I tërë peizazhi letrar zyrtar kutërbon nga njohjet absurde dhe nga mungesa e kompetencës/Bisedë me poetin Arb Elo

in Biseda/Letërsi by

Bisedë me poetin Arb Elo mbi letërsinë, përkthimin dhe të shkruarit në emigrim. Ai është autor i gjashtë vëllimeve me poezi, jeton prej vitesh në Gjermani dhe ka sjellë në shqip poezinë e Rilkes dhe Trakl-it.

Elo thotë se e gjithë ngrehina kulturore shqiptare mbahet artificialisht në jetë me ato pak serume të mjerueshme të të ashtuquajturës media publike, që është vetëm një lëtyrë njëzetekatërorëshe verbaliteti pa kuptim dhe që të cilën – shpresoj të jetë kështu – nuk e beson më kush, ndërsa thekson se:

Fenomeni i internetit e demokratizon të shkruarit – në kurriz të të shkruarit mirë, mundëson – siç të tërë e dimë – krekosjen e kotë të atyre që kujtojnë se po shkruajnë – nga ata që bëjnë sikur i lexojnë dhe u pëlqen.

Bisedoi Arlinda Guma

Arlinda Guma: Si gjendet në Gjermaninë e ftohtë një poet i rritur nën diellin mesdhetar? Çfarë bëni për t’u “integruar” me vendasit dhe letrat e tyre? E fusni diellin në frigorifer për të qenë “klimatikisht korrekt”? Apo atje “kallkanosni” muzën? (Gjithmonë kam besuar se mesdhetarët janë ata që i japin shpirt botës, ata që e bëjnë atë më njerëzore me defektet dhe virtytet e tyre të shumta, por ju me siguri duhet të keni kundërshti në lidhje me këtë.)

Arb Elo: U bë kaq kohë që unë jetoj këtyre viseve – gjysma e jetës e kaluar këtej është më e madhe se gjysma e kaluar në Mëmëdhe – saqë nuk e vë më re mpakjen e rrezatimit, ndërkohë që kujtesa e ditëve me diell vjen e zbehet përditë e më shumë e më tepër se e përjetuar, ka nisur të marrë ngjyrimet e përfytyrimit dhe të të pangjarës. Ato dy-tri javë që kaloj në Tiranë, ato pak herë që kam qenë atje e që mund të numëroheshin me gishtat e duarve, kanë cilësi delirante e trullosëse; nuk para marr vesh gjë se ç’bëhet e kur më duket se jam ambjentuar disi, më duhet të iki prapë.

Më tepër se atë të integrimit kam ndjesinë e përkundërt: dezintegrohem nga njëra anë nga vendi amë e nuk ia dal, nga ana tjetër, – dhe nuk është se e lakmoj vërtet – nuk ia dal pra të përshtatem tërësisht në vendin ku më duhet të jetoj. Mospërputhja këtu nuk ka të bëjë me gjuhën, njerëzit, doket apo letrat e këtushme; është më tepër një lloj tëhuajëzimi ekzistencial prej botës, si prej asaj nga vij, ashtu edhe ndaj asaj ku gjendem, është një krisë e marrë qysh në rini, kur na u desh të vinim këtej, ndoshta edhe më parë.

Vendet ku unë gjendem në habitat-in tim, ku ndihem si në shtëpi, janë ato kalimtare: stacione trenash e aeroporte, hotele, pensione dhe banesa ku nuk bujtet gjatë. Në to ndihem si në shtëpi; thënë shkurt: kur jam për rrugë, kur jam në rrugë e sipër, atëherë ndihem në elementin tim, që i bie kësisoj të jetë e përkohshmja, tranziti, zonat mes dy botëve.

Parë kështu, nuk para ndihem mesdhetar dhe nuk di të jem ndier ndonjëherë i tillë, përpos kur e gjen veten të pozicionuar ndaj dikujt që nuk është i tillë edhe mund të nxirrje ndonjë përfitim të mundshëm; apriori, prej identitetit tënd, të cilin nuk e ke zgjedhur vetë; sqimë e kotë kjo, që përpiqem të mos ia ushqej vetes. Nuk ndihem, nga ana tjetër, as si jomesdhetar; ndihem zakonisht as mish e as peshk, e ndoshta kështu jam ndier gjithnjë – nuk e di me siguri këtë.

Arlinda Guma: Përse e keni publikuar vetëm në Amazon librin tuaj me poezi “Linjë e vonë”? Kaq e dobët vinte “linja” me botuesit shqiptarë? Nuk më duket se ra dhe aq dëborë dimrin e shkuar që të justifikohej këputja e ndonjë teli apo rënia e ndonjë shtylle…

Arb Elo: Në Amazon unë kam publikuar gjashtë vëllimet e mia me poezi, ndërsa në Tiranë (shkruaj Tiranë e jo Shqipëri, pasi shpërndarja në librari bëhet vetëm aty) vetëm dy prej tyre. Arsyeja pse nuk kam botuar më në Shqipëri është se botuesit jo vetëm që të kërkojnë pará për të ta shtypur librin, por ngaqë e tëra më ngjan të jetë vetëm një vrimë në ujë dhe nuk ka të bëjë asfare me letërsinë dhe seriozitetin – të paktën ashtu siç do t’i kuptoja unë këto të fundit. Nuk di nëse është shitur ndonjë vëllim imi, sa të tillë janë lexuar, nga kush janë lexuar, e a ka patur ndonjë vlerë ajo ç’kam shkruar; nuk kam marrë pra asnjë informacion për dy librat e botuar, ndërkohë që edhe po të kishte dalë ndonjë recensë në gazetë për to, nuk do ta kisha besuar, parë që kritika letrare te ne jo vetëm që nuk ekziston, por ajo shkakton efektin e përkundërt, ngaqë nuk është e besueshme.

Është për të ardhur keq që është kështu, pasi ka vërtet edhe libra që do të meritonin më shumë vëmendje, e që do të mund të viheshin në pah, mirëpo kjo ndodh me tërë atë që shkruhet, e me atë që shkruhet për atë që shkruhet, dhe për këtë arsye, edhe e gjithë kjo më ngjan po ashtu një vrimë në ujë.

Ndaj jo vetëm që nuk më vjen keq që nuk ka shkruar kush për atë ç’kam shkruar – me ndonjë përjashtim të rrallë – porse më vjen mirë që është kështu, parë që i tërë peizazhi letrar zyrtar kutërbon nga njohjet absurde, nga mungesa e kompetencës e shumë simptoma të tjera, që do t’i binte gjatë të shtjelloheshin këtu. Mua vetë, e gjithë kjo më shkakton vetëm neveri e përçmim dhe u bë kohë që nuk e ndjek më serizosht atë që shkruhet e thuhet te ne për letërsinë, përpos ca çasteve kur kërkoj diçka për t’u zbavitur në formë diabolike, me gagaçërinë e këtij grazhdi absurd.

Arlinda Guma: Një lexues mesatar poezitë tuaja mund t’i quajë të pazakonta. Ndoshta edhe mund ta frikësonin pakëz, pasi ato kërkojnë lexim impenjativ, dmth., nuk mund t’i lexosh një varg po-një varg jo, siç lexohen zakonisht poezitë në internetin konsumist. Çfarë do t’i thoshit këtij lexuesi? A do përpiqeshit ta afronit? Apo thjesht do t’i përgjigjeshit:- Ik, se nuk më duhesh!

Arb Elo: U bënë vite tashmë që nuk shkruaj më për ndonjë lexues të supozuar e aq më pak për një lexues mesatar. Por nuk dua të bie edhe në klishenë e atyre që pohojnë se shkruajnë për vete apo – edhe më keq akoma – për një lexues elitar.

Sa më shumë kalon koha dhe ti e kupton se gjasat janë që në këtë jetë ti do të lexohesh fare pak, në mos asfare, aq më shumë shkruan për të ngjashmit e tu në këtë botë, në paskësh të tillë atje përjashta, pak rëndësi ka në do të të lexojnë këta apo jo.

Pyetja “Për kë shkruaj?” u bë kohë që mua nuk më hyn më në sy, ndonëse ky është një proces e nuk ka qenë gjithnjë kështu: në fillimet e të shkruarit natyrisht që ke iluzionin e atyre që po të lexojnë dhe do të të lexojnë. Mirëpo, siç u shpreha më lart, urat e komunikimit të autorit me lexuesin e kritikën në kohët tona janë bërë të pakalueshme, në mos janë rrënuar fare, ndonëse, nga ana tjetër, asnjëherë nuk ka qenë kaq i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë të komunikuarit me të tjerët siç është sot: interneti mundëson madje të lexuarit e atypëratyshëm. Fenomen ky që e demokratizon të shkruarit – në kurriz të të shkruarit mirë dhe që mundëson – siç të tërë e dimë – krekosjen e kotë të atyre që kujtojnë se po shkruajnë – nga ata që bëjnë sikur i lexojnë dhe u pëlqen.

Kjo ndodh globalisht e kultura i vuan këto pasoja edhe tjetërkund, porse te ne, për arsye që dihen, ngritja pa arsye në qiell e ca të rremëve dhe shembja po ashtu e më të shumtave ura të vërteta kulturore, ka bërë që thuajse e gjithë ngrehina kulturore të mbahet artificialisht në jetë me ato pak serume të mjerueshme të të ashtuquajturës media publike, që është vetëm një lëtyrë njëzetekatërorëshe verbaliteti pa kuptim dhe që të cilën – shpresoj të jetë kështu – nuk e beson më kush.

Arlinda Guma: Jeni autor i gjashtë vëllimeve me poezi (vetëm dy prej tyre të botuar zyrtarisht) si dhe përkthyes në shqip i poezive të Trakl-it dhe Rilke-s. Sa kohë u desh për përkthimin e këtyre të fundit? Ka një boshllëk të madh me përkthimin e poezisë së huaj në Shqipëri, botuesit e justifikojnë me faktin që poezia nuk shitet. Ndërkohë që kam hasur tek-tuk nëpër internet përkthime me rimë të poezive te Rilke-s dhe kanë qenë për faqe të zezë.   

Arb Elo: Më është dashur respektivisht një vit e gjysmë punë për të dhënë veprën e plotë të Trakl-it dhe një përzgjedhje të veprës poetike të Rilke-s, përfshirë “Elegjitë e Duinos” dhe “Sonete për Orfeun”, këto të fundit për herë të parë në shqip.

Është e drejtë ajo që thoni për përkthimet e deritanishme të Rilke-s në shqip; para se të nisja punën porosita të gjitha shqipërimet e mundshme të tij dhe thuajse të tëra përfunduan në kosh të plehrave me t’u lexuar dy-tri faqe. Edhe Trakl-i ishte sjellë edhe më parë – për faqe të zezë, duhet thënë, nuk e di se nga ç’gjuhë e dytë, – për fat të keq nga një emër fort i njohur i letrave tona.

Jam përpjekur në punën time të mos bëj gabimin që po kritikoj dhe jam thuajse i sigurt që përkthimet e mia janë më të mirat në shqip të autorëve në fjalë; të tjerë që do të vijnë do ta bëjnë këtë punë edhe më mirë.

Të ish për botuesit shqiptarë poetët në fjalë nuk do të ishin publikuar kurrë; vetëm ndihmesa financiare e Traduki-t ka bërë të mundur sjelljen  tyre në shqip.

Arlinda Guma:Lexoni letërsi të bashkëkohësve tuaj shqiptarë? Si ju duket kjo letërsi? A mund të quhet ajo një letërsi e denjë apo edhe ajo e tepron me diellin ose dielli me atë. A qëndron në të vërtetë shumë afër ekranit letërsia shqiptare (afërsi që sjell vështirësi në të perceptuarit e ftohtë të vetes dhe mjedisit ku mbrujtet), apo ajo i qëndron këtij ekrani me vite drite larg?

Arb Elo: Me kohë kam arritur të krijoj mbresa për atë që shkruhet në shqip dhe e di, pak a shumë, se si shkruajnë emrat më të përmendur të letrave tona. Nuk është se ua kam lexuar të tëra, por kam krijuar një ide se kë nuk dua dhe kë dua të lexoj. Nga autorët tanë vazhdoj të ndjek Kadarenë, gjithashtu çmoj Ervin Hatibin, Bashkim Shehun e dy-tre autorë të tjerë. Lexoj gjithashtu çfarë shkruajnë disa miq e të njohur, mirëpo këtu është vështirë të ndaj interesin e vërtetë letrar nga ai i të mbeturit në dijeni se me çfarë po merren.

Nuk ma do mendja se do të mund të flitej me një frymë për klimën e një letërsie, asaj shqiptare në këtë rast. Mund të flasim brenda kuadrit të letërsisë shqipe për autorë të caktuar e në mënyrë specifike për veprën e tyre, por nuk shoh ndonjë valë të përbashkët që të ketë përfshirë letrat tona pas ’90-ës e këtej, pavarësisht përpjekjeve mirëdashëse për të inkuadruar shumëçka aty.

Ndërsa për ekranin nuk mund të flas; televizori im ka vite që nuk ndizet, përpos për të parë filma me kartona apo për të dëgjuar radio satelitore.

Arlinda Guma: Dorëshkrimi juaj në prozë arriti deri në finalen e çmimit aq të përfolur Kadare, një çmim për të cilin, për hir të së vërtetës më duhet të them se nuk kam asnjë fije respekti, sepse më duket fund e krye i korruptuar. Çfarë po bëhet me këtë dorëshkrim? A do ta shohë dritën e botimit? Mendoj se proza e poetëve dhe poezia e prozatorëve duhet të jenë objekt i veçantë i studiuesve.

Arb Elo: Për mua pjesëmarrja në atë çmim ishte vetëm dërgesa e një e-mail-i, dërgesa e një dorëshkrimi në prozë që e kisha në sirtar. Kam dy-tre të tillë këtu, e ndoshta i publikoj edhe ato në Amazon.

Unë vetë nuk bëj dallim mes poezisë dhe prozës; për mua është vetëm një formë tjetër shprehjeje dhe zhanri në të cilin shkruhet diçka, nuk luan rol. Megjithatë nuk është se më shqetësojnë mëtimet aq të njohura për të gjetur muzikë te poezia e rëndomësi te proza.

Arlinda Guma: Çfarë ju nervozon më tepër kur vini në Shqipëri? Apo gjithçka këtu është një “Linjë e vonë”?

Arb Elo: Më nervozon zhurma në publik, varavingot e makinave dhe njerëzve si edhe bombardimi mediatik që të përndjek kudo.

Arlinda Guma: A janë poetikë gjermanët? Po gjermanet?

Arb Elo: Nga leximet e di me siguri që gjermanët dhe gjermanet kanë qenë dikur tepër poetikë/e. Dhjetëvjeçarët e fundit mendoj se ka kudo një rënie të theksuar e masive të përjetimit poetik të botës. Megjithatë nuk mund të përgjithësohet kjo, më ka ndodhur të kem hasur e të has akoma njerëz goxha poetikë. Por më të shumtët do t’i përshkruaja si prozaikë, madje më pak se kaq. Besoj sidoqoftë se është kudo kështu, jo vetëm në Gjermani.

Arlinda Guma: Keni ndonjë bar të preferuar në qytetin tuaj ku shkruani? Nëse po, mund ta përshkruani atmosferën përreth tij? Apo atmosferën e një dite të zakonshme kur keni diçka për të shkruar…

Arb Elo: Kam patur një kafene ku shkruaja, por qysh me hyrjen në fuqi të ligjit për ndalimin të duhanit në lokale, jam i dënuar të shkruaj në kuzhinë. E kotë të shtoj se e pi cigaren.

Atmosfera ndodh, kur më vjen për të shkruar, më së shumti brenda meje. Dua të tregoj diçka, mirëpo ajo që dua të rrëfej është e një lloji të atillë, që nuk mund të jepet në mënyrat e zakonshme e nuk gjen kënd të ta dëgjojë; atëherë ulem dhe e shkruaj.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Arb Elo: Faleminderit gjithashtu!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top