Djaloshi që adhuronte Matisin-Luan Rama 

in Pikturë by

Luan Rama

Disa ditë pasi kishte mbërritur në Paris, një ditë të dielltë, mjeshtri plak mori drejtimin për nga rruga “Buonaparte”, drejt kafenesë pranë “Ecole Superieure des Arts”, jo shumë larg Seine-s. Duke iu afruar asaj kafeneje simpatike buzë rrugës, një “café-tabac” tipik parizian, ai sepse u rrënqeth. Ndoshta pse iu ngjallën kujtimet rinore, ato imazhe të largëta, që çuditërisht atë çast nuk kishin as flu, as mjegull, por ishin plot dritë.

Kur hyri në kafene, ai kërkoi zonjën Mishon, por patroni i tha se ajo kishte kohë që kishte vdekur. Mjeshtrit i erdhi keq për atë zonjë të mirë, që aq herë i kishte shërbyer mëngjeseve, duke i zgjatur kafenë. Sytë e mjeshtrit vështruan edhe njëherë me mall godinën e shkollës aty pranë. Çuditërisht nuk e ndjente veten të huaj, edhe pse kishin kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet. Pikërisht në atë oborr të shtruar me pllaka guri, iu shfaq vetvetja, djalosh i ri, teksa do t’i prezantohej profesorit të tij të ardhshëm Fernand Sabatte. Ky piktor i ri ishte shqiptari Sadik Kaceli. Në vapën e Korrikut, Parisi atë ditë ngjante i boshatisur. Shumica e parisianëve ishin larguar nga kryeqyteti për pushime. Mikun e tij të vjetër Albert Remy nuk e gjeti në shtëpi. Remy ishte bërë aktor i njohur. Kur e shihte në filmat franceze që shfaqeshin në Shqipëri, shpesh ngacmohej e i shkruante me mall. Miku francez nuk mungonte t’i përgjigjej e t’i kujtonte me mall kujtimet e shkollës. Ai i telefonoi dhe mikut tjetër, piktorit Jean Renan, që banonte diku aty afër Seine-s. As ai dhe as Moris Portal nuk ndodhej në shtëpinë e tij, në «Rue Ordonner». Parisianet sikur qenë zhdukur të gjithë. Në Paris, ato ditë ai kishte mundur të takonte vetëm piktorin Rene Sedille, që banonte ende në rrugën «Notre-Dame des Champs». Takimi me të kishte qënë i përmallshëm.

Në mesin e viteve ‘30, Sadik Kaceli, bir i një familje tiranase me tradita dhe tregtarë, ishte nxënës në Liceun Artistik të Tiranës, në degën e pikturës. Që atëherë vizatimet e Kacelit filluan të publikohen në revistat më në zë të kohës në Tiranë, të cilat lajmëronin shfaqjen e një piktori të ri të talentuar. “Në atë kohë unë isha abonuar në revistën “Studio“, që vinte atëherë në Shqipëri dhe përmes saj ndiqja zhvillimet e pikturës botërore, – kujtonte Kaceli. Atje, për herë të parë, pashë dhe riprodhimet e tablove më të njohura të Matisse dhe të Picasso-s, të cilët më vonë do t’i adhuroja”.

Në atë revistë, duke kërkuar adresat e piktorëve, Kaceli i ri gjeti adresën e një galerie franceze, të cilës i kërkoi adresat e piktorëve të mëdhenj francezë, dhe së pari adresën e Matisse-it, i cili e kishte mrekulluar për nga linjat dhe format e pikturës së tij. Kështu, me t’i rënë në dorë adresa e mjeshtrit të madh francez, ai u ul dhe i shkrojti. Ishte letra e një djaloshi shqiptar, nga një cep i Ballkanit dhe një bote orientale që po zgjohej duke vështruar nga Perëndimi, një letër e shkruar plot sinqeritet e dashuri për artin. Sigurisht, kjo letër që mundi të bjerë në duart e Matisse, e preku atë dhe ai mori mundimin t’i kthejë përgjigje këtij djaloshi të panjohur nga një vend fare i vogël dhe gati i panjohur për të. Dora e mjeshtrit shkruante: «Nice, 12 prill, 1936, 1, Place Charles – Felix: “Cher Monsieur. Selon votre lettre, je crois bien faire en vous conseillant de vous adresser à Mr. Andre Lhot, 38, bis, rue Bouland à Paris, qui a une académie importante et à qui j’adresse par la mëme courrier votre lettre. Agréer  cher Monsieur, l’expression des mes sentiments distinguées…Henri Matisse.”[1]

Me të marrë përgjigjen, me një bursë të Ministrisë Shqiptare të Kulturës dhe i ndihmuar nga vëllezërit e tij, Sadik Kaceli mori rrugën drejt Parisit. Udhëtimi i tij i ngjante një ëndrre ; «Harku i Triumfit», kulla «Eiffel», katedralja «Notre-Dame» të përshkruar madhërisht nga Hugo, Seine dhe emrat e piktorëve të mëdhenj si Daumier, Courbet, Monet, Modigliani dhe brezit të lavdishëm të «Ecole de Paris». Akademia e zotit Lhot gjendej në «18, rue d’Odessa», në zemër të Montparnasse. Ishte viti 1936. “Isha dashuruar pas Matisse-it, – më tregonte Sadiku shumë vite të shkuara kur iu ngjita apartamentit të tij buzë Lanës në Tiranë, – dhe vetëm kjo gjë më shtyu drejt Parisit. Vëllezërit më thoshin të studioja në Itali”.

Kështu atë vit, ai zbarkoi në një hotel jo larg Sorbonne-s, në “Rue des Ecoles”, zonë ku rrinin mjaft shqiptarë në atë kohë, veçanërisht emigracioni politik anti-fashist dhe anti-zogist. Aty ai njohu Fejzullah Sejdinin, një student që kishte mbaruar studimet për drejtësi; takoi Ymer Dishnicën, doktor Kallullin e të tjerë. Studenti shqiptar e dinte mirë italishten e anglishten dhe shpejt iu përvesh frëngjishtes. Pas një muaji u vendos në «11, Rue Daguerre», në lagjen e vjetër të Montparnasse, ku ishin nja dhjetë studio skulptorësh dhe dhjetë të tjera për piktorët e rinj. Matisse ishte larg, në Nice. Në një letër dërguar mikut të tij Llazar Nikolla, Kaceli i shkruante: «Kam marrë një dhomë me qera afër akademisë për të cilën paguaj 200 franga në muaj. Mësimet jepen nga profesorë me emër. Ka dhe një sallë të madhe, e cila merr mëse 60 veta e ku punohet vetëm nudo, burrë ose grua dhe ku vizatimi duhet mbaruar brenda 12 orëve». Kaceli e kujtonte gjithnjë me nostalgji profesorin e tij kur u thoshte nxënësve të tij: «Du sentiment, du sentiment…» Por njohja me profesorin e tij Fernand Sabatte, që dikur kishte qenë nxënës i piktorit të famshëm Gustave Moreau, do t’i jepte kënaqësi të veçantë. Ai ishte nga zona bordoleze, nga Lot-et-Garonne dhe tashmë ishte 62 vjeçar. Ishte shqur në Luftën e Parë Botërore ku kishte marrë dhe «Kryqin e Luftës» e më pas ishte dekoruar me «La Legion d’Honneur».

Në konkursin që dha atë vit  në “Ecole Superieure des Beaux Arts”, në sallën e madhe, ishin mbledhur gjithë studentët. Një burrë nudo qëndronte para tyre si model. “Salla ishte mbushur plot, – kujtonte Kaceli, – dhe mua më duhej të ngjitesha në lozhat lart, por figura humbiste në largësi. Kështu u ula në shesh diku përpara.” Në mbarim të konkursit, ndër fituesit ishte dhe Kaceli, të cilit iu dha medalja e çmimit të parë. “Për këtë çmim Ministria e Kulturës Franceze jepte në atë kohë si shpërblim pesë napolona flori. Por veç kësaj kishe të drejtë që në Ministrinë e Monedhës, të bëhej një medalion me emrin dhe vizatimin tënd, por atëherë ishim të rinj dhe nuk i vlerësonim këto…” «Unë pyesja veten pse e thoshte profesori kaq dëndur këtë fjalë, ashtu si dikur të rinjtë pyesnin Manet mbi talentin…» Ishte koha kur Kaceli punoi tablotë në vaj «Notre-Dame», «Carmen», «Peizazh pranë Seine-s» e shumë të tjera. Çatitë parisiane ndryshonin nga ato tiranase…. “Peizazh pranë Seine-s” e pikturoi në një ftohtë të madh: «Duart nuk më punonin mirë, por shpirti pikturonte lumin e Seine-s». Në vitin 1939, në ”Sallonin e verës“ të Plage-d’Argèles, një gazetë franceze shkruante: «Në këto peizazhe, piktori shqiptar Sadik Kaceli shpreh në një mënyrë tepër të veçantë bukurinë tërheqëse të plazhit dhe thepisjeve tona…»

Në atë kohë, Sadik Kaceli, ishte mik i afërt  me piktorin nga Bretanja, Jean Renan si dhe me piktorin tjetër Pierre Tremois, i cili më pas u bë mjaft i njohur me pikturën e tij. Një ditë, profesor Sabatte i mori nxënësit e tij për të vizituar së bashku muzeun e Gustave Moreau, profesorit të tij. Aty ai u njoh e veprat e mjeshtrit të madh francez, i cili shumë tablo ia kishte kushtuar temave historike e biblike, siç ishte dhe tabloja e famshme “Kantika e kantikëve”. Në Paris, për Sadikun filloi një tjetër jetë. Ai e ndjente veten midis artit dhe të përkushtuar për artin. Jo më kot dikush e kishte quajtur Parisin “atdhe të piktorëve”. Pasioni i tij ishin ekspozitat e piktorëve, galeritë e shumta buzë Seine-s, në «Rue de Seine», «Rue Bonaparte» apo në kodrën e Montmartrës ku përpara rrinin shumë impresionistet. Të tjerë piktorë të njohur të asaj kohe jetonin në Montparnasse. Buzë Seine-s dhe vitrinave të bukinistëve, ai ndalej dhe kundronte kartpostalet me veprat e Matisse, Picasso, Cezanne, Chagall, etj. Nga Matisse i pëlqenin versionet e tablosë së famshme La danse, apo odalisket e ndryshme, gra nudo të pështetura në divane apo mbi shtrat. Nga Picasso atij i pëlqenin tablotë e “epokës blu” dhe “epokës rozë”. “Një ditë, – tregonte Kaceli, – bleva një kartpostale me një punë të Picasso-s, një skicë me figurën e një të varfëri, me duar të thara”. Këtë vizatim ai e njihte që në Tiranë, nga “Enciklopedija Britanica”.

Në vitin 1935, Matisse kishte ilustruar Uliksin e Xhejms Xhojsit, që u publikua në Amerikë, kishte punuar dekoret e baletit rus me muzikën e Shostakoviçit “E kuqja dhe e zeza”. Tablotë “Nu rose, Helene”, etj, apo “La musique”, ku duken dy femra, njëra prej të cilave i bie kitarës, ishin bërë mjaft të njohura në atë kohë. Një nga koleksionistët më të famshëm të botës, doktori amerikan Barnes, vinte në ato vite në Paris dhe blinte punimet e Matisse-s, Picasso, Modigliani, etj.

Një ditë të vitit 1939, pasi kishte vizituar një ekspozitë të piktorit të njohur Dufy në “Grand Palais”, bashkë me disa shokë ai ishte ulur në kafenenë e njohur të artistëve, në “Les deux  Magots”. Pas pak njeri nga miqtë i kishte thënë: – E di cilin ke prapa shpinës? – Jo! – i ishte përgjigjur Kaceli dhe ishte kthyer të shihte pas. Menjëherë ai dalloi Picasso-n. Piktori i madh e ndjeu shikimin kureshtar të djaloshit dhe i buzeqeshi lehtë. Kaceli nuk i besonte syve. “Nuk guxova t’i afrohesha. Picasso-n e adhuronim të gjithë”. Në vitin 1941, Picasso hapi një ekspozitë në galerinë “Charpentier”. Sadiku nuk mungoi ta vizitonte atë ekspozitë. Picasso ishte ulur në një kolltuk, në hyrje të sallës, diku pranë një tabloje me pëllumba. Pranë këmbëve qëndronin dy qentë e tij. Djaloshi shqiptar qëndroi një çast të gjatë, i mrekulluar para tij. Por edhe atë moment ai nguroi ta takonte apo ta uronte për ekspozitën. Madje u bë gati… kur dy të rinj amerikanë, turistë dhe amatorë arti, iu ngjitën dhe djaloshit shqiptar iu desh të largohej. Kur iku, ai e mallkoi veten për ndrojtjen e tij. Në atë kohë Picasso ishte në shkëlqimet e tij, ndryshe nga Matisse që ishte tërhequr në Nice, i vetmuar. Zënka midis dy mjeshtërve të mëdhenj, që kish nisur në fillim të shekullit, rreth pikëpamjeve të tyre estetike, tashmë ishte shuar dhe të dy e adhuronin njëri-tjetrin. Matisse ishte një puntor i madh. Ai punonte rreth 18 orë në ditë. Kur dikush e kishte pyetur nëse besonte tek zoti, ai i ishte përgjigjur se besonte veçse kur punonte.

Në Paris, Kaceli jetonte çdo çast me artin, me ekspozitat, galeritë, tablotë buzë Seine-s… “Shpesh shkoja dhe në “Opera Comique”, – kujtonte Sadiku. – Atje kam parë operat “Tosca“, “Madame Butterfly“, etj. Në “Place Pigalle” kisha një kushëri që shiste gështenja, Osman Basha quhej. Nganjëherë kur shkoja atje, më pëlqente të piqja dhe unë gështenjat. Vonë, pas mesnatë kthehesha në këmbë drejt kinema “Apollo”, ku shfaqeshin filma amerikanë. Pastaj kaloja “Les Halles” dhe dilja në “Rue de Seine”.

Në studion e Kacelit në Tiranë, mbaj mend që një ditë vere kisha parë disa tablo të vogla që ai i kishte punuar pikërisht ato vite të rinisë në Paris. Në njërën nga to ishin çatitë e shtëpive të rrugës “Saint Jacob”; në një tjetër një pamje nga sheshi i Henri IV, ku dukej statuja e mbretit dhe lumi i Seine-s. “Më kujtohet mirë, ishte dimër dhe duart më thaheshin nga të ftohtit”, – kujtonte Kaceli. Një tjetër pamje e Seine-s, por në dëborë. Në një tjetër tablo, ai ka pikturuar bashkë me mikun e tij të shkollës, skocezin Jan nga Dunde. Ishte një peizazh i katedrales «Notre-Dame de Paris». – “Jan kishte bërë vizatimin ndërsa unë hodha ngjyrat në telajo”. Ishte një punë e përbashkët». Kur ushtria hitleriane hyri në Paris, Kaceli vashdonte ende studimet dhe ai e ndjeu trishtin dhe dhembjen e madhe të francezëve të pushtuar brutalisht. Një ditë studentët prisnin të vinte në shkollë profesori Sabatte, por lajmi erdhi se një makinë ushtarake gjermane e kishte përplasur në rrugë. “Atë ditë, sapo dëgjova lajmin, mora një biçikletë dhe u nisa. Të gjithë ne nxitonim drejt periferisë së Parisit ku jetonte profesori. Kur mbërritëm të gjithë, i prekur e plot dhembje, prifti na tha: – Afrohuni, hyni, ju ishit të vetmit njerëz të afërm të tij në këtë botë”. Sabatte kishte vdekur.

Një kujtim i bukur i Kacelit ishte takimi me modelin e famshëm të skulptorit të madh Auguste Rodin, (Ogyst Roden), me zonjusha Carmen. “Atë e njoha një ditë në shkollë, kur erdhi për të pozuar, – kujtonte Kaceli. Carmen në atë kohë nuk ishte më ajo vajza e bukur që mund të pozonte nudo, si dikur para mjeshtrit të madh. Tashmë ajo ishte plakur, por sytë e saj shkëlqenin gjithë jetë. “Ne u bëmë miq dhe shpesh e hanim drekën bashkë. Flisnim italisht”, – tregonte Kaceli. Në një nga tablotë që Kaceli kishte në studion e tij ishte dhe një kompozim ku dukej Carmen që pozonte para studentëve. Për Kacelin, Matisse ishte mbi të gjithë piktorët e tjerë. “Kur kam për të pikturuar trupin e një femre, – thoshte mjeshtri Matisse, – unë së pari i jap asaj hijeshi e bukuri. Por asaj në fakt duhet t’i jap diçka më shumë. Atëherë unë e kondensoj domethënien e kësaj figure duke kërkuar linjat thelbësore. Kështu bukuria do të jetë më pak e dukshme”.

Atë kohë, Kaceli kishte shumë dëshirë ta shikonte një çast Matisse-in, por mjeshtri i madh kalonte një periudhë të vështirë. I sëmurë rëndë dhe i dënuar të qëndronte në shtrat për një kohë të gjatë, ai punonte në një karrocë lëvizëse. Më 1954 mjeshtri i madh vdiq duke punuar një vitrat për kishën e fshatit Saint Paule-de-Vence, në atë vend ku ishte tërhequr prej shumë vitesh. Kaceli u pikëllua për vdekjen e artistit që adhuronte aq shumë edhe pse në punët e tij nuk kishte asgjë të përbashkët me veprat e mëdha të Matisse-it. “Unë, – kishte thënë Matisse para vdekjes, – artin tim ia detyroj gjithë piktorëve”. Përse vallë ky detyrim? Për të, personaliteti i një artisti zhvillohej përmes ballafaqimit me artistët e tjerë.

Tablotë e kohës së rinisë, ato tablo që Kaceli pikturoi buzë Seine-s apo disa nudo djaloshare, ishin gjithnjë aty në studion e tij nën tarracën e një pallati të rëndomtë buzë Lanës në Tiranë, në katin e fundit. Po aty ishin dhe shumë katalogje e albume të Matisse-it dhe veprës së tij që miqtë e tij francezë ia kishin dërguar piktorit shqiptar. Parisi, Matisse, Seine… Mjeshtrit plak sepse i dukej se tërë ajo periudhë i ngjante një ëndrre të bukur…

Një nga miqtë e shumtë të Sadikut ishte dhe piktori Omer Kaleshi me origjinën ga Kërçova e Maqedonisë por i shkolluar në Akademinë e Arteve të Stambollit, i cili nga mesi i viteve ‘80 shkoi të vizitonte Shqipërinë. Gjatë gjithë kohës nëpër Shqipëri, ai qëndroi me të. Omeri vinte nga Parisi ku jetonte prej dy dekadash dhe pikturonte në atelierin e tij. Kur ai erdhi në aeroportin e Rinasit dhe Sadiku i foli në frëngjisht «Bien venu cher ami»! Omeri u habit. Që nga ai çast një miqësi e madhe u lidh mes dy piktorëve. Më 1990 ishte Sadiku që do të vizitonte Parisin me ftesën e tij. «Kur ai mbërriti në Paris ishte vërtet i ngazëllyer. E vendosa të flinte në atelerin tim. Dilte në mëngjes dhe kthehej në mbrëmje. Kishte dëshirë të shëtiste më këmbë. Asnjëherë nuk e merrte metronë. Rijetonte rininë, kërkonte miqtë e vjetër të shkollës, shkonte në rrugët ku kishte shkelur dikur, në bistrotë ku rrinte me shokët e dikurshëm. Bashkë pamë një sërë muzeumesh. Në mbrëmje mblidheshim në atelier dhe bisedonim për artin. Një ditë më bëri dhe një portret, një vizatim që më pëlqen shumë. Mbaj mend një natë që bisedonim për dervishët dhe i tregova disa diapozitivë të Mekës dhe besimtarëve në Mekë. Imazhet e Mekës e befasuan. – «Mbase shkoj njëherë në Mekë?» – më tha. – «A m’i jep këta diapozitivë?» – «Sigurisht, – iu përgjigja, – por kam frikë se mos t’i gjejnë policët e aeroportit.» – «Mos ki frikë se do t’i fsheh!» – më tha me të qeshur…“

Shpesh herë e kujtoj Kacelin në Paris me një ndjesi të veçantë, kujtoj njeriun dhe artistin që edhe pse gjeti artin e madh, edhe pse preku nga afër tablotë e mjeshtërve dhe gjenive të mëdhenj të botës të mbledhur aty, përsëri, në kthimin e tij në Shqipëri, ai krijoi stilin dhe artin e tij duke përvijuar një traditë dhe duke ruajtur fort karakterin e figurës dhe të natyrës shqiptare. Sa herë kaloja në “Rue Bonaparte”, krah shkollës së «Arteve të Bukura», do të mendoja dhe për takimin tonë në Tiranë. Një natë, duke ju treguar një grupi piktorësh shqiptarë hotelin ku kishte vdekur Oscar Wilde dhe ku kishte jetuar një kohë dhe Borgesi, përsëri në kryqëzimin me «Rue des Beaux Arts», m’u kujtua Kaceli. – Ja këtu ka studiuar Kaceli, – u tregova i gëzuar oborrin dhe konturet e ndërtesës së Akademisë së Arteve të bukura, duke kujtuar atë piktor të talentuar dhe atë njeri aq të mirë.

Shkëputur prej librit: «Përballë tablosë»-Luan Rama

[1] – «I dashur zotëri. Në përgjigje të letrës suaj ju keshilloj se do të ishte mirë t’i adresoheshit zotit Andre Lhot, në adresën 38 bis, Rruga Bouland, në Paris, i cili drejton një akademi të rëndësishme dhe të cilit po i dërgoj gjithashtu letrën tuaj. Pranoni zotëri shprehjen e ndjenjave të mia të veçanta për ju… Henry Matisse.»

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top