Janis Ricos
Ndërsa gjuha e shkencës është analitike, gjuha e poezisë është sintetike, shprehëse. Në këtë rast universiteti më i madh është gjuha e popullit. Krahasoni mënyrën sesi flet një shkencëtar me mënyrën sesi flet një njeri popullor. Fjala e shkencëtarit ka një palëvizshmëri, si diç e ndenjur,veçanërisht tek folja, që është elementi më i lëvizshëm i çdo gjuhe dhe ndryshimi i kohëve të foljes përcakton ndryshimin e kohës. Një shkencëtar thotë: “Sot në mëngjes u ngrita herët, hapa dritarem, pashë qiellin, qe ditë e bukur, dola në rrugë, arrita në zyrë, takova kolegët. Të gjitha foljet janë në të njëjtën kohë të palëvizzhme. Kurse një bujk do të thotë: “U ngrita që pa gdhirë, hapa dritaren, bo bo ç”ditë që ishte, bekuar nga Zoti, pa shih dhe fqinja, hë zonja Lenë, ç’bën, fjeti mirë fëmija? Ç’të të them, nuk ka mbyllur sy gjithë natën., etj, etj. Këtu folja lëviz, kohët këmbehen me njëra- tjetrën në mënyrë të tillë që të tregojnë ndryshimet emocionale, vallëzimin e brendshëm. Këto janë mësime të çmuara për poezinë. Nga gjuha e popullit mund të mësosh përdorimin e drejtë të foljes, emrit, mbiemrit: sa mbiemra të njëpasnjëshëm mund të përdorësh, në ç’rast, në ç’raport me emrin. Vlera e një poezie nuk qëndron tek ajo çka thotë, por tek ajo çka është. Ju që jeni të rinj dhe që punoni në mënyrë krijuese me poezinë dhe gjuhën do të zbuloni vazhdimisht se ç’bukuri të pafundme dhe ç’të fshehta mban një fjalë. Çdo fjalë ka kujtesën, dramën e vet, ndaj artin e poezisë dhe estetikën i nxëmë vetiu, duke shktruar. Asnjë teori estetike nuk ka për të na mesuar sesi krijohet poezia, as sociologjia, as filozofia, as shkenca e estetikës, vetëm duke shkruar mësojmë. Shumë pak gjëra mund të mësojmë nga studimi i Croce-s, Taine-it, Alain-it. Vetëm duke punuar mësojmë sesi duhet të punojmë. Teknika dhe arti i poezisë burojnë nga puna. Puna nuk na jep vetëm mënyrën sesi duhet të punojmë, por edhe na zbulon njëherësh, pra, zbulojmë veten nëpërmjet saj. Dhe duke zbuluar veten, zbulojmë botën. Vetënjohja është dija më e madhe e njeriut dhe pikërisht kjo e konkretizon individin. Njohja vjen përherë si fryt i përvojës jetësore, ndaj dhe arti është i lidhur në mënyrë të pandashme me trupin. Ky ishte edhe ideali i qytetërimit të lashtë grek: uniteti i trupit me shpirtin. Kurse krishtërimi i ndau dhe trupin, nga mesi e poshtë, e flaku tutje.
Përkthyer nga: Romeo Çollaku