Mbrëmje shqip-Bardhyl Beka

in Esé by

Bardhyl Beka

Dhjetë minuta ecje nga stacioni JR Makuhari dhe mund të betohesha se mund të ndieja aromën e njelmët të Paqësorit, sado që oqeani ndodhej akoma ca i larguar. Lisat tundeshin nga një erë e lehtë, ëndërrimtare, dhe duke i vëzhguar, s’kisha si të mos mendoja për fjalët e Hesse-së, kur thoshte se ata për të gjithmonë kishin qenë predikuesit më depërtues dhe sesi i ndillnin admirim të thellë. Asgjë s’ është më e shenjtë, thoshte ai, asgjë s’ është më shembullore, se një lis i bukur, i qëndrueshëm. Madje, i krahasonte lisat e vetmuar me Niçen e Bethovenin, që qëndrojnë fuqishëm edhe të vetëm, për dallim nga eremitët, që rrojnë larg njerëzve, shoqëruar me dobësi fizike e pëshpëritje.

Po mendoja për këto, tek po shihja vargun e lisave buzë autoudhës. Po shkoja drejt një restoranti familjar, që ka në menu opsionin e kafeve e çajit pakufi, parajsë për një të varur nga kafeina (si puna ime). E premte. Fundi i javës së punës. Ca kohë për veten. Kisha ndarë mendjen si do ta kaloja. Me ca kohë shqip.

Para, mbase, dhjetë vitesh, natën vonë, po dëgjoja një emision radioje me bazë në Prishtinë. E ftuar – ndoshta përmes lidhjes telefonike, ishte një grua shqiptare, nga Zelanda e Re. Rrëfente për një rajon atje, ku jetonin rreth 400 familje shqiptare, të larguara nga trojet e tyre gjatë periudhave të ndryshme, për arsye të ndryshme, ekonomike, sociale, luftra, politike e nga këto. Si një pol magnetik kishin gjetur njëri-tjetrin. Ishte surreale. Isha emocionuar, veçanërisht kur zonja tha se kohë pas kohe, Ministria e Arsimit, Kulturës e Teknologjisë së Kosovës u dërgonte pako me libra. “Kam pranuar abetaren shqipe dhe fëmijët e lexuan me shumë kureshtje”, thoshte gruaja, gjithë gëzim. Ishte kaq surreale të imagjinoje ato duar të vocrra fëmijësh, tek hapnin abetaren e shqipes në anën tjetër të botës. Rrugën e shkronjave rreth e qark globit, për të arritur tek ata. “A e madhe e shtypit, a e vogël e shtypit. A-a Abetare, A-a Atdheu”. Kështu i imagjinoja, dhe lotët më lagën faqet.

Po bën gjatë, dhe mbase nuk është vendi të rrëfej historinë time me shqipen, kur mësoja shkronja nga motra ime e madhe, në qytetin jug-perëndimor të Gjermanisë. Ajo i mësonte në një kurs për emigrantët shqiptarë. Kur mbusha unë moshën për të shkuar, kursi veçse ishte shuar, në mungesë financimi.

Sot, pra, lexova shqip. Shkrime nga revista online, Defekt-Teknik, që sapo festoi ditëlindjen e pestë. Nisa duke lexuar shkrimin e Arlinda Gumës me rastin e pesë vjetorit, ku përshkruan sfidat e revistës, kopjuesit e dobët, e këmbëngulësinë për të mbajtur kriterin e lartë letrar. Si person që ka një faqe personale, ku shkruaj kryesisht në anglisht, mu qesh fort me faktin se plagjiatorët ishin përpjekur që të kopjonin edhe kategoritë e faqes së Arlindës. Unë kam punuar vetë në krijimin e websit-it tim, kam përzgjedhur me kujdes kategoritë-muajin e parë i kam modifikuar vazhdimisht, dhe thashë sa gjë idioteske është të mos marrësh as mundin të gjesh sinonime për një fjalë.

Kam lexuar se Ali ibn Talip, paska thënë “I mjafton diturisë për nderim fakti se edhe ai qe nuk e posedon, thotë se e ka. Dhe i mjafton injorancës për përbuzje, fakti se edhe ai qe e posedon, nuk e pranon qe e ka”. Duke u përpjekur për ta kopjuar, këta shpirtra xhuxhë, në mënyrë morbide, po shprehnin, në fakt, admirimin e tyre për defektit-teknik…

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.