Ne folëm me Ellen Mattson-in, e cila jep ndihmesë në marrjen e vendimit për çmimin Nobel në Letërsi, për mënyrën sesi funksionon procesi i dhënies së çmimit. Zbuloni më shumë duke lexuar intervistën tonë më poshtë:
Mund të na thoni kush jeni?
Emri im është Ellen Mattson. Jam shkrimtare. Romanciere. Jam anëtare e Akademisë Suedeze dhe gjithashtu e Komitetit të Nobelit.
Si mund të nominohem për çmimin e letërsisë?
Ekziston një sistem për procesin e nominimit. Përndryshe do të ishte dërrmuese. Pra, ne kemi njerëz në të gjithë botën që kanë të drejtë të nominojnë. Dhe këta janë studiues, kritikë, zëdhënës të organizatave letrare e të akademive të tjera. Mund të nominojnë laureatët e mëparshëm dhe sigurisht anëtarët e Akademisë Suedeze. Pra, ne kemi shumë emra nga e gjithë bota.
A mund të nominohet gjithkush për Çmimin Nobel në Letërsi?
Teorikisht mund të nominohet kushdo. Kushdo që shkruan letërsi të shkëlqyer, të jashtëzakonshme. Nuk ka kërkesë tjetër, vetëm cilësi në punë.
Çfarë kriteresh ka për të zgjedhur laureatët e çmimit Nobel?
Gjithçka që ka të bëjë me cilësinë. Cilësinë letrare, sigurisht. Fituesi duhet të jetë dikush që shkruan letërsi të shkëlqyer, dikush që kur e lexon, ndien se ka një lloj fuqie, një zhvillim që zgjat përmes librave, të të gjithë librave të tij. Por bota është plot me shkrimtarë shumë të mirë, të shkëlqyer dhe ty të duhet diçka më shumë për të qenë një laureat. Është shumë e vështirë të shpjegosh se çfarë është. Është diçka me të cilën ke lindur, mendoj. Romantikët do ta quanin shkëndijë hyjnore. Për mua, është një zë që e dëgjoj në shkrime, që e gjej brenda veprës së këtij shkrimtari të veçantë dhe askund tjetër. Është shumë e vështirë ta shpjegosh se çfarë është, por gjithmonë e di kur e gjej. Është diçka me të cilën ke lindur. Një talent që i jep atë dimension shtesë veprës së këtij shkrimtari të veçantë.
A ka një moshë minimale për t’u kualifikuar për çmimin?
Nuk ka kufi moshe, por duhet shumë kohë për t’u bërë shkrimtar i mirë. Ndonjëherë të duhet gjithë jeta për t’u bërë shkrimtar vërtet i mirë; i shkëlqyer. Pra, rezulton që shumica e laureatëve nuk janë të rinj. Unë do të thosha se shumica e shkrimtarëve janë në moshën time, ndoshta pak më të rinj dhe shpesh pak më të vjetër. Është e mundur të gjesh një laureat që është ndoshta 30 ose 40 vjeç, por ka shumë pak gjasa sepse të duhet kohë për t’u zhvilluar. Është një proces i përjetshëm për ta arritur atë nivel përsosmërie.
A ndikon personaliteti i një personi në vendimin tuaj kur jepni një çmim Nobel?
Jo, absolutisht jo. Nëse nuk keni parasysh llojin e personalitetit që shfaqet në vepër. Ne kurrë nuk e shikojmë jetën personale të një personi. Kjo është krejtësisht e parëndësishme. Ajo që ne kërkojmë është gjithmonë letërsia e shkëlqyer. Është merita letrare. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi.
Si funksionon procesi i nominimit? A keni një listë të ngushtë?
Është një seri me lista. Fillojmë me një listë shumë të gjatë prej [rreth] 220 emrash – këta janë emrat që vijnë nga e gjithë bota. Pastaj ne duhet të lundrojmë nëpër këtë masë gjigante emrash dhe aty kemi nevojë për ndihmën e ekspertëve nga vende të ndryshme të botës. Përfundimisht arrijmë në një listë me rreth 20 emra që duam të provojmë për çmimin e atij viti dhe me to punojmë shumë deri sa të kemi mundësinë të zgjedhim pesë emra që hyjnë në listën e ngushtë. Këta pesë kandidatë – këtu fillon puna e vërtetë për ne në komision dhe për të gjithë akademinë. Komiteti lexon gjithçka nga këta pesë shkrimtarë – duke lexuar, duke menduar për atë që po lexon, duke vlerësuar dhe duke shpjeguar shumë qartë sesi mendon për ta.
Pastaj fillon puna ku ne duhet të punojmë vetëm drejt një kandidati. Dhe kjo do të ndodhë nëpërmjet diskutimeve por edhe me votim.
Cila është pjesa juaj e preferuar për rolin tuaj me çmimin Nobel?
Gjëja ime e preferuar është se kam shansin t’i lexoj të gjithë këta shkrimtarë të mrekullueshëm, t’i lexoj në thellësi dhe aq gjerësisht. Unë kam punuar me shumë komisione dhe juri për letërsinë dhe zakonisht ti lexon disa libra ose ndoshta vetëm librin e fundit, por këtu ne i lexojmë të gjithë librat, nga të gjithë kandidatët. Dhe ndoshta ti i lexon ata disa herë për t’u njohur me të vërtetë me kandidatët. Ndonjëherë kjo do të thotë se të duhet të punosh me veten për të kapërcyer një lloj rezistence. Ndoshta ti mendon se nuk e kupton këtë shkrimtar. Ndoshta as nuk të pëlqen ky shkrimtar, por detyra jote është ta zgjerosh mendjen dhe të përpiqesh të lexosh derisa të arrish në një pikë ku ta kuptosh këtë shkrimtar të veçantë. Ka shumë punë, por është punë shumë e këndshme. Ndiej gjithashtu se është një gjë shumë e mirë që truri im ta kapërcejë rezistencën. Ndonjëherë bëhesh pak dembele ndërsa rritesh në moshë. Të pëlqen të lexosh shkrimtarët e tu të preferuar dhe disi rri me ta, por këtu unë sfidohem vazhdimisht nga autorë të rinj. Ky është një gëzim i madh. Dhe sigurisht, më pëlqen edhe procesi i diskutimit të këtyre shkrimtarëve me kolegët e mi lexues në komision dhe në akademi në tërësi.
Si e marrin vesh laureatët?
Është diçka shumë e thjeshtë. Kur ne vendosim, kur merret vendimi, sekretarja e përhershme del të bëjë një telefonatë. Kështu që pastaj fillon telefonimi dhe ndonjëherë mendoj se është paksa e vështirë për ta gjetur laureatin dhe ndoshta nuk është koha e duhur e ditës apo e natës për atë person në cilëndo pjesë të botës për të cilën po flasim, por bëhet nëpërmjet telefonit.
Si mund të më jepet një çmim Nobel në Letërsi?
Ti mund të fitosh një çmim Nobel nëse e kalon jetën tënde duke lexuar, shkruar, letërsi të mrekullueshme, e vërtet ia kushton jetën shkrimit dhe bëhesh një shkrimtar vërtet, vërtet i mirë. Por ti gjithashtu duhet ta kesh këtë talent të veçantë dhe kjo është diçka – mund ta zhvillosh atë, por nuk mund ta krijosh brenda vetes nëse nuk ke lindur me të, unë jam mjaft e sigurt për këtë. Pra, është një kombinim i punës së palodhur dhe talentit, por pjesa e punës së vështirë nuk është e parëndësishme. Duhet shumë punë dhe përkushtim për të qenë një shkrimtar vërtet shumë i mirë.
Përktheu: Arlinda Guma
Intervistën e gjeni këtu: