DY FJALË SI PARATHËNIE PËR ANABAZËN  E SAINT-JOHN PERSE-IT/Hugo von Hofmannsthal

in Letërsi by

Anabaza u botua në vitin 1924 te revista “La Nouvelle Revue française”. Rilke-ja dhe Hofmannsthal-i i kërkuan Walter Benjamin-it që ta përkthente. Hafmannsthal-i, i ngarkuar me hartimin e parathënies, i shkruante më 1928 Anton Kippenberg-ut: “Kemi të bëjmë me një poemë veçanërisht të errët, me një ndërtim magjik ritmesh dhe rrokjesh”. Saint-John Perse e kundërshtoi botimin. Teksti i Hofmannsthal-it u botua më 1929 në një revistë zvicerane.

Hugo von Hofmannsthal

Poetët francezë janë angazhuar në një betejë që prej dyzet vjetësh. Na duhet të përpiqemi ta kuptojmë këtë betejë dhe synimin e saj – e kush duhet ta kuptojë më shumë se ne? Por s’do të arrinim kush e di se ku duke folur këtu për shkolla, prirje, moda estetike dhe gjëra të tjera të këtij lloji me të cilat kritika letrare universitare ka zakon të errësojë faktet. Fjala është për gjuhën frënge në funksionin e saj më të fshehtë dhe kjo betejë është e vjetër. Shpirti kombëtar i këtij kombi, përzierje kaq e lumtur e tre elementëve etnikë, është i gjallë por prozaik. Arsyeja qeveris. Aty nga mesi i shekullit XVII, ky mbizotërim i arsyes u ngrit, si të thuash, në rangun e një ligji themelor. Malherbe-i triumfon ndaj Régnier-së, toni i arsyeshëm triumfon ndaj dridhjes emocionale. Konformiteti me ligjin forcohet për të gjitha kohët, e pavetëdijshmja përmbytëse shumë shpesh ndrydhet. Qartësia pragmatike pa ekuivoke e shprehjes shtrohet si ekzigjencë dhe vetë shprehja simbolike, metafora, i është nënshtruar shtrëngesave tejet të rrepta. Ekzekutimi i këtyre ligjeve ka të bëjë me një instancë të pandreqshme, shija e mirë, një lloj vetëdijeje e intelektualizuar.

Megjithatë jeta më e fshehtë e gjuhës, nga e cila varet një gjallëri delikate dhe skajshmërisht intime e kombit, vihet në pozita mbrojtëse. Këtë betejë të vjetër që në shekullin XVI e kishte bërë Plejada, betejë për një sintaksë të lirë, për metafora më të guximshme, për të drejtën e afrimit me muzikën e kohës së saj – e shohim të përsëritet në fund të shekullit XIX. Mallarmé-ja është prijësi dhe doktrinari i madh i kësaj lëvizjeje (doktrina e tij ngjan me poezinë e tij, ajo realizohet nëpërmjet aluzionesh dhe aty mbretëron eleminimi i përpikërisë, i koherencës pragmatike dhe aksioni i saj është më i madh e më i qëndrueshëm). Por Baudelaire dhe Rimbaud paraprijnë Mallarmée-në dhe vala e madhërishme, polifonia sekrete e të parit, njëlloj si tek i dyti thyerja e harbuar e rregullave, tek të dy është një përpjekje për t’iu afruar lëmit të muzikës që i bën ata vëllezër të Mallarmé-së. Sepse ky i fundit ishte me siguri pothuajse po aq muzikant sa edhe poet. Nga pikëpamja e kompozicionit nuk do të mund të kuptonim dallimin midis tij dhe Debussy-së.

Por edhe ritmet e Paul Claudel-it kanë vendin e tyre në këtë lëmë, atë element himnor që mbart aroma botësh të tëra edhe vetëm në një replikë të dramave të tij, apo në një varg. Dhe Valéry-a shfaqet, vetëm ndaj një vështrimi sipërfaqësor, si i nënshtruar ndaj të tjera ligjësish dhe e gjitha kjo vetëm e vetëm sepse qartësia e tij është aq e madhe, sepse, në njëfarë mënyre, do të ishte e mundur të shprehej matematikisht kurba e ligjërimit të tij, por te drita janë të njëjtat sekrete dhe të njëjtat pasuri si edhe te hija.

Për të gjithë këta – dhe ç’aradhë emrash nga më fisnikët që përmendëm! – është i rëndësishëm rinovimi i frymëzimit lirik duke u nisur nga brendësia e vetë gjuhës. Individi krijues, i rrethuar si me mure prej udhësh shprehjeje që çelen pa fund, hidhet brenda vetë gjuhës dhe rreket të marrë tek ajo dehjen e frymëzimit dhe t’i hapë rrugë të reja jetës në harmoni me ato intuita të mëdha që kanë shqisat kur shkëputen nga dominimi i arsyes në gjendje të zgjuar. Kjo ka qenë gjithmonë mënyra e latinëve për t’iu qasur të pavetëdijshmes. Ata nuk i qasen siç bën shpirti gjermanik, i cili në një gjysmëndrre tretet nga ëndjet e veta, shembuj të fuqishëm të të cilit na japin poezia angleze dhe gjermane, por duke u lëshuar vetë me vërtik në lundrim mbi bregun tjetër, duke trandur gjithë objektet rrëmujshëm, duke thyer rregullat. Janë saturnalet e shpirtit. Reflekse të reja buthtojnë nën vështrime që pothuajse fiken, është një ripërtëritje e paparë, një Mister në kuptimin e mirëfilltë. Këtu një udhë na çon edhe nga “Anija e dehur” e Rimbaud-së te vargjet e para të Stefan George-s. Që të dy kanë të përbashkët atë që romaku e ka përkufizuar me fjalën “incantatio”: të errëtën dhe të dhunshmen magjepsje të vetvetes realizuar nëpërmjet fuqisë magjike të fjalëve dhe ritmeve.

Prirjeve më të thella të këtyre poetëve u shtohet një poet bashkëkohës, të cilit po i prezantojmë veprën poetike kryesore. Anabaza ka një sfond heroik dhe kur ky sfond ndriçohet në sytë tanë, ne përballemi me diçka tipike prej delikatesës së ashpër të Poussin-it. Vetë ngjarja zhvishet nga konteksti i saj historik, social, konceptual. Ajo përpikëri që e konsiderojmë pothuajse si sinonim të shpirtit francez eliminohet. Sidoqoftë më pak se, p.sh. te Mallarmé-ja, ka një rivalitet me muzikën. Në vend të atij materiali verbal vezullues, me shumë kuptime të ndjeshme, me anë të të cilit gjërat duken si të mbyllura te muzika, ne ndiejmë kontaktin e ashpër të një qëndrese të madhe e të fuqishme. Fjalët paralajmëruese të pastërtisë dhe të ashpërsisë, të dominimit dhe të vetëkontrollit: peshorja e drejtë, kripa e pastër, ideja e kulluar, elementi purifikues, që shenjtërojnë se te kripa ndodhen “ëndjet e kripës”, kumbojnë pa reshtur. Ashpërsitë e kalimeve, vërtitjet që pa pushim ndërpriten befasisht, tekat që përmban Orienti i ndërmendur, të gjitha këto formojnë një lexim që të fshihet po aq sa të jepet. Por intuita zbulon një vepër plot bukuri dhe forcë dhe, në mënyrë të pashpjegueshme, një vepër të dalë nga fryma e së tashmes – të asaj të tashmeje të tendosur e heroike të Francës që prodhon shenjtorë të rinj e që, në Jug, para portave të saj, themelon një perandori të re koloniale.

E kam fjalën për origjinalin e Zotit Saint-John Perse, jo për përkthimin. Një vepër e këtij lloji është e papërkthyeshme. As Baudelaire-i nuk është përkthyer ndonjëherë, me gjithë përpjekjet e përsëritura vazhdimisht. Në raste të tilla, përkthimi nuk do të mund të luante tjetër rol veç atij të një raporti tejet të përpiktë e të vetëdijshëm. Sidoqoftë, mbetet njëfarë ngashnjimi në rendin e brendisë, përndryshe do të ishte i pashpjegueshëm fakti që përkthimet e poezive kineze na bëjnë për vete e na kënaqin, përkthime në anglisht apo gjermanisht, që nuk janë bërë as nga origjinali, por sipas transkriptimeve latine.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top