Salman Rushdie për nocionin e së vërtetës dhe të jetës pas kërcënimeve me vdekje

in Letërsi by

Peg Fong

Autori Salman Rushdie, për dekada ka qenë i famshëm në qarqet letrare, për mënyrën e tij të të shkruarit, sigurisht, si dhe për fetvan që u shpall publikisht kundër tij, pas librit “Vargjet Satanike”, që shkaktoi zemërimin e liderit fetar të Iranit në fund të viteve 1980. Që nga ajo kohë, ai ka marrë një listë të gjatë me çmime, ka botuar më shumë romane, tregime dhe vepra jo-fiction. Tashmë 73 vjeç, ai ka një llogari aktive në Twitter, ku së fundmi njoftoi se po punon për një libër të ri me ngjarje të vendosura në Indi.
Ne u ulëm me të kur ai ishte në Vancouver për Festivalin e Shkrimtarëve, në vitin 2017.
Salman Rushdie është gati të fluturojë me Harbour Air nga Vancouver-i në Victoria dhe është duke kujtuar të gjitha herët që ka parë pjesë të Kanadasë nga lart. Si shkrues reklamash 24-vjeçar për një agjenci publicitare ku ishte punësuar, Rushdie fluturoi me Air Canada në të gjithë vendin, duke arritur së pari në Vancouver, pastaj në Montreal, Quebec City, Toronto. Edhe imazhi i tij më i fundit prej Kanadasë ishte nga një pikë e lartë. Një mik i dërgoi atij një hartë imagjinare, të përpiluar pas zgjedhjes së presidentit të SHBA-së; New York-u dhe California mplekseshin në një Kanada të zgjeruar.
Ky është një vend për të cilin Rushdie thotë se do të dëshironte të jetonte. Vendndodhja ka rëndësi për të. Ai nuk mund t’i shkruajë librat pa e ditur më parë se ku vendosen personazhet e tij. Për gati dy dekada, ai ka jetuar në New York, pasi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij prej të rrituri në Angli, vitet e fundit të të cilave, i kaloi duke u fshehur. Të tre qytetet ku ai ka jetuar janë sulmuar nga terroristët gjatë 20 viteve të fundit: Londra, New York-u dhe Mumbai, të cilët ai saktësisht dhe qëllimisht, i quan Bombei.
Në kapitujt e parë të librit të fundit të Rushdie-s, “Shtëpia e Artë” (Shtëpia Botuese Penguin Random House), patriarku Nero Golden e ndalon familjen e tij ta përmendë Mumbai-n, në vendin ku po shkojnë. “Thuajuni atyre se ne jemi gjarpërinj që zhveshim lëkurën. Tregojuni atyre që sapo u zhvendosëm në Carnegie Hill. Thuajuni atyre që kemi lindur dje ”, porosit Nero djemtë e tij ndërsa largohen nga aeroporti për në shtëpinë e tyre të re në New York. “Thuajuni që jemi nga askundi, nuk vijmë nga diku, ne jemi njerëz shtiracakë, mashtrues, rishpikës, kameleonë, që do të thotë, amerikanë”.
Fasada e ngritur nga Nero çmontohet shpejt për lexuesin. Ajo që supozohej të ishte zbulimi madhështor i romanit – një tragjedi që përfshinte sulmin terrorist të Mumbai-t në vitin 2008, që dëboi Familjen e Artë t’ia mbathë nga vendi i tyre për të kërkuar një jetë edhe më dekadente në Amerikë – zbulohet herët, duke i treguar lexuesit se ekziston një mister edhe më i errët. Rushdie thotë se dinte që donte të shkruante diçka në lidhje me sulmin në Mumbai që vrau 166 njerëz menjëherë pasi ndodhi incidenti, por nuk ishte i sigurt me saktësi sesi.
Karakteri i Nero-s ishte duke marrë formë në mendjen e Rushdie-s vite përpara se ai të kuptonte se donte t’i bashkonte në të njëjtin roman.
Rushdie dëgjoi për herë të parë për Domus Aurea-n në rininë e tij, një shtëpi e artë, luksoze, e ndërtuar nga perandori Neron pasi një zjarr shkatërroi pjesën më të madhe të Romës antike. Shtëpia ishte aq luksoze sa që pasardhësit e Neronit, të zënë ngushtë dhe të zemëruar, e zhvoshkën dhe varrosën. Brenda 40 viteve që nga vdekja e Neronit, Dominus Aurea ishte shkatërruar, mbi të kishte patur ndërtime dhe nuk dukej më.
Pyetja që lind kur bëhet fjalë për një mister është: Kur i thuhet lexuesit çfarë?”
Megjithëse Rushdie nuk e dinte sesi do të mbaronte “Shtëpia e Artë”, ai dinte që kishte disa ide të shkëputura që përfundimisht do të bashkoheshin për të marrë kuptim. “Kjo është normale për mua”, thotë ai. “Unë papritmas shoh sesi ato janë të gjitha pjesët e të njëjtit mozaiku dhe sesi ato përshtaten të gjitha së bashku. Ka ndodhur kaq shpesh, kështu që gati pres që të ndodhë. Pjesa e fundit që mungonte ishte vendndodhja.” Ai e gjeti atë vendndodhje në një vend që e njihte mirë: një shtëpi në fshatin Greenwich, që dikur u pushtua për një kohë të shkurtër nga Bob Dylan-i, ku aktualisht jetojnë miqtë e tij; çifti i artistëve Alba dhe Francesco Clemente. Oborret e pasme të shtëpive të veçanta në një bllok poshtë Rrugës Bleeker, hapen për të formuar një hapësirë ​​të përbashkët, të njohur si Kopshtet MacDougall-Sullivan.
Apartamentet dhe kopshtet u bënë skenë. Rushdie mund ta imagjinonte pamjen nga dritarja e pasme dhe përtej oborrit, duke parë dritaren e dikujt tjetër. Vështrimi në jetën private tregon rrëfimtarin Rene që takon për herë të parë Familjen e Artë, pastaj futet enkas në botën e tyre. “Ishte një botë private e rrethuar nga një botë publike. Ajo që po bëj, është të treguarit e një historie brenda një historie”, thotë Rushdie. “Kemi këtë histori për këtë familje, brenda tragjedisë. Përreth saj është katastrofa më e madhe e Amerikës.”
Në libër, Rushdie eksploron historinë kriminale të Familjes së Artë dhe mashtrimet që ata sajojnë për të mbuluar të shkuarën e tyre. Është më afër një romani misterioz se çdo gjë tjetër që ai ka shkruar. “Pyetja që përmban mister është: Çfarë i thuhet lexuesit kur? Kur isha duke punuar për herë të parë, nuk zbulova asgjë për të shkuarën e tyre, deri shumë vonë në roman, atëherë mendova: Kjo do t’i mërzitë njerëzit; të paturit e kësaj hapësire ​​boshe aty ku fshihet e vërteta”, thotë Rushdie.“ Fakti është që ata duhet të mbajnë një sekret. Nuk më duhet asnjë arsye”.
Rushdie ka qenë i famshëm në qarqet letrare, që kur romani i tij i dytë: “Fëmijët e Mesnatës”, u botua në vitin 1981. Shtatë vjet më vonë ai u bë shkrimtari më i njohur në botë kur u botuan “Vargjet Satanike” dhe shkaktoi zemërimin e udhëheqësit fetar të Iranit, i cili nxori një fetva për të. Ai duhej të jetonte i fshehur dhe i mbrojtur, por të tjerët që kishin lidhje me librin nuk kishin të njëjtën siguri. Përkthyesi japonez i librit, Hitoshi Igarashi, u godit për vdekje me thikë; një përkthyes në Itali u sulmua; dhe në një zjarr të vënë nga fanatikët për përkthyesin turk Aziz Nesin, dhjetëra njerëz u vranë në një hotel, megjithëse Nesin-i mbijetoi.
Sot, Rushdie udhëton në metro, shkon për të parë lojëra bejsbolli, merr pjesë në koncerte. Kërcënimi me vdekje ndaj tij nuk perceptohet më si rrezik, dhe madje në të vërtetë është bërë një shaka e kulturës pop: Sezoni 2017 i HBO’s Curb Your Enthusiasm, i cili përfshin një personazh nga Rushdie, përqendrohet rreth një muzikali që vetë Larry David shkroi për fetvan.
Kur Rushdie arrin në Carbus Club Carbour Harbor, vetëm një grusht njerëzish e njohin. Nuk ka roje të dukshme sigurie që e shoqërojnë, megjithëse në një lexim për Festivalin e Shkrimtarëve të Vancouver-it, në Qendrën Chan, një natë më parë, RCMP ishte atje së bashku me stafin e sigurisë. Në eveniment, pasi Rushdie mbajti një fjalim, një burrë iu afrua autorit me një kuti. Ishte bosh, por në të ishte shkruar fjala “Vdes” – një incident, për të cilin organizatorët e Festivalit të Shkrimtarëve në Vancouver thonë se ishte një shaka e dobët, e pandjeshme dhe shqetësuese. Por në asnjë çast, thotë Rushdie, nuk ishte i shqetësuar për sigurinë e tij. “Kjo çështje ka mbaruar qysh 20 vjet më parë. Nuk është më faktor ”, thotë ai. “Zgjati për nëntë vjetët që jetova në New York, tani për 19 vite nuk ka asnjë shqetësim për sigurinë atje dhe as këtu”.
Shtatë të fundit e atyre viteve kanë qenë një periudhë veçanërisht produktive për të, me “Shtëpinë e Artë”, që ishte romani i tij i katërt që nga viti 2010. Filloi me librin e tij të dytë për fëmijë “Luka dhe Zjarri i Jetës”, pasuar nga kujtimet e tij: “Joseph Anton”, dy vjet më vonë në vitin 2012. Pastaj, dy romane: “Dy vjet Tetë Muaj dhe 28 Netë”, të botuar në vitin 2015, si dhe “Shtëpia e Artë”, botuar në Shtator të vitit 2017. Romani i tij para “Shtëpisë së Artë” kishte të bënte me xhindet, shpirtrat dhe krijesa të tjera mitike, së bashku me alegoritë dhe iluzionet. Ky libër i ri është padyshim i ndryshëm. “Nocioni i së vërtetës dhe çka është e vërteta janë kaq të sulmuar tani,” thotë Rushdie. “Gjë që më bëri të mendoj se një nga arsyet pse ‘Shtëpia e Artë” nuk përmban ndonjë element fantastik, është fakti se thashë se mund të mos jetë koha për këtë lloj shkrimi.”
Realiteti është fokusi i tij i patundur tani. Ai beson se lexuesit e tij duan të vërtetën dhe ata mund ta përballojnë atë.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top