HESHTJA-Mario Benedetti

in Letërsi/Tharm by

Mario Benedetti

Në fillim qe heshtja. E mërzitshme, e pashueshme, e fuqishme. Heshtja është si një lagunë madhështore. Veshi shkencor dhe ateist ende nuk e kanë zbuluar se cili qe tingulli i parë që u përplas me këtë qetësi e as cila qe gjallesa e parë që shqiptoi britmën e përurimit.
Prandaj për origjinën humane, besimtarët mbështeten te Gjeneza dhe prej aty informohen për dukjen e Adamit, të Evës dhe të gjarpërit ndërmjetës që stisi dashuritë e para incestuoze. Pastaj gjithçka u bë tragjike, kur kainët e parë u bënë atë që u bënë abelëve të parë.
Ndërkaq, heshtja ishte si një kullë vrojtimi e palëvizshme dhe e tillë vazhdoi për shekuj e shekuj, duke vrojtuar luftra përciptazi dhe duke shqyrtuar paqe me kujdes, sa të shkurtra edhe të përkohshme.
Qysh nga ky çast heshtja u zhyt në pagjumësi por edhe në ëndrra, ku makthet më të këqija e kthenin në gjumashe të verbër dhe të shurdhët. Kësisoj, kur dashnorët përqafoheshin në heshtje, dëgjonin rrahjet e zemrave të tyre të tronditura. Dhe kur hyjnë vetvrasësit, më në fund, ndoshta kuptojnë se vdekja është heshtja. Nga ana e saj, heshtja e detit, e cila dëgjohet përherë, është më e përqendruar se ajo e një shtambe, më e pamëshirshme se dy pika.
Disa veteranë rrëfejnë se në terrin e tij të harxhuar vetëm bulkthi e bënte copë-copë heshtjen, por, kur mbaronte serenata, errësira përsëri ishte e heshtur dhe e kaltër.
Megjithëkëtë, pse ta mohojmë, edhe tani ka pak gjëra shurdhuese sa heshtja.

TMERRI I MESHKUJVE

Gjatë natës që s’mbahet mend, për herë të parë, burri u shtri bashkë me gruan. Dhe, atëherë, prej trupit të saj, aty poshtë, midis këmbëve të saj, ai dëgjoi një si kërcëllitje dhëmbësh. Ishte një zhurmë e vogël, por kanosëse. I tmerruar ai i preu krahun.
Edhe sot e kësaj dite, meshkujt më meshkuj, në çdo vend të botës qofshin, ende dridhen kur e kujtojnë, pa ditur çfarë kujtojnë, atë rrezik gëlltitës. Dhe pyesin veten, pa ditur çfarë pyesin: Mos vallë gruaja është një derë ku hynë e nuk del dot më? A thua kush hyn në të nuk del dot më?

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top