Pse Coco Chanel e quajti “Chanel No. 5” parfumin e saj të famshëm

in Feminizëm by

E spërkati në tryezat e një restoranti prestigjioz për të parë reagimet e para. Marilyn Monroe thoshte në intervistat e saj se hidhte disa pika parfumi “Chanel No. 5″ për të fjetur”.

Coco Chanel krijoi në vitin 1921 një aromë që revolucionarizoi parfumet që ishin në modë në atë kohë dhe ndryshoi thelbësisht mënyrën se si nuhatnin gratë. Deri në fillim të viteve 1920, Coco Chanel ishte një “fenomen” në rrethet e modës franceze. Kishte ardhur në Paris në vitin 1909 si dashnore e baronit të tekstileve Etienne Balsan dhe krijoi një butik kapelesh grash nën banesën e tij. Rreth 11 vite më vonë arriti të krijojë një seri butikësh të suksesshëm në Paris, banonte në një vilë në Jug të Francës dhe ngiste një Rolls Royce blu. Në atë kohë dëshironte të krijonte një aromë që mund të mund të karakterizonte gruan moderne, të cilën ajo e mishëronte. Kërkonte t’i jepte fund erës së keqe të grave. Coco Chanel dëshironte të krijonte një parfum me aromë të freskët dhe të pastër. Mbahej shumë pastër dhe më vonë, kur punonte me dashnoret e të pasurve u ankua për mënyrën se si ato mbanin erë. Kur vendosi të krijojë një aromë në sasi të kufizuar për ta ofruar si dhuratë Krishtëlindjesh për klientët e saj më të mirë, ishte e rëndësishme që ajo të çlironte aromë të freskët. Por pati probleme të gjente një prodhues parfumi që tëmund ta bënte. Në atë kohë, e vetmja mënyrë për të krijuar aromë të freskët ishte përdorimi i agrumeve, të tilla si limoni, bergamot dhe portokalli. Problemi i vetëm ishte se ato nuk zgjasnin shumë mbi lëkurë. Disa kimikate të quajtura “aldehide” mund ta krijonin artificialisht këtë aromë, por  ishin jashtëzakonisht të forta, kështu që prodhuesit e parfumëve nuk kishin dëshirë t’i përdorin.

Njohja me parfumerin në Cote d’Azur.

Në verën e vitit 1920, Chanel shkoi me pushime në Cote d’Azur me partnerin e saj, Duka i Madh, Dimitri Pawlovic. Pavlovich-i e prezantoi me një parfumer të sofistikuar të quajtur Ernesto Bo, i cili kishte punuar për familjen mbretërore ruse dhe jetonte afër Gras-it, qendra e industrisë së parfumeve. Bo ishte një zejtar kureshtar dhe aventuresk dhe mori përsipër sfidën e Chanel-it. U deshën disa muaj që parfumi i ri të përsosej, por më në fund ia doli. Bëri dhjetë mostra, secila prej të cilave kishte një numër dhe ia paraqiti stilistes franceze. Zgjodhi numrin pesë, duke thënë: “Ndërsa prezantoj koleksionet e mia çdo vit në ditën e pestë të muajit të pestë të vitit, kjo aromë do të mbajë numrin pesë si emër. Mendoj se do t’i sjellë fat”. Pesa ishte numri i preferuar i Chanel-it, pasi në mendjen e saj, kishte pothuajse kuptim mistik. Stilistja e famshme u rrit nga 12 deri në të 18-at e saj, nën mbikëqyrjen e murgeshave në një jetimore. Sa herë që shkonte në katedralen për t’u lutur, kalonte nëpër pesë shtigje të ndryshme, të përmbytur nga një lloj trëndafili me pesë petale. Kështu që numri pesë pati një vend të spikatur në jetën e saj, dhe prandaj e quajti aromën e re “Chanel No. 5”. Parfumeri Ernest Bo ka rrëfyer se aroma misterioze lindi nga dhimbja dhe ndjenja e humbjes që pati Coco Chanel pas vdekjes së dashurisë së saj të madhe në vitin 1919, biznesmenit anglez dhe lojtarit të polos, Arthur Capel. Sipas Bo-së: “Coco arriti ta shndërrojë zinë në krijim, me këtë aromë që simbolizon një dhuratë personale për veten e saj”. Coco Chanel ftoi krijuesin e aromave dhe miqtë në një restorant të pasur në Rivierë për të festuar qarkullimin e aromës së re dhe vendosi të spërkasë aromën rreth tryezës. Çdo grua që kalonte ndalonte dhe pyeste se ç’aromë ishte. Ishte hera e parë që dikush nuhaste aromën në vend publik. Më 5 Maj, 1921, atelieja në Cambon Street, mbante erën sensuale dhe provokuese të aromës së re. Të ftuarit e saj u larguan, duke marrë me vete një shishe si dhuratë. Aroma u bë shumë e kërkuar dhe filloi prodhimi në masë. Me 16 Dhjetor, 1924, reklama e parë e Chanel Nr 5 bëri shfaqjen e saj në New York. Ishte një reklamë e vogël e shtypur që informonte se parfumet Chanel ishin në dispozicion në dyqane. Në Luftën e Dytë Botërore, Chanel-i mendoi një mënyrë për ta reklamuar edhe më shumë, duke njoftuar se çdo ushtar amerikan në Paris mund të merrte një shishe me aromë falas për t’ia dhuruar partneres së tij me kthimin në shtëpi. Radhë të pafundme amerikanësh prisnin me durim me orë të tëra për të siguruar dhuratën e çmuar. Në vitet pesëdhjetë, Marilyn Monroe u bë fytyra e fushatës reklamuese të aromave për të rritur shitjet. Nga Monroe, tek Catherine Deneuve, Carol Bouquet dhe Nicole Kidman.

Drejt fundit të viteve 1960-të, aroma filloi të konsiderohej e vjetëruar. Jacques Helle, drejtori i aromave Chanel, mori përsipër rinovimin e saj. Fytyra e re e aromës pas Marilyn Monroe-së u bë aktorja franceze Catherine Deneuve. Aroma “popullore” u bë përsëri sekreti legjendar i yjeve, që të gjitha gratë dëshironin. Deneuve ia dha vendin e saj Carol Bouquet-it, e cila ishte fytyra e Chanel-it në vitet 1990. Nicole Kidman zuri vendin e saj në vitin 2003 përkundrejt shpërblimit të 3.7 milion dollarëve. Më pas erdhën bukuroshet e tjera të famshme si aktorja franceze Audrey Toto dhe Giselle.

Vlen të përmendet se vitin e shkuar aroma rrezikonte të tërhiqej nga tregu sepse mendohej se përmbante substanca të dyshuara që shkaktonin alergji. Menaxherët e modifikuan produktin, i cili mbeti në raftet e dyqaneve të kozmetikës.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top