Platoni dhe origjina e elitizmit politik

in Esé/Filozofi by

 Apostolos Apostolou

Elitizmi është një teori e bazuar mbi parimin e minoritetit, sipas të cilës pushteti i përket një minorance. Fenomeni propozohet si diçka që është e pashmangshme në historinë e politikës. Elitizmi gjithmonë bazohet në dikotominë masë-elitë. I pari që na flet për elitizmin është Platoni. Na duket e çuditshme por në fakt nuk është, sipas Platonit, drejtuesi duhet të jetë si një bari ose si një endës. Platoni do të pohojë “siç kopeja e ndjen nevojën e një bariu, po ashtu edhe populli ka nevojën e një drejtuesi që të kujdeset për të”. Platoni krahason artin e drejtuesit me atë të bariut. Analogjikisht ashtu siç duhet të njohë dhe të kombinojë endësi linjën e ngjyrave, po ashtu, në po të njëjtën mënyrë, edhe drejtuesi duhet të administrojë shoqërinë, sepse në strukturën shoqërore ekzistojnë konflikte, interesa kontradiktore, ambicie, prirje, dobësi, dhe drejtuesi duhet të dijë të aplikojë barazinë në shoqëri duke frenuar ambiciet e tepërta për të evituar prepotencën dhe shkeljen e të drejtave.
Është interresant kur gjejmë interpretime të ngjashme midis Platonit dhe Heraklitit. Tek Republika ndodhen pjesë ku gjejmë se më të mirët si njerëz janë ata që mund të kuptojnë Njëshin, sepse janë njerëz të një dimensioni tjetër. Dhe në përfundim të kësaj, Platoni paraqet filozofët, ky Njësh që duhet kuptuar është edhe Ai që njëson gjithçka. Megjithëse ky Njësh shfaqet edhe si problematik kur na paraqitet nga Herakliti. “ A është Njëshi që njëson gjithçka apo arsyeja unike në kontradiktë me gjithçka?” Në njëfarë mënyre interpretimi i Herakltit duket i njëjtë me atë të paraqitur nga Platoni në lidhje me idenë e tij, e cila praktikisht e konsideron Atë si substancë të qenies që mban të njësuar gjithçka, por njëkohësisht është edhe në kontradiktë me gjithçka, pikërisht sepse Njëshi priret më shumë nga idealja dhe nuk i përket reales. Duke mos anashkaluar faktin se Njëshi mund të kuptohet, dhe ndoshta të praktikohet nga më të mirët. Krahas gjitha gjërave, vetëm një gjë duan më shumë të mirët, lavdinë e përjetshme mbi gjërat kalimtare, ndërsa, nga ana tjetër, shumica synon vetëm të kënaqet si kafsha.
Për Platonin, ky Njësh në politikë shprehet edhe nga filozofët. Ideja e Mbretit-Filozof duhet të ndërthuret me atë të qeverisjes së ligjit. Filozofët, sipas Platonit, janë dërguar këtu nga Hyjnia dhe posedojnë forcën e të shenjtës.
Po kush është mbreti filozof? Mbreti filozof sipas Platonit është ai që posedon shkencën e qeverisjes së mirë. Kështu pra, do të ketë qeverisje të mirë vetëm atëher kur filozofët të bëhen mbretër dhe mbretërit filozofë. Po kur nuk ka mbretër filozofë? Ka qeverisje aristokrate, do të pohojë Platoni. Forma e qeverisjes aristokrate është qeverisja e më të mirëve, në sensin e më të virtytshmëve dhe më të diturve. Në këtë kuptim më të mirët nuk janë thjesht të pasurit apo fisnikët, por ai që shfaq një nivel të përsosur edukimi (elitë), i cili mund ta bëjë njeriun një person të shkëlqyer, gjë që e bën edhe të aftë të drejtojë në mënyrë të drejtë dhe pa asnjë mundësi korruptive. Pra, Platoni kërkon që për të drejtuar duhet të jenë më të mirët, të pakorruptuarit.
Por pse Platoni shfaq shqetësimin e tij për korruptimin e më të mirëve? Ai thekson se zakonet e mira dhe dija e njerëzve mund të krijojnë një formë të mirë drejtuese. Le të lexojmë një pasazh ku ai e thekson këtë: “A e dini se është e domosdoshme që të ketë aq sa ka shumëllojshmëri karakteresh, dhe tipe republikash? Apo kujtoni se republikat janë krijuar nga druri i ahut apo guri dhe jo nga zakonet e mira të qytetarëve, zakone që tërheqin çdo gjë në drejtim të tyre. Unë të paktën besoj se në asnjë vend dhe në asnjë formë tjetër nuk janë mundur të krijohen vetëm nga këto zakone.” (Platoni “Republika”)
Për Platonin, politeia (πολιτεία), republika, nuk është veçse aristokraci. “Ne e kemi përshkruar tashmë njeriun, i cili korrespondon me aristokratin dhe me të drejtë e kemi pranuar se është ai i cili është i mirë dhe i drejtë.” (Platoni “Republika”). Do të ishte e dëshirueshme që shoqëria të drejtohej nga më të mirët, nga më të diturit. Kështu, virtytet e formës së drejtimit për Platonin korrespondojnë me funksionet kryesore drejtuese. Aristokratët janë më të aftët në çdo degë të veprimtarisë njerëzore dhe për këtë janë të përgatitur për të poseduar një pozicion aktiv për qeverisje. Shumë thonë se demokracia athinase nuk e njeh elitën natyrore, por ushqen aristokracinë e meritave individuale duke i dhënë hapësirë virtytit. Sigurisht, por virtyti sipas politikës platonike është administrimi (fjala e përdorur këtu është pikërisht oikein) specifikisht jo në lidhje me të paktën, por me të shumtën. Sepse “nëse njëri ka drejtimin ndaj të tjerëve, mund ta quajmë monarki, por në qoftë se drejtimi është në dorën e më shumë personave mund ta quajmë aristokraci.” (Platoni “Republika”)
Gjithmonë në demokracinë athinase ekziston frika nga oligarkia. Në mënyrë analitike Platoni përshkruan transformimin e demokracisë në oligarki. Në Epitafin e Tukiditit hasim një pjesë që flet për Perikliun: “demokraci vetëm me fjalë, por në realitet sundim i princit”. Kështu frika nga pushteti i një kryetari organizon aristokracinë si mbrojtje. Platoni e shikon politikën si përbërëse të sistemit, që thjesht kryen një funksion teknik, legjitim dhe administrues të asaj që ekziston. Prandaj dhe jeta e personave zhvillohet totalisht brenda këtyre parametrave, dhe vetëm aristokracia, sipas Platonit, ka të drejtën e plotë mbi administrimin.

Përktheu: Jetmir Dragusha

Botimi i parë: “Rivista di Politica”, me 16.05.2013

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.