Hungërima nga Ferri-Gerald Ramaj 

in Uncategorized by

Hungërima nga Ferri-Gerald Ramaj 

 

Bukë! Bukë! Bukë!…

Tokat tona janë shkretuar,

Milingonat vjedhin kokrrat e fundit 

të grurit në fabrikën e miellit,

Bagëtitë skeletore rrëmojnë mes 

mbetjeve spitalore…

Bukë allçie në mëngjesoret ndanë 

trotuarëve të betontë,

Mish kufomash në mishteritë 

e qendrave tregtare.

Një pijanec ulëret në shëtitore:

“Shes zemrën time të kauçuktë”,

Vagonat e ndryshkur sjellin dhjamë 

nga portet detare,

Burrë e grua dëgjojnë këngë 

melankolike nga radioja e tyre ilirike, 

shtrirë mbi krevatin e thyer,

Një plakë e sëmurë rënkon në shtrat:

“Zot ç’më gjeti!? Venat e mia janë bllokuar”,

Makina e funeralit sjell në Pallatin e Jetës 

mallkimin e Realitetit,

Ëndrrat avullojnë nga liqenet e ndenjura 

mendore dhe formojnë re të zymta 

zhgënjimesh,

Shiu kthen mbrapsht lutjet njerëzore,

Balta mbulon kryqet e drunjtë të shenjtorëve,

Mëkatarët bëjnë kurban kafshën e pafajësisë 

në Malin e Shenjtë:

“Qofshin falë fajet tona,

Falur qoftë thika në qafën e dobësisë,

E falur edhe shpresa jonë mbi supet 

e të pashpresëve”;

Insektet përhapin sëmundje laboratorike 

mbi trupin e zonjës së veshur me lëkurë pantere,

Kapele moderne të stolisura me pendë 

zogjsh të zhdukur,

Poetët shkruajnë me kocka metalike,

Një vajzë kërkon në bodrum-shtëpinë 

e saj, pasqyrën për të parë fytyrën 

fëminore të mjerimit,

Klubet e natës mbajnë të mbishkruar në dyer:

“Këtu i shpëtojmë Rutinës”;

Kopshtet Zoologjike janë tejmbushur 

me kastorë të plakur,

Dhe turma njerëzish i vështrojnë përhumbshëm 

nga diga e çeliktë duke thithur 

pijet e tyre freskuese prej opiumi.

Pëllumbat rrëzojnë nga koka e 

përkujtimores së Krishtit hirin e uzinave,

Korbat shtrojnë foletë shkëmbore 

me guaska breshkash të shkulura 

nga gardhet e provincave të lindjes,

Dielli prehet në detin e batalltë të perëndimit

Shoqëruar nga kodra të mjegullta harrese,

Dhe fryn një erë,

Era e Hungërimave të Ferrit:

“Bukë! Bukë! Bukë!…

Jetët tona janë shkretuar;

Mendja, Fryma, Shpirti…

Bukë! Bukë! Bukë!…” 

 

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.