Jorge Luis Borges
«Parathënia është një zhanër ndërmjetës midis studimit kritik dhe, le ta quajmë kështu, përgëzimit. Është e kuptueshme që ajo duhet të përmbajë një tepri të vogël lëvdatash; lexuesi gjen të mesmen e artë. Në të njëjtën kohë, parathënia duhet të jetë bujare dhe, pas kaq shumë vitesh, kam arritur në përfundimin se duhet të shkruash vetëm rreth asaj që të pëlqen. Besoj se kritika negative nuk ka kuptim. Schopenhauer-i, për shembull, mendonte se Hegeli ishte mashtrues apo budalla, ose të dyja bashkë. Mirëpo, tani, të dy ata bashkëjetojnë paqësisht në historitë e filozofisë gjermane. Novalis mendonte se Goethe-ja ishte një shkrimtar sipërfaqësor, thjesht korrekt e thjesht elegant; ai i krahasonte veprat e Goethe-s me mobiljet angleze… por, sot, Novalis dhe Goethe janë dy klasikë. Me fjalë të tjera, ajo që shkruhet kundër dikujt, nuk është se i sjell atij ndonjë dëm; dhe nuk jam i sigurt nëse ajo që shkruhet në favor të dikujt, ia shton atij medoemos lavdinë. Për sa më takon, prej një kohe të gjatë tashmë, shkruaj vetëm rreth asaj që më pëlqen, sepse jam i idesë se nëse nuk e dua një gjë, kjo ndodh nga pazotësia ose nga pamençuria vetjake, dhe se nuk më takon mua të përpiqem t’u mbush mendjen të tjerëve. Kam dhënë mësim letërsitë angleze dhe amerikanoveriore gjatë njëzet vjetëve; u kam mësuar studentëve, nuk do thosha dashurinë për këto letërsi – kjo shprehje është shumë e madhe dhe shumë e vagëlluar -, por dashurinë për disa shkrimtarë apo, më konkretisht, dashurinë për disa pasazhe, për disa vargje, për disa tema; dhe ia kam dalë mbanë. Më duket se të dënosh nuk hyn në punë për asgjë. Natyrisht, nëse shkruan me shpirt, fraza mbetet. Më kujtohet ajo e Byron-it: Horaci kish thënë se ndonjëherë Homerin e madh e zinte gjumi dhe Byron-i shton se ndonjëherë Wordsworth-i zgjohej. Kjo thënie është shpirtërore, por ajo nuk e dëmton Wordsworth-in, sepse ajo që është shpirtërore bëhet e pavarur nga ajo që është e qëllimshme. Thënia ka mbetur, por vepra e Wordsworth-it ngelet e admirueshme.»
Përktheu: Alket Çani