Aksidenti që më ndryshoi jetën.
Paolo Sorrentino rrëfen:“E gjeta veten përnjëherë jetim. E kështu provova të bëja nje film.”
Regjizori napoletan:“Isha 17 vjeç dhe kisha një të ardhme bankieri, si atë të babait tim.”
MILANO – Pushimet i kalon në Stromboli me gruan dhe me fëmijët në një shtëpi me qera perballë farit Strombolicchi. Në mëngjes punon (përgatit filmin amerikan me protagonist Sean Penn). Në orarin e drekës ha nje akullore dietike dhe i bashkohet familjes në breg.
Në darkë freskohet në kopësht, me erën që i përkëdhel fytyren, dhe ndihet si pianisti i piano barit “La Tartanacantare”. Atëherë drita e farit vjen dhe ikën. Paolo Sorrentino, regjizori i “Il Divo” (jeta spektakolare e Giulio Andreottit), që mori çmimin e jurise në Kanë, rinxjerr nga kujtesa imazhe të lumtura të njerëzve që kërcejnë.
“Të shtunave në darkë, prindërit ftonin miq në shtëpi, vendosnin një disk të Califanos ose të Sinatrës dhe kërcenin ngadalë. Unë, fëmijë, i shikoja i mahnitur. Kam bërë filmin e parë “Një burrë më shumë, historia e një këngëtari konfidencial”, sepse babai im dëgjonte Califanon. Jam femija i dy prindërve të mëdhenj, që më lindën shumë vonë. Ndaj nuk mund të jem dot aktual, mua më pëlqen shumë brezi i babait tim”. Ishte drejtor banke i ati. “Kishte një mik i cili vinte ta takonte të hënave në darkë, me justifikimin për të parë televizion. Në fakt të dy ziheshin furishëm për politikën. Babai ishte komunist, miku i tij fashist. Unë mallëngjehesha kur i dëgjoja”.
Nëna ishte shtëpiake. Banonin ne Vomero (“si gjithë napoletanët e tjerë që kanë bërë dy lekë”). Sorrentino, në adoleshencë, i binte ndonjë herë baterisë, ëndërronte të bëhej yll i rrokut dhe la të rriteshin barsetat e gjata, nga të cilat nuk hoqi dorë asnjëherë. As për nevojë të ndonjë roli. “Moretti më telefonoi për një rol të vogël tek Caimano: “Ama duhet të heqësh barsetat”. Iu përgjigja: “Dëgjo Nanni, atëherë nuk bëhet”. Ramë dakord. Do t’i prisja, por jo shume”. Në moshën 17 vjeçare Sorrentino mendon se kur të rritet do të bëhët shkrimtar. Dashuron marrëzisht Udhetimet në fund të natës të Celine.
Menjëherë merr fund çdo gjë, disqet e Sinatrës dhe të Califanos, kërcimet e lehta, ëndrrat artistike. “Prindërit e mi vdiqën, ishte aksident. Ishin në një shtëpi në mal. Një shkarkim gazi i papritur”. Sorrentino nuk kupton më asgjë. Është koha për të shkuar në universitet. Nuk di çfarë të bëjë. Të afërmit e ngushtë i sugjerojnë ekonomi biznesi. Përfundoi shumë vite më pas. Në moshën 25 vjeçare braktis çdo gjë dhe i dedikohet kinemasë. “Humbja e prindërve në moshën 17 vjeçare më ndryshoi jetën në të gjitha kuptimet. Nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi, nuk do të isha bërë asnjëherë regjizor. Duke qenë fëmija e një bankieri do të kisha ndjekur patjetër gjurmët e babait tim.”
Pasojat e dashurisë dhe suksesi i parë. “Il Divo”. Në dy filma, protagonist Toni Servillo. “Dashuria ime ndaj Toni Sorvillo ka shumë arsye (aftësitë e tij ekstreme për shembull). Por për mua ka pasur shume rëndësi tjetër gjë. Toni më bën shumë të qesh, e për mua ka shumë rëndësi e qeshura. Përgjithësisht aktorët nuk i dua. Thuhet se zakonisht regjizorët i duan shumë aktorët, sepse brishtësia e tyre shpesh i thyen ata. Ky nuk është rasti im. Unë bëhem cinik me aktorët, e ndonjëherë bëhem i keq. Shumë prej tyre sillen si fëmijët që nëpër ditelindje recitojne poezi para prindërve e gjyshërve”.
Kritikët thonë se Sorrentino është shumë i talentuar, por ka gjithmonë mangësi me gratë, me personazhet femërore. “E drejtë, deri më sot kam bërë mirë vetëm nënën. Nëse duhet të nxjerr në skenë gra të brezit të nënës sime shkon çdo gjë mirë. Me moshataret e mia, e pranoj, ka diçka që nuk shkon. Por po mundohem të përmirësohem.”
Pianisti i Tartanës luan muzikën e mbylljes. Është përsëri Califano. “Ja muzika mbaroi. Miqtë nisin largohen tashmë….”
Sorrentino ndërpret tregimin sikur është zgjuar nga një ëndërr me sytë e hapur: “Filmi i fundit është një histori autobiografike mbi marrëdhëniet e një djali me të atin. Ashtu si ka qënë edhe marrëdhënia mes meje dhe babait tim”.
Përktheu Blerina Berberi
*titulli është redaksional