Vajza gjermane që qëlloi me gjakftohtësi ekzekutuesin e Che Guevara-s

in Në kohërat e kolerës by

Ishte vajza e një bashkëpunëtori të Hitlerit dhe u vra nga një ish-nazist që kishte gjetur strehim në Amerikën Latine.

Në 1 Prill të vitit 1971, zyrtarë të konsullatës boliviane në Hamburg gjetën të vdekur konsullin e përgjithshëm, me tre plumba në trupin e tij. Pranë tij, gjetën një parukë bjonde, një armë dhe një shënim që shkruante:”Victoria o Muerte”, “Fitore ose Vdekje”! Konsulli i vrarë quhej Roberto Quintanilla dhe ishte ish-koloneli që urdhëroi vrasjen e Che Guevara-s në Bolivi. Njeriu që e ekzekutoi ishte Monica Ertl.

Më 9 Tetor të vitit 1967, ushtria boliviane në bashkëpunim me CIA-n, kapi Che Guevar-ën në malet boliviane dhe e çoi në një shkollë. Oficerët, të lumtur festonin arrestimin e “Rrezikut No.1”, me në krye kolonelin Roberto Quintanilla. Pasi koloneli mori një shuplakë nga revolucionari argjentinas, menjëherë urdhëroi ekzekutimin e tij.

Monica Ertl. 

Monica Ertl ishte e bija e Hans Ettl, i cili ishte kinematografi kryesor i Hitlerit. E lindur në vitin 1937, u ushqye me idealet naziste, pasi shtëpia e tyre vizitohej shpesh nga Claus Barbi, një zyrtar nazist. Monika e quante “Xhaxha Claus”.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht në vitin 1954, familja Ertl u zhvendos në Bolivi, pasi babai i Monikës ishte i zhgënjyer nga shteti gjerman për shkak se nuk fitoi një çmim për “ofertën” e tij si kineast. Rutina e përditshme e familjes u trazua në vitin 1967, kur Monika lexoi në një gazetë për vrasjen e Che-së, si dhe për veprimin e guerilëve ELN në malet e Bolivisë. Gjermania e re nisi kontaktet me rebelët e ELN-së dhe ra në dashuri me një Bolivian: Inti Peredo.

Në vitin 1969, Monika kishte tashmë 2 vite si anëtare e ELN-së, por aktiviteti i saj ishte i kufizuar në çështjet jo-operacionale.

Një pasdite, përsëri në një gazetë, pa foton e të dashurit të saj Inti të dergjet i vdekur, dhe pranë tij një burrë që pozonte me krenari. Ishte kolonel Roberto Quintanilla. Monika u shkëput përfundimisht me familjen e saj dhe u zotua për hakmarrje. Regjimi bolivian për të mbrojtur Quintanilla-n nga rebelët e emëroi konsull të përgjithshëm të Bolivisë në Hamburg, Gjermani. Monica Ertl e planifikoi vrasjen e tij për dy vite. Në 1 Prill të vitit 1971 trokiti dera e Konsullit të Zyrës së Quintanilla-s dhe sekretarja e tij e informoi se një gjermane e kërkonte për ta ndihmuar për një vizë. Quintanilla u përgjigj në mënyrë pozitive, dhe derën e zyrës e kaloi një bjonde mbresëlënëse me një këmishë të hapur dhe këmbë të gjata. “Ertl, Monica Ertl. “Interesohem të vizitoj Bolivinë për një dokumentar. Kam qëndruar atje me babanë tim pas luftës. Kemi emigruar atje për disa vite derisa situata të qetësohej. Gjykatat e luftës, amerikanët, rusët, e kuptoni vetë”.  Konsulli, pasi i tha se do ta ndihmonte, i dha një kartë me të dhënat e tij në rast se bukuroshja gjermane dëshironte ta shoqëronte për një pije. Monika lexoi kartën. “Roberto Qintanilla Pereira, konsull i përgjithshëm i Bolivisë”. Tashmë ishte e sigurt. Kishte gjetur njeriun që ekzekutoi Che-në dhe që pozonte me krenari mbi trupin e Inti-t. Me gjakftohtësi, nxori nga çanta e saj një pistoletë”colt cobra”, dhe e shënjestroi duke i thënë: – Victoria o Muerte senior? Monika e qëlloi tri herë. “Fashist”, i tha, dhe pasi la në zyrë parruken bionde dhe armën, u zhduk.

Monika Ertl u kthye në Bolivi dhe ishte tashmë e kërkuara numër 1, pasi autoritetet e kishin shpallur për $ 20,000. Pas dy vitesh në ilegalitet, Monika vendosi të vizitojë intelektualin francez dhe mikun personal të Che, Rejis Debre. Kur u pa, e përqafoi ngrohtësisht dhe i tha të ketë kujdes, sepse ishte shumë e  rrezikshme të qarkullonte. Pasi folën për pak kohë, Rejis mori pamje serioze dhe i tha i tronditur:”Monika, ai është këtu, në Bolivi.” Monika nuk e kuptoi dhe e pyeti, “kush është këtu?” “Claus Barbi, kasapi i Lyon-it. Eshtë këshilltar i shërbimeve sekrete boliviane me emrin Claus Altman. Monika e tronditur pëshpëriti, “Xhaxha Claus, miku i babait”. Pasi kaloi tronditjen, Monika i propozoi Rejis të rrëmbenin “Kasapin e Lyon-it” dhe të gjykohej sipas standardeve të Eichmann, ai u diktua në Argjentinë, u rrëmbye nga Mossad dhe u gjykua për krime lufte.

Për muajt e ardhshëm, Monika Ertl dhe Rejis Debre vëzhgonin Claus Barbi, me ndihmën e “shokëve” të tjerë. Megjithatë, dikush nga grupi i tradhtoi, pasi Claus kishte njerëz kudo. Më 12 Maj të vitit 1973, i ngritën pritë nën udhëzimet e “xhaxha Claus-it” dhe e ekzekutuan me procedura të përshpejtuara në moshën 36 vjeç. Babai i saj, Hans, vdiq në vitin 2000 në moshën 93 vjeç në vilën e tij në Bolivi.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Në kohërat e kolerës

Go to Top