Botuesit shqiptarë edhe kur të kthejnë përgjigje janë më të paqartë se heshtja

in Prit deri në pranverë, Bandini! by

Mbi vështirësitë e shkrimtarit shqiptar të viteve të fundit

     Erlind Sulko

Dy probleme kam hasur unë:

Mungesa e etikës profesionale në komunikim dhe barazvlerësimi i logjikës së tregut me logjikën e librit. Kam kontaktuar shumë shtëpi botuese që nuk më kanë kthyer as përgjigje. Mungesë e theksuar në etikën e komunikimit. Të lënë të presësh pafundësisht për çdo gjë. Nuk të thonë që nuk duan ta botojnë librin, por të lënë të presësh e të presësh e të presësh, deri sa ti të dorëzohesh. Edhe kur të kthejnë përgjigje janë më të paqartë se heshtja.

Tani kalojmë tek problemi i dytë:

Shtëpitë botuese gjykojnë veprat nga fama dhe shitshmëria e autorit, jo nga vlera e veprës. Nuk është detyra e autorit të bëhet i zëshëm e të dalë nëpër emisione televizive. Detyra e tij e vetme është vepra. Është detyra e shtëpive botuese që ta bëjnë veprën të zëshme nëpërmjet paraqitjes estetike, shpërndarjes, mbështetjes dhe ribotimit.

       Anita Zela

Unë do të thosha se libri im i tretë ishte me fat. Ai do mbahet mend se u botua në të njëjtën kohë me recatat e gatimit të Renato Mekollit (e keni prarasysh radhën që ishte në Panair për të, sepse flitej në çdo media). Gjatë Panairit të Librit mësova disa receta duke parë si promovohej ai. Problemi i botimeve në Shqipëri është shumëdimesionalësh. Besoj i lidhur me të gjithë sistemin që funksionon pa rregulla. Së pari mungesa e bordeve të mirëfillta vlerësuese. Për çmimet ka një valë opinionesh kontestuese, aq sa janë kthyer në barsaletë, juri që provohen nga njerëz që shprehen kafeneve “nuk kam kohë të lexoj e më vjen keq”, sepse këta njerëz janë në 3 e më shumë borde e juri, kritikë që bëhet vetëm nga njohjet personale.

Vijmë pastaj tek shtëpitë botuese. Jane biznese si çdo biznes tjetër. S’ka lidhje me letërsinë. Nuk ka asnjë kriter për atë që botohet, çdo njeri që i thotë mendja të shkruajë diçka, paguan tarifën dhe e boton, sepse nëse paguan vetë shtëpia botuese s’do të dije nëse shitet apo jo. Promovimet janë për tregun e thjeshtë që kërkon zgjidhjen e thjeshtë të opinionit të të tjerëve, jo për letërsinë e mirë, e aq më pak për promovimin e letërsisë kombëtare.

Në vitin 2017 unë mora pjesë në konkursin Kadare. Mund të pyesni 4 nga 5 anëtarët e jurisë nëse e kanë dëgjuar ndonjëherë emrin tim? Ju them unë që jo. Kjo besoj është shembull për çfarë thashë më lart.

    Anila Xhekaliu

Duhet të krijohet sindikata e shkrimtarëve për të qenë një zë, një grup interesi, jo për të vënë lidhjen me botuesit e Tiranës, sepse kjo lidhje është jashtë çdo standardi të mundshëm, por për të qenë një zë i pavarur. I vetmi mjet që bashkon autorët me botuesit është talenti krijues dhe teksti letrar. Pra çështja, si për të vënë në qendër cilësinë e këtij teksti, gjë të cilën vetëm “Buzuku” e ka arritur që në gjenezën e vetë dhe vazhdon me këtë filozofi botimi edhe sot, ndonëse lexuesi i Shqipërisë nuk ka kontaktin e duhur me këtë letërsi të botuar në Kosovë. Pra, nuk është çështja për një shtëpi botuese, por për standarde të botimit siç boton “Buzuku”. Këtë model botimi duhet të kërkojë shkrimtari shqiptar, që normalisht me ndihmën e sindikatës së tij, që realisht nuk e ka, do të mund të kërkonte përmbysjen e botimit ilegal të librit të tij, do të mund t`u kundërvihej formave të paligjshme të botimit të librit. Nuk jam autore e Shqipërisë, por e Kosovës, e “Buzukut”, sepse nuk kam pranuar të botoj libër tim të paligjshëm, që nuk më jep asnjë siguri, as për cilësinë e tekstit, dhe nuk i hap asnjë rrugë atij teksti, përveçse ia mbyll dhe e zhyt në harrim.

Piktura: Pedro Berruguete

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.