Fotografia historike e Luftës së Dytë Botërore që u publikua 65 vite më vonë. Nëntor 1942. Një spiun sovjetik buzëqesh pak para ekzekutimit të tij. Fotografia është bërë në një pyll me dëborë në Karelian Lindore, në Finlandë. Mbeti e fshehur për më shumë se gjysmë shekulli në arkivat e ushtrisë finlandeze, pasi ekzistonte frika se sovjetikët do ta përdorin për qëllime propagande. Doli në dritë në vitin 2006 nga Ministria e Mbrojtjes e Finlandës. Fotografia shoqërohej me titullin: “Oficer i Panjohur i Inteligjencës Sovjetike para pushkatimit, Finlandë, 1942”. Identiteti i spiunit është i panjohur, por fotoja është unike, pasi spiuni buzëqesh edhe pse e di se do të vdesë brenda pak sekondash. Në Luftën e Dytë Botërore, Finlanda ishte aleate e Gjermanisë dhe armike e Bashkimit Sovjetik. Bashkimi Sovjetik pushtoi Finlandën në vitin 1939 gjatë luftës Sovjetiko-finlandeze të njohur si Lufta e Dimrit. BRSS u përpoq të rimarrë tokat që kishte humbur gjatë Revolucionit të Tetorit. Ushtria ruse numëronte 450,000 burra. Finlandezët, pavarësisht se ishin të paktë dhe të papërgatitur, u rezistuan fuqishëm pushtuesve. Ushtria e Kuqe përveç finlandezëve u përball me temperaturat e ulëta të vendit skandinav që arritin deri në -43 ° C në Dimrin e 1940. Siç kishte përmendur historiani William Trotter: “Ushtarët sovjetikë nuk kishin zgjedhje. Nëse nuk pranonin të luftonin, do të ekzekutoheshin. Nëse do të përpiqeshin të shpëtonin nëpër pyje, do të ngrinin deri në vdekje. Sa i përket dorëzimit te armiku, propaganda sovjetike i kishte paralajmëruar se finlandezët i torturonin të burgosurit deri në vdekje. Finlandezët arritën të ndalojnë ushtrinë e Kuqe. Përvetësuan pjesë të madhe të pajisjeve ushtarake sovjetike dhe shkaktuan mijëra viktima. Armiqësitë përfunduan në Mars 1940 me Traktatin e Moskës, por armëpushimi nuk zgjati shumë. Një vit më pas, kur Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik, sovjetikët kryen sulm ajror mbi Finlandë. Finlandezët nuk morën pjesë në rrethimin e Leningradit, por ruajtën vijën e tyre mbrojtëse në kepin Karelian. Në atë kohë ushtarët finlandezë kapën një spiun rus në Karelian Lindore dhe e ekzekutuan në një pyll me dëborë. Një ushtar finlandez e regjistroi me aparatin e tij fotografik. Edhe pse imazhi gjatë luftës nuk është i pazakontë, kjo foto është e veçantë pasi i ndjeri buzëqesh dhe sigurisht jo nga gëzimi.
Përktheu: Shpendi Shakaj