Alda Merini- Rrëfimi i saj për vitet në çmendinë

in Letërsi by

Marrëdheniet me të shoqin, ilaçet, elektroshoku.

Artikulli është shkruar për revisten “Ok” nga ajo vetë.  

 Poetja Alda Merini ndërroi jetë të dielen e datës 01 Nëntor, 2009, në Milano, në moshën 78 vjeçare.

 Teksti i dërguar nga Alda Merini

Kur më shtruan herën e parë në çmendinë, isha diçka më shumë se një femijë, kisha dy vajza dhe disa eksperienca në kurriz, ama shpirtin e kisha ende të pastër dhe prisja që diçka e bukur të shfaqej në horizontet e mia; në fund të fundit isha poete, e kaloja kohën duke u kujdesur për vajzat e mia, jepja mësime private për disa nxënës dhe shumë njerëz më mbushin shtëpinë me britmat e tyre të gëzuara.

Pra, isha një grua dhe një nënë e lumtur, edhe pse herë pas here kisha shenja lodhjeje dhe ndieja mendjen të më mpihej. U përpoqa të flisja me tim shoq për ato që më shqetësonin, por ai nuk dha asnjë shenjë se po më kuptonte, e kështu lodhja ime u rëndua, e sidomos pas vdekjes së nënës sime, të cilën  e doja në mënyre të veçantë, gjërat filluan të përkeqësoheshin, aq sa një ditë, e lodhur nga punët e shumta dhe varfëria e vazhdueshme u përfshiva nga lumi i së keqes, kalova në histerizëm dhe burri im nuk gjeti gjë tjetër më të mirë se sa të lajmëronte ambulancën, duke mos parashikuar se do të më çonin në çmendinë.

Aty mendova se po çmendesha.

Por atëherë ligjet ishin të çuditshme, ende në vitin  1965 gruaja ishte objekt i burrit dhe burri mund të merrte vendime për atë që mund të quhej e ardhmja e gruas.

Kështu pra, më internuan pa dijeninë time, e unë deri atëherë as nuk e dija që egzistonin spitalet psikiatrike, sepse asnjëherë nuk kisha parë një të tillë, po kur u gjenda atje në mes, besoj se u çmenda pikërisht në atë çast; kuptova që kisha hyrë në një labirinth nga i cili do të ishte shumë e vështirë të dilja.

U rebelova. E çdo gjë u përkeqësua më shumë.

Në darkë u ulen hekurat mbrojtës dhe ndjeva një rrëmujë që dilte nga ferri. Nga venat e mia lindi një ulërimë therëse, një thirrje gjithë vuajtje drejtuar fëmijëve të mi. Ulërija dhe shqelmoja derën me sa forcë që kisha. Dhe rezultati ishte që më lidhën dhe më bombarduan me gjilpëra dhe me qetësues.

A nuk ishte rebelimi im njerëzor? A thua se nuk po kërkoja thjesht të kthehesha në jetën që më përkiste? Përse atë rebelim e morën për mosbindje? Pak nga efekti i ilaçeve dhe pak nga shoku i fortë që kisha pësuar, qëndrova në koma për tre ditë dhe mund të dëgjoja vetëm ndonjë zë, por frika ishte zhdukur dhe ndiehesha e dorëzuar në duart e vdekjes.

Ai shkarkim pa anestezi!

Pas disa ditësh im shoq erdhi të më marrë, po unë nuk doja të shkoja më me të. E kisha mësuar veten të gjeja tek ai armikun tim, e pastaj isha aq e dobët dhe aq shumë e hutuar sa në shtëpi nuk do të mund të bëja dot asnjë gjë. Thanë që ajo kishte qënë zgjedhja ime e dytë, zgjedhje që e pagova me dhjete vite shtrëngimesh dhe dënimesh. Çmendina ishte gjithmonë e mbushur me aroma shumë të forta. Shumë njerëz urinonin në tokë. Kudo ishte fundi i botës. Njerëz që shkulnin flokët, njerëz që grisnin rrobat ose që këndonin këngë pa kuptim.

Vetëm ne të dyja, unë dhe Z., uleshim në një stol të ulët, me këmbët mbështjellë nga duart, me sytë të fiksuar diku dhe me frikën e çmendur se mos bëheshim si ata.

Në atë çmendinë kishte tmerre nga elektroshokët. Herë pas here na futnin brënda atyre dhomave dhe na nxirrnin ato faturat e tmerrshme. Unë i quaja fatura, sepse vlenin vetëm për të zhvlerësuar shpirtrat dhe mendjet tona. Dhomëza e elektroshokut ishte një dhomë  tmerresh, e akoma më keq ishte dhoma ku na bënin gati ngjarjen e trishtuar.

Na bënin një morfine, na jepnin ndonje qetësues tjetër që të mos shqetësoheshim shumë gjatë shkarkimeve elektrike. Pritja kishte shumë ankth. Shumë qanin.

Dikush urinonte ne tokë.

Një herë kapa nga fyti kryeinfermieren, në emër tëgjithë të tjerëve. Rezultati ishte që me futën më shpejt në elektroshok, e pa anestezi përpara, në mënyrë që të ndieja çdo gjë. E akoma e ruaj kujtimin e tmerrshëm.

Shkruar për revisten “OK- shëndeti para çdo gjëje”, Maj 2006.

 Përktheu Blerina Berberi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.