Mirëmbetsh Tolerancë – Denise Levertov

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mirëmbetsh Tolerancë-Denise Levertov, 1975

 

Poetë gjenialë, faqetrëndafiltë
Urtakë të mirëfilltë
Ju i dhatë botës
Ca kafshore cilësore
Llokma gjuhësore të servirura
Siç serviret një kontrafile viçi
Dhe një flambée qershish me akullore.

Mirëmbetshi, mirëmbetshi
S’më bëhet vonë
Edhe në mos e shijofsha më kurrë hajen tuaj elegante,
Ju miq neutralë, ju që shihni gjithçka nga çdo kënd.

Tolerancë, çfarë krimesh
Janë kryer n’emrin tënd.

Edhe ju, gra të mira, pjekëse të më të mirës bukë
Dhuruese gjaku. Thërrimet tuaja
Më mbysin, dhe nuk e dua
Asnjë pikë gjaku nga ju, se ai del
Prej zemrash të dobëta, prej pulsesh perfekte që kurrë nuk
Gabojnë: që nuk ndikohen
Prej realitetit makthor.

Janë vëllezërit e mi dhe motrat e mia
Ata të cilëve gjaku po u derdhet e po u shteret
Përgjithmonë
Meqenëse ju vendosët të besoni se kjo punë s’ju përket.

Mirëmbetshi, mirëmbetshi
Poemat tuaja
Mbyllin gojët e tyre të vogla
Llokmat tuaja po myken
Një det po e ndan
Tokën që dikur na bashkonte
Ju nuk më përshëndesni se po shihni
Në tjetër anë.

Kurrë më nuk do të takohemi –
Pos nëse e kapërceni këtë det duke lënë
Pas jush shumë të dashurit
Krimba të mospasionit tuaj,
Ironitë tuaja të mefshta
Gjykimet tuaja gazmore, vrasëse
Pa kripë e të balancuara,
Të kapërceni drejt
Zhbalancimit? … atëherë
Lotët tanë prej fanatikësh
Do të rridhnin e do të përziheshin me tuajët
Nga gëzimi…

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top