PLEQËRIA-Philippe Noiret

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Philippe Noiret

1 Tetor 1930 – 23 Nëntor 2006

Më duket se i bëjnë shkallët më të vështira se më parë. Shkallaret janë më të larta dhe më të shumta në numër. Sidoqoftë, është më e vështirë t’i ngjitësh dy e nga dy. Sot mund të ngjit vetëm nga një.
Shikoni dhe shkronjat e vogla që përdorin tani. Gazetat po më largohen gjithnjë e më shumë kur i lexoj: duhet të picërroj sytë për t’i lexuar. Jo më larg se dje, m’u desh të dal jashtë kabinës telefonike për të lexuar numrat në folenë e monedhave.
S’vihet në dyshim që dikush në moshën time ka nevojë për gjyzlykë, por e vetmja mënyrë tjetër për të marrë vesh lajmet është të m’i lexojnë me zë – gjë që s’më pëlqen aspak, sepse në ditët e sotme njerëzit flasin aq ulët, saqë pothuajse nuk i dëgjoj fare.
Gjithçka është më larg. Distanca nga shtëpia ime në stacionin e trenit u dyfishua dhe veç kësaj kanë ngritur një kodër që s’e kisha vënë re kurrë më parë. Sikur të mos mjaftonin këto, trenat nisen më herët. E kam humbur zakonin e të vrapuarit për t’i kapur, duke qenë se ata nisen para se të kem mbërritur unë.
Tani nuk marrin të njëjtën cohë për kostumet. Gjithë kostumet e mia kanë prirjen të tkurren, sidomos në bel. Dhe lidhëset e këpucëve është më e vështirë për t’i kapur.
Edhe moti ndryshon. Bën ftohtë në dimër, vera është më e nxehtë. Do kisha bërë udhëtime, sikur të mos ishte kaq larg. Dëbora është më e rëndë kur përpiqem ta pastroj. Rrymat e ajrit janë më të forta. Me siguri kjo ndodh nga mënyra si i bëjnë sot dritaret.
Njerëzit janë më të rinj nga ç’qenë kur kisha moshën e tyre.
Tani afër vajta në një takim të brezit tim në kolegj dhe u trondita kur pashë se ç’foshnje pranojnë si studentë. Ama dukeshin më të sjellshëm nga ç’ishim ne atëherë; disa prej tyre më thirrën zotëri; madje njëri më propozoi të më ndihmonte për të kaluar rrugën.
Dukuri paralele: moshatarët e mi janë më të vjetër se unë. E kam të qartë se brezi im po i afrohet asaj që zakonisht quhet njëfarë moshe, por a është kjo një arsye që shokët e mi të klasës të ecin duke iu marrë këmbët në një gjendje pleqërie të avancuar?
Në barin e universitetit, atë mbrëmje, takova një shok. Kishte ndryshuar aq shumë, sa nuk më njohu.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke

Jezus-Shpëtim Selmani

Fragment nga dorëshkrimi i një romani të pabotuar Shpëtim Selmani Sa më
Go to Top