PERCEPTIME SHUMË TË IMËTA-Robert Musil

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Robert Musil

Kam rënë në shtrat më shpejt se herët e tjera; me gjasë jam i ftohur e me ethe. Rri e kundroj tavanin dhe perden e kuqërremtë të derës-ballkon të dhomës sime në bujtinë: e kam të vështirë t’i shquaj.
Sapo kisha kryer punë, kur t’i erdhe dhe nise të zhvisheshe. Unë rrija e mbaja vesh.
Dëgjoja hapa, herë në krah të dhomës, herë në krahun tjetër. Ti afroheshe për të vënë diçka mbi shtrat; nuk e shikoja dot, kushedi ç’ishte. Ndërkohë, ti hape raftin dhe s’di ç’fute a nxore së andejmi; pastaj dëgjova që e mbylle. Mbi tryezë le disa sende të forta, të rënda; ca të tjera i vure mbi baule. Nuk rrije asnjë grimë në një vend. Më vonë dëgjova fëshfërimën e njohur të flokëve që i shpupuritje dhe i krihje me furçë. Pastaj erdhi shushurima e ujit në vaskë. Më parë kisha kuptuar se po zhvisheshe, çka po e dëgjoja sërish. Nuk e kuptoja dot se ç’tesha kishe në trup. Tashti kishe zgjidhur edhe këpucet. Të dëgjoja këmbët me çorape tek vejevinin mbi qilimin e butë, siç bëje dhe me këpucët. Derdhe ujë tri herë radhazi në gotë dhe unë nuk e kuptoja përse. Kishte kohë që fantazia ime nuk e përfytyronte dot atë që mund të përfytyrohet, ndërkohë që t’i rrije e kryeje veprime të tjera. Dëgjova që veshe këmishën e natës. Po e ndieja se fundi ishte ende larg. Kishe plot veprime të tjera për të kryer. E dija që nxitoje për shkakun tim; e shikoja se gjithçka ishte e nevojshme, se ishte pjesë e Unit tënd më të thellë dhe, ashtu siç lëvizin pareshtur kafshët, lëvizjet nuk i reshtje nga mëngjesi deri ne mbrëmbje; me ca lëvizje të vogla, të pandërgjegjshme e të panumërta që nuk i vije re, ti kridheshe në një hapsirë të gjerë ku unë s’të arrija dot me asnjë gulç fryme.
Këtë e ndieva rastësisht, se isha me ethe dhe po të prisja.

Përktheu: Gjergj Vlashi

________________

(Marrë nga libri “Tregime austriake të shekullit të XX”. Zgjodhi dhe përktheu nga gjermanishtja Gjergj Vlashi. Apollonia 1999)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top