NË KËRKIM TË NJË BASHKIMI KOMBËTAR/ARISTIDH P. KOLA

in A(rt)ktivizëm by

ARISTIDH P. KOLA

Dhe kush mund t’ua tregojë këtë rrugë? Kush ka detyrë dhe obligim, por dhe mundësinë për t’u treguar rrugën e shumëdëshiruar? Ja një pyetje që u vihet sot intelektualëve, si atyre që ndodhen brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është ndoshta e hidhur të konstatoj se në shekujt e kaluar, intelektualë të lavdishëm me origjinë shqiptare, jo vetëm që nuk luftuan për t’i treguar rrugën e bashkimit këtij populli tragjik, por bënë çmos për të ndarë nga kombi pozitën e tyre. Shumë fshihnin edhe origjinën e tyre…
Intelektualët e rinj, nuk mund të kenë të njëjtën pikpamje, sepse janë të ndërgjegjësuar për problemin dhe mendojnë se do t’i japin shpejt a vonë llogari historisë që nuk korruptohet, që mban pendë për të shkruar.
Nëpërmjet njohurisë së historisë së vërtetë dhe parahistorisë së popullit dhe të shkaqeve që e kanë çuar në fatin e keq të sotëm, do të fillojë të lëshojë filiza vizioni dhe shpresa për të ardhmen e tij. Por historia e popullit shqiptar akoma nuk është e shkruar. Akoma mbeten të panjohura shumë shkaqe dhe shumë prirje tendencione, nga të cilat disa konsiderohen të justifikuara, të tjera të pajustifikuara, megjithë që unë personalisht nuk pranoj as edhe një justifikim në fshehjen ose shtrembërimin e historisë. Si arritjet, si dështimet janë të dobishme si pjesë didaktike të historisë së një populli.
Nga njohja e thellë e historisë së vërtetë do të ndërgjegjësohej populli jo vetëm për virtytet e tij, por kryesisht për të metat e tij dhe do të gjejë mënyrën t’i kapërcejë të metat dhe të kultivojë virtytet. Dhe ky obligim ndodhet kryesisht në supet e intelektualëve. Në mënyrë të veçantë, intelektualët e diasporës edhe pse ndodhen larg atdheut të tyre, kanë avantazhin të shohin çka ndodh atje me qartësi mendore më të madhe dhe më objektivisht, prej përvojës që kanë nga kontakti me popujt e tjerë për zgjidhjen e problemeve kombëtare të rëndësishme.
Detyrë të rëndësishme për intelektualët e diasporës do të konsideroja kultivimin adekuat të ndërgjegjësimit dhe përqëndrimin në gjetjen e lidhjes së hallkave të humbura të zinxhirit kombëtar.
Çfarë duhet kuptuar me këtë?
Për sa u përket atyre që janë brenda Shqipërisë, intelektualë, artistë dhe në përgjithësi njerëzit e mendjes dhe të artit, kuptohet se ata kanë peshën më të madhe. Periudhat e kryengritjeve, të ndërrimeve me dhunë të sistemit ose dhe të ndërrimeve të thjeshta në strukturat social-ekonomike të një shteti, mbartin një rrezik që nuk duket menjëherë. Brenda një nate, një jave ose një viti, mund të përmbysen dhe të rrëzohen vlera shekujsh, me ndërgjegje ose pa ndërgjegje.
Populli shqiptar me “kokfortësinë” që e karakterizon konservatorizmi, arriti të ruajë vlera ideale dhe modele kulturore nëpër shekuj. Besa, sedra, krenaria, drejtësia, sensibiliteti gjithashtu dhe shumëllojshmëria e madhe e formave të artit popullor dhe të kulturës, rrezikohen të rrafshohen brenda një minimumi kohe.
Shqipëria del nga një periudhë e gjatë izolimi dhe e lirive të kufizuara, në një botë ku mbisundon gjuetia e pasurimit të lehtë dhe e lavdisë së lehtë. Ndjen se ka aftësi të futet në këtë lojë, ku nuk ekzistojnë ligje, rregulla humanizmi dhe sensibiliteti si dikur në kohërat e shkuara.
Shqiptari i sotëm nuk ka mundësi kohore, as edhe luksin ta adaptojë këtë gjueti me masat tradicionale, përkundrazi rrezikon të adaptohet, gjë që u duk në mjaft raste tek refugjatët e viteve të fundit.
Ky “karakteri i ri” i refugjatëve do të transferohet sigurisht dhe në Shqipëri, siç përhapet një sëmundje epidemike. Kush do t’i konstatojë këto rreziqe dhe si do të bindet populli t’i verë frerin kësaj të tatëpjete të rrezikshme që kërcënon ta shndërrojë shqiptarin në një ujk të uritur për bashkëqytetarin dhe bashkëpatriotin e tij?
Nga ana tjetër, kjo liri e befasishme mbas gjysmë shekulli primitivizmi dhe izolimi nga modernizimet kulturore dhe artistike, e ka shndërruar zemrën e tij në një arë të etur që është gati të pranojë jo vetëm shiun e pastër dobiprurës, por edhe çdo lloj ujërash të qelbura.
Me një predispozitë të tillë psikologjike si mund të rezistojë ndaj “imperializmit kulturor” që ndodhet në kulmin e tij? Si mund të rezistojë ndaj shndërrimit të tij kulturor në rast se artistët dhe intelektualët e mëdhenj shqiptarë, vetëm konstatojnë rreziqet, pa sugjeruar masa efikase? Frymëzimet e tyre duhet t’i marrin nga burimi shumë i pasur dhe i pashfrytëzuar gjer më sot i artit dhe i historisë së popullit të vet.
Kultivimi i një trungu kombëtar kulturor është i domosdoshëm dhe i nevojshëm, njësoj i barasvleshëm me forcimin ushtarak të mbrojtjes së një kombi, të një populli sot e përherë. Popujt që humbën identitetin e tyre kulturor shpejt u zhdukën. Tek shumë intelektualë dhe artistë që kanë ardhur si emigrantë në Greqi, e kam konstatuar këtë rrezik dhe u them se nuk më intereson në qoftë se kanë aftësinë të këndojnë bukur si Michael Jackson ose të lozin veglat muzikore si Louis Armstrong, ose Pablo Casals, ose të pikturojnë si Picasso apo Dali, por duhet të jenë të aftë të krijojnë vepra që të kenë personalitetin dhe identitetin shqiptar.
Nuk më intereson të kenë aftësinë e mimetismit, por aftësinë e krijimtarisë me kuptimin e termit të vjetër grek: krijimtari, krijoj, krijues.
Rrjedhimisht krijues është ai që bën një vepër që frymëzohet nga populli i tij dhe i drejtohet popullit të tij. Në qoftë se kjo vepër është me të vërtetë e madhe do të ketë dhe rrezatim botëror. Ata që nisen anasjelltas, d.m.th me synimin të bëjnë vepra botërore, duke mos shikuar popullin e tyre kanë simptoma patologjike të një personaliteti të turbulluar.
Gjithë këto, sigurisht, “Ia them nuses që t’i dëgjojë vjehërra”. Dhe në këtë rast “vjehërra” është udhëheqja politike e Shqipërisë që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë”.

Marrë nga libri “ARISTIDH KOLA”
K.P. Traboini, Pantheon Books 2014 f.9-13

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.