DUHET TË SHPRESOJMË/JORGE LUIS BORGES

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

JORGE LUIS BORGES

Dikur kam thënë se demokracia është një abuzim statistikash. E kam kujtuar shumë herë atë mendim të filozofit Thomas Carlyle, që e përcakton demokracinë si kaosin e siguruar me kutitë e votimit elektoral.
Utopia ime vazhdon ende të jetë një vend apo i gjithë planeti, pa shtet apo me një minimum shteti. Por unë e kuptoj, jo pa trishtim, se kjo utopi është e parakohshme dhe se na duhen edhe disa shekuj për këtë. Vetëm kur çdo njeri të jetë i drejtë, ne mund të bëjmë pa drejtësi, pa ligje dhe pa qeveri. Tani për tani, ato janë të këqija të domosdoshme.
Jemi gati në agoni. Por një agoni mund të jetë një ringjallje.
Drita e qartë e zgjimit na mahnit pak. Askush nuk i injoron format që merr makthi kokëfortë.
Tmerri publik i bombave, tmerri klandestin i rrëmbimeve, torturave dhe vdekjeve; rrënimi etik dhe ekonomik, korrupsioni, vesi i çnderimit, krekosjet, veprimet tejet të errëta… Unë e di shumë mirë që ky katalog është i paplotë.
Kaq vite padrejtësi, mbrapshti dhe vetëkënaqësi na kanë njollosur të gjithëve. Kemi kohë që po ecim mbrapsht… Megjithatë, shpresa jonë nuk duhet të jetë e humbur, edhe pse problemet janë të shumta dhe të ndërlikuara, që një qeveri mund të mos jetë e aftë t’i zgjidhë…
Një qeveri që i përkushtohet dialogut, që hap rrugë në dialog, që pranon se ka gabuar, që preferon të arsyetojë thellë ndaj zemërimit apo edhe kërcënimit të thjeshtë të njerëzve, do të thotë se pranon një opozitë. Nëse kjo logjikë dhe disiplinë është harruar, është nevoja të rilindë një republikë e vërtetë demokratike. Ne nuk duhet të qëndrojmë më në një dimër autokratësh. Duhet të shpresojmë. Por shpresa shoqërohet nga detyra dhe veprime…
Nëse secili prej nesh vepron në mënyrë etike, ne do të kontribuojmë në shpëtimin e atdheut.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top