Zhuljeta Grabocka
Poetika e Natasha Lakos është rritur në të njëjtën trevë e sfidë krijuese liriko-epike. Fushë e mal, kodër e pllajë kuteline e lagushiane, që i ngjajnë shkëlqimit të koranit të liqenit lyhnid nën dritën e diellit, e përcillet në fjalën gurrë mes rrjedhës së poetëve mbarë-etnikë të lumenjëve të Devollit e Drinit, si një psalm në ritualin e së dielës, plot origjinalitet e virtytshmëri.
“Kur avitet bota, trupi hap gjinjtë.”
Nëpërmjet këtij imazhi lëvizës makbethian, poetja Natasha Lako hap vëllimin e saj “Kundërpërfytyrimi”. Dhe lexuesit të kulturuar i kujtohen elementet nëntekstualë deradianë në kryevargun tek “Këngët e Milosaos”:
“Dheu kishte ndërruar lisat/ujë të ri të detit/ kaltëronte në ditë të re.”
Një takim poetik prijetarësh, i pakohë në universin e fjalës.
Poetja hyn përsëri në tempullin e poezisë shqipe si poetja e parë femër, përherë me një guxim të ri poetik. Ashtu siç ka ndodhur me çdo vëllim të saj, plot risi e origjinalitet. Ajo e ridimensionon poezinë e saj drejt fuqisë përshkruese, duke krijuar tashmë shkollën e saj poetike.
Natasha Lako përfaqëson zërin poetik femëror më të fuqishëm prej gjysëm shekulli. Një zë emancipues dhe shpirtëror që tejkaloi zvetënimin dhe konformizmin e dy periudhave të zhvillimit të poezisë bashkëkohore mbas viteve 70-të të shekullit XX dhe dekadave të para të fillimit të shekullit të ri. Ajo, krahas krijuesve modernë në prozë, është përfaqësuese e modernitetit poetik, duke përvijuar tiparet më të qenësishme të tij.
Përtej vështrimit diakronik të vëllimeve të saj, në sinkroni, çdo vëllim ka specifikat e veta dhe përfaqëson rrugën e formimit poetik unikal, të ambientuar me këndpërfytyrimin mëmësor të ngjizjes së krijesës poetike, prej një “Safoje moderne të letërsisë shqipe”. Lexuesi në vëllimin e fundit do të shijojë peshën e papërsëritshme të fjalës si shenjim dhe pafundësinë e mundësive të asocimeve ndjesore:
“Fjalën e dua kopé, për të mbetur gjithnjë nomade/….dhe… gruan e pashfaqur ende, që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje…”
Me fuqinë e shenjëzimit të “fjalës lehonë”, deri në tërholljet e saj plot të papritura, plot thellësi mendimi e përjetimesh, rritëm e muzikalitet … “që në këngë nuk ka hyrë dhe kur mendon”, – do të shprehet poetja: “boshësinë e fjalëve plot gjilpëra dhe karfica”…“duke përmbysur sirtarin për të hyrë në intimitetin e njeriut”… “e përndritur në atë labirint”… “ku del gjithnjë briri i një filli të një drite tjetër” … “Si për gjërat e vjedhura, të kthehemi edhe njëherë nga fillimi”, – nënvizon ajo tek poezia “Zonja të bukura”.
Me këtë përmbysje rinovuese, poetja sheh mundësi të pafundme shprehjeje e akte komunikimi verbal. Poezia e Kundërpërfytyrimit, e shpenguar deri në mrekulli, vërtet e shpalos stoicizmin e pretenduar prej poetes. Çdo poezi është një sprovë më vete tonaliteti edhe strukturimi. Aksioni i saj poetik, i ndihmuar prej talentit të lindur dhe intuitës së përfituar krijuese, e fokuson lehtësisht kamerën e saj lëvizëse drejt njeriut universial dhe natyrës universale.
Poezia e Natasha Lakos është e drejtpërdrejtë në kufirin e masës së abstragimit. Ndjesitë emocionale të përjetimit janë drithëruese për lexuesin. Duke luajtur bukur me detajin, poetja realizon distancën e një poezie komforte e të lirë, pa imponuar interpretim e moralizim. Qartësia e shprehjes, pranvëniet e detajeve brenda poezisë me një thellësi të admirueshme, të lejojnë të vlerësosh dhe të interpretosh këndimin poetik që është sa i vjetër e mitik në origjinë, aq edhe modern e mbresëlënës në ripërtëritje të vazhdueshme. Poetja të krijon mundësinë për ta parë atë, fjalën, gjatë gjithë ekzistencës së shfaqjes së saj artistike. Pikërisht tek këndim/vargëzimi, ajo rimerr format e narracionit epiko-lirik, si një barde e ndërgjegjshme për të modernizuar thelbin ekzistencial e kulturor të shfaqjes së tij. Qetësia olimpike e përshkrimeve të gjeografisë shpirtërore poetike, në plazmin e vetëdijshëm e suprizues erëborziloku, e përshkon gjithë vëllimin. Ai rrjedh i ndjerë dhe jo i kërkuar e i stisur, është i pa sforcuar, por i vetëshpallur me një muzikalitet pritës e jovetmitar. Mendimi metaforik i fabulës poetike rizgjohet nëpërmjet imazheve të përsëritura metonimike. Vargëzimi i kulturuar, gjerësia epike e përshkrimit, krijojnë një poetikë të strukturuar estetikisht. Palimpsesti i portretizimit të njeriut në projektim të shumësisë së tij prozaike, nuk e ka penguar poeten të shprehë relativitetin e së bukurës edhe së mirës, neutralitetin e paqes edhe urrejtjes barbare. Në qerthullin e vargut të saj mbështillet e vërteta si vetë jeta në përkohshmërinë dhe përjetësinë e saj. Tërësia e poezive të vëllimit është testamenti poetik i Natasha Lakos, në të cilin poetja ka ende shumë për të shkruar…
Hija e Kullës së Babilonisë bie ende mbi çdo metaforë, bie mbi trupin e çdo gjuhe, bie mbi të gjithë botën, atje ku jeta e njeriut thotë fjalën e vet! “Kundërpërfytyrimi” është gjurma e asaj që ishim e duhet të jemi.
“…nuk do të kishte kënduar Huancita/më i sigurt në botë, sikur të mos ishte/kundërpërfytyrimi.”
Po e mbyll këtë trajtesë të shkurtër, në këtë stinë shpërthim lulesh të 70 pranverave plot ngjyra të jetës së saj, me këtë varg nga vëllimi:
Po çelin kumbullat e mbushura me lule të bardha, të imta.