Kur ke një punë që mund të të vrasë dhe ia del të shpëtosh-Charles Bukowski

in Letërsi by

Shkrimtari amerikan CharlesBukowski punoi për një periudhë të gjatë si paketues në Postën Amerikane. Vite më vonë, ai i dërgoi një letër falënderimi një personi të veçantë, i cili e ndihmoi të hiqte dorë nga puna që po ia gërryente shpirtin dhe të niste aventurën e vështirë të jetës prej shkrimtari

“Nëse ajo nuk të vjen pa maskë nga zemra, mendja, goja dhe stomaku, mos e bëj,” shkroi Charles Bukowski (Charles Bukowski 1920–1994) në një poemë të famshme të tij, ku flet për atë që sa e vështirë është të jetosh si shkrimtar. Por vetë Bukowski ishte një njeri që e gjeti vonë qëllimin e tij në jetë – impulsin e parrezistueshëm për të krijuar.

Si shumë shkrimtarë që sot njihen si të famshëm, edhe Bukowski tentoi fillimisht të nxirrte jetesën në punë të ndryshme të rëndomta para se të bëhej shkrimtar me kohë të plotë, duke hyrë në rutinën e tij famëkeqe të shkrimit. Në mes të të tridhjetave ai gjeti një punë si paketues në postë për Shërbimin Amerikan të Postës. Por edhe pse më vonë ai argumentoi me pasion se asnjë punë e zakonshme apo kufizim praktik nuk mund të të pengojë në rrugën drejt krijueshmërisë, ai e gjeti veten të raskapitur në këtë punë. Nga fundi i të dyzetave, ai ishte ende punëtor poste gjatë ditës, ndërsa jashtë orarir të punës shkruante një kolonë në Revistën Ilegale Open City.

Më 1969, në vitin përpara se ai të mbushte pesëdhjetë vjeç, Bukovwki kapi vëmendjen e botuesit John Martin të kompanisë Black Sparroë Press, i cili i ofroi atij një pagë prej 100 dollarësh në muaj me synimin që të mos punonte më në Postë, por të bëhej shkrimtar me kohë të plotë. Bukowski pranoi i lumtur. Më pak se dy vjet më vonë, kompania botoi romanin e tij të parë, i cili në mënyrë të përshtatshme u titullua “Posta“.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, në Gusht, 1986, Bukowski i dërgoi bamirësit të tij një letër falënderimi.

12  Gusht, 1986

Përshëndetje Xhon:

Faleminderit për letrën e mirë. Nuk mendoj se të bën keq, në disa raste, të rikujtosh se nga ke ardhur. Dhe ti e di se nga kam ardhur unë. Edhe njerëzit që përpiqen të shkruajnë mbi këtë apo të bëjnë filma, nuk e kuptojnë shumë mirë. Ata e quajnë atë [orar zyrtar] “9 me 5”. Në fakt nuk është kurrë 9 me 5, nuk ka pushim dreke falas në ato vende, në fakt, në shumë vende të tilla ti zakonisht nuk ha drekë sepse vetëm kështu e ruan vendin tënd të punës. Pastaj ka kohë pune shtesë dhe librat duket se nuk e kapin kurrë siç duhet se çfarë do të thotë orë shtesë dhe nëse ti ankohesh për këtë, ka gjithmonë një thithës tjetër gati për të të marrë vendin.

Ti e di shprehjen time të vjetër: “Skllavëria nuk është abroguar kurrë, ajo vetëm sa është zgjeruar te të gjitha racat.”

Dhe ajo që të vret është pakësimi i vazhdueshëm i humanizmit i të gjithë atyre që luftojnë për të mbajtur vende pune që ata nuk i duan, por që kanë frikë se do të bien edhe më keq. Njerëzit thjesht sa zbrazen. Ata janë trupa me mendje të nënshtruara dhe të frikësuara. Ngjyra u ikën nga sytë. Zëri u bëhet i zgërlaqur. Dhe trupi. Dhe flokët. Dhe thonjtë. Këpucët. Çdo gjë.

Kur isha i ri unë nuk mund të besoja se njerëzit mund të jepnin jetën për të kapur kushte të tilla. Si burrë i moshuar, ende nuk jam në gjendje ta besoj. Pse e bëjnë ata? Për seks? për TV? Për një makinë apo pagesa mujore? Apo për fëmijët? Fëmijë, të cilët do të bëjnë saktësisht të njejtën gjë siç e kanë bërë edhe ata?

Që herët, kur unë isha shumë i ri dhe kaloja nga një punë në tjetrën, unë isha mjaftueshëm budalla sa për të folur me kolegët në punë: “Hej, bosi mund të vijë këtu nga çasti në çast dhe të na pushojë ne të gjithëve nga puna, vetëm kaq, a e imagjinoni këtë?”

Ata vetëm sa më shikonin. Unë po propozoja diçka të cilën ata nuk e donin të hynte në mendjet e tyre.

Tani në industri, ka pushime masive nga puna (fabrikat e çelikut kanë vdekur, ndryshimet teknike në faktorë të tjerë të punës). Ata janë pushuar nga puna me qindra e mijëra dhe fytyrat e tyre janë trullosur:

“Unë punova për 35 vjet…”

“Nuk është e drejtë…”

“Nuk di çfarë të bëj…”

Ata nuk i paguajnë kurrë skllevërit mjaftueshëm sa ata të fitojnë lirinë, i paguajnë aq sa të mund të qendrojnë gjallë dhe të kthehen të nesërmen në punë. Unë e shoh të gjithë këtë. Pse nuk e shohin ata të gjithë?

Unë vetëm sa shkrova i neveritur kundër të gjithë kësaj, ishte shumë çliruese të nxirrja mutin nga sistemi im. Dhe tani unë jam këtu, një i ashtuquajtur shkrimtar profesionist, pasi humba pesëdhjetë vitet e para, unë kam zbuluar se ka neveri të tjera përtej sistemit.

Mbaj mend një herë, kur punoja si paketues në këtë kompaninë e ndriçimit, një nga paketuesit e tjerë papritur tha: “Unë nuk do të jem kurrë i lirë!”

Një nga bosat po ecte aty pranë (emri i tij ishte Morri) dhe ai lëshoi një të qeshur ironike, duke shijuar faktin se kolegu i tij ishte i zënë në kurth përgjithmonë.

Kështu, fati që unë në fund pata dalë nga këto vende, pavarësisht se sa kohë u desh, më ka dhënë një lloj gëzimi, gëzimin e lezetshëm të mrekullisë. Tani unë shkruaj nga një mendje e plakur dhe një trup i plakur, shumë përtej kohës kur shumica e burrave kanë menduar se do të vijonin diçka të tillë, por për shkak se unë fillova kaq vonë, dhe kur fjalët fillojnë të fashiten e unë kam nevojë të ndihmohem kur ngjis shkallët dhe nuk mund të dalloj më një zog blu nga një kapëse letrash, unë sërish ndiej diçka që brenda vetes do të vijoj ta kujtoj (pavarësisht se sa përpara kam ecur), se si kalova përmes vrasjes dhe telashit të punës së djersës, te së paku një mënyrë bujare për të vdekur.

Që të mos e kem keqpërdorur në tërësi jetën time duket një arritje me vlerë, qoftë kjo vetëm për veten time.

Çuni yt,

Hank

Marrë nga Shtëpia e Librit

Kur ke një punë që mund të të vrasë dhe ia del të shpëtosh

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top