’u kryqëzuar kurrë ky njeri?”, “Hosana! O horra butaforikë/Këndoj lavdinë tuaj të pjerdhur.”, “Kaloj para portave të partive i menduar/ Me bukën e ditës në dorë.”, “Dhe, do të gdhendë, për mallkim/ Bronxin e ndonjë diktatori të ri.”, “Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar!”, “Mjerë ju po i besuat çdo të kryqëzuari!”, “Mrekullia e këngës, e vrarë/ Me thikën e luftës së klasave.”, “Tutje prisnin liderët demo-socialistë: Tani erdhi ora të vdes përsëri, mendova.”, “E fundit erdhi vdekja dhe më hoqi prangat: Tani, o njeri, je i lirë!”
Në tërësi teksti poetik i Rreshpjes, me përzgjedhjen sqimatare të fjalës, me velin mistik, paradigmat e larmishme, me hapësirën dhe humanizmin e dukshëm, krijon një gjendje të përkryer komunikimi që të mahnit me nivelin e saj elitar. Ajo është një gjendje poetike si një re e bardhë puplore që lundron në qiellin gri të shpirtit të tij, duke e portretizuar atë si një monark të vërtetë të lirikës shqiptare.

2010

Dashuria-Czeslaw Milosz

in Letërsi/Tharm by

Dashuria-Czeslaw Milosz

Dashuri do të thotë të mësosh ta shikosh veten ashtu siç kundron gjërat e largëta.
Sepse ti je vetëm një gjë midis shumë të tjerave.
Dhe kushdo që sheh në atë mënyrë ia shëron zemrën vetes.
Pa e ditur, prej të këqijave të ndryshme
Një zog dhe një pemë i thonë atij: Mik.

Atëherë ai kërkon të bëhet dritë për veten dhe për gjërat përreth tij
Në mënyrë që ato të qëndrojnë nën shkëlqimin e pjekurisë.
Nuk ka rëndësi nëse ai është i vetëdijshëm se çfarë shërben:
Kush shërben më mirë nuk arrin ta kuptojë gjithmonë aktin e tij.

Përktheu: Arlinda Guma

Go to Top